Editor: Dr. Athanas Gegaj
Kur arrijti në Amerikë delegacioni komunist i Shqipërisë, po atë ditë filloi koha e gënjeshtrave në gjirin e komunitetit tonë. Shtypi i kohës këtu në Amerikë, pa dijtur se cka ishte duke bërë dhe pa i njohur, filloi të laudërojë këta “clironjës”, që u paraqitën me arrogancë dhe përulën komunitetin tonë. Ishte koha kur qeni nuk e njihte të zonë dhe bota po dilte nga një katastrofë, ku u cdukën dy tiranii dhe vendin e tyre në Europë lindore e mori tirania ruse, shumë më e keqe e anti-njerzore se ato të dy të tjerat. Bijët e kësaj tiranie janë ata, që sot kanë në dorë fatet e popullit shqiptar. Po qe se këtë të vërtetë nuk e kuptojnë shqiptarët e komintetit tonë këtu në Amerikë, atëherë këta s’kuptojnë gjësend në situatën e sotme në Shqipëri dhe në vende tjera ku dominon komunizmi. Fashizmi dhe nazizmi ishin me karakter kombëtar, por nuk njihnin të drejtat e ca popujve të tjerë dhe shkelnin ligjet nderkombëtare. Shkurt donin të themelonin perandori dhe të krijojnë një hegjemoni mbi popuj të tjerë.Komunizmi është nderkombëtar në politikë, po ku vë këmbë, aty krijon skllavë dhe shtetet bëhen vegla të politikës rë shtetit-komunist no.1, të Rusisë.
Komunistët e Nacional-Clirimtares ndoqën po këtë udhë: Gënjyen, mashtruan popullin, i ndanë nacionalistët e më në fund i vranë dhe e robënuen një popull. Kjo qe e kjo është situata sot në Shqipëri.
Por misioni i komunistave të Shqipërisë nuk mbaron këtu. Këta krijuan qëndra në Amerikë, në ca vende të Amerikës së jugut, në Francë e në Itali. Në Romë, pasi një nga të Legatës zgjodhë lirinë, dorëzoi listat e emerave të spiunëve dhe ngjanë ca skandale; në Paris ngjanë skandale, u dëbuan ca zyrtarë të Legatës së Tiranës dhe shumë nga agjentët ikën në vended të tjera. Në Amerikë agjentat po punojnë tash më se 20 vjetë dhe kurrkush nuk u thotë gjësend ! Këta deklaruan botërisht se vetëm ata që ishin të mirë për qeverinë e Tiranës, ata ishin të mirë dhe për komunitetin tonë! E nuk kishin faj !. Komunizmi ku vë këmbë, aty ai komandon dhe themelon organizime qënndrore(brigada) me cellule e qëndra të tjera spiunllëkut. Këto bëjnë rekrutime, bëjnë anëtarë, dhe preferojnë ata që kanë far’ e fis në Shqipëri. Këta i komprometojnë e më në fund i bëjnë skllav, sa që nuk është e mundur të dalin me nga rrjeti i komunizmit. Këso kallëpesh e tipesh kemi edhe në Amerikë. Kur “brigada” e Organizatës Qëndrore është formuar mirë dhe janë të zgjedhur ata që do të veprojnë, jo kurrë të gjithë së bashku, po tak-tuk, aherë fillon lufta, në fillim e mësheftë, pastaj më e qartë. Kjo luftë ka për qëllim qëndrat kombëtare, si p.sh. Vatrën dhe Kishën, faltoret e organizatat politike. Në cdo degë të tyre e ke agjentin e Tiranës. Luftën më të madhe ia bëjnë Kishës e Vatrës, sepse Kisha dhe Vatra janë dy shtylla të patronditura të popullit shqiptar dhe të komunitetit tonë në Amerikë. Por, mos harroni, se cdo organizatë fetare ose edhe politike i ka i ka agjentat mbrenda. E më të shumtën e herës këta diftohen më patriot se patriotët e vërtetë, më atdhetarë e më Amerikanë se Amerikanër e vertetë.
Agjentat e Tiranës në Amerikë nuk lozin një lojë por një qind lojëra. Ke për të parë në botimet e tyre gjëra patriotike Amerikane, ke për të konstatuar se këta janë liridashës, por mos harroni kurrë se këta nuk e ndërrojnë lëkurën e tyre të kuqe. Në fillim këta agjenta jepshin leje për pasaporta, i këshillonin anëtarët e komunitetit tonë të shkojnë në Shqipëri, dhe si shpërblim ju merrnin paratë ! Më vonë ia nisën me telefon e vizita. E qe se pse organi i brigadës qanë sot Behar Shtylllën, e nesër do të qajë edhe Halim Budon, sepse këta kanë ngrënë së bashku dhe janë përqafuar me Hysni Kapon i cili përdoronte edhe shputat për hajvanë e agjenta !
Përpara kësaj situate ca veta që mejtojnë se janë ata dhe asnjë tjetër, që jetojnë me spekulime dhe kurrkush nuk u aka parë hajrin tallen. Anëtarët e komunitetit tone cudhëzohen. Dhe sot këtu e nesër atje del ndonjë kendez i Tiranës dhe këndon fitore. Për agjentat e Tiranës të ckëputesh nga Vatra është një fitore e madhe ! Nuk kanë faj ! Është urdhëri ! Tirana sulmon Amerikën, agjentët e Tiranës sulmojnë Kishën dhe Vatrën dhe fusin përcarje në cdo organizatë që nuk i përulet Tiranës së kuqe, d.m.th, qeverisë së Hoxha-Shehu & Co.
Vatra sot e një mot është dule luftuar agjentat dhe po mbron Kishën nga ndërhyrjet e jashtëme. E shqiptaët e komunitetit tonë cka bejnë. Bejnë sehir e karavan’mileti shkon përpara ! Lumturisht në gjirin e komunitetit tonë kemi shumë burra, që nuk cajnë kokën për Tiranën dhe janë të vendosur të pastrojnë këta agjenta dhe të respektohen ligjet e Kishës dhe të Amerikës. Është luftë e ashpër, por do t’a fitojmë.
SHËNIM: Ky editorial i Dr. Athanas Gegaj ishte botuar në gazetën “Dielli” më 27 prfill të vitit 1966. Zoti Gegaj ishte nje antikomunist i vërtetë, sic kishin qënë edhe editorët: Qerim Panariti, Xhevat Kallajxhi dhe Arshi Pipa. (Gjekë Gjonlekaj)