kostumet-popullore-adriana-handrajAfron Serbia, rritet shitja e kostumeve popullore

Afrimi i ndeshjes së futbollit mes përfaqësueses së Shqipërisë dhe asaj të Serbisë që do të luhet në Elbasan më 8 tetor të këtij viti, ka rritur interesin për kostumet popullore me elemente kombëtare. Këtë e pohon artizania shkodrane, Adriana Handraj, e njohur për mjeshtërinë e saj në punimin e kostumeve popullore nga të gjitha trevat e vendit, por dhe për futjen në to të simboleve kombëtare, siç është shqiponja. Sipas Handrajt, afrimi i ndeshjes së futbollit mes përfaqësuesve të Shqipërisë dhe Serbisë, ka shtuar interesin dhe porositë për veshjet popullore, kryesisht ato me elementë kombëtarë, sidomos xhamadanët me shqiponjë. Kjo ndodh kryesisht nga klientë nga Kosova, por dhe nga vise të tjera, brenda e jashtë Shqipërisë. Adriana Handraj është e njohur për punimin e kostumeve kombëtare nga të gjitha zonat e Shqipërisë, punime cilësore që kanë fituar dhe çmime nëpër organizime të ndryshme.

Në kostumet popullore të veriut, si xhubleta e grave apo kostumet e burrave, ajo ka futur elementë të simboleve kombëtare, si shqiponja , duke u bërë e njohur dhe shtuar kërkesat për to. Handraj thotë se që nga gjysma e korrikut të këtij viti janë shtuar kërkesat për kostume me elemente kombëtore, kryesisht jelekë burrash me shqiponjë dhe që kërkojnë t’i kenë gati deri në fillim të tetorit. “Ata që kanë porositur janë kryesisht shqiptarë nga Kosova, por dhe nga Mali i Zi, Maqedonia apo diaspora. Porositë bëhen përmes të afërmve të tyre dhe përmes klientëve të rregullt që kanë bërë më parë punime tek unë. Kohët e fundit porositë kanë qenë më shumë për veshjet e sipërme të burrave, ku kërkohet të kenë shqiponjën dhe t’i kenë gati maksimalisht deri në ditët e para të tetorit.

kostumet-popullore-adriana-handraj

Ka porosi nga Peja, Gjakova, Prizreni,Tetova, Plava, Gucia, por dhe nga Zvicra, Suedia e SHBA. Sipas atyre që i kanë porositur, kjo lidhet me ndeshjen me Serbinë që do të ndiqet në Elbasan apo në vende të tjera nga shqiptarët”, u shpreh Handraj. Fakti që porositë janë shtuar kryesisht për veshje të sipërme të burrave lidhet me dëshirën për të patur të pranishme në veshje simbolet kombëtare, pavarësisht nga ku sportdashësit do ta ndjekin ndeshjen. Motivi i shqiponjës përdoret vazhdimisht në veshjet kombëtare që punohen nga artizania Adriana Handraj, sidomos tek veshjet e burrave dhe kërkohet mjaft.

Adriana Handraj ka rreth 250 lloj kostumesh kombëtare të zonave të ndryshme të Shqipërisë. Punimet e saj pëlqehen dhe kërkohen mjaft në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni. ”Kërkesat vijnë nga brenda e jashtë vendit, nga SHBA e vende të tjera ku ka shqiptarë që duan të kenë kostum kombëtar në garderobën e tyre. Veçanërisht në dasma, në Kosovë, Ulqin dhe Tetovë, pëlqejnë punimet e mia. Punoj më shumë për tregun jashtë, por nuk mungojnë porosi dhe nga brenda vendit dhe pse më pak. Shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë i kanë shumë për zemër veshjet nga krahinat nga vijnë”, thotë ajo.

Përdorimi i simboleve tradicionale dhe kombëtare nga tifozët e ekipit kombëtar është shtuar shumë në vitet e fundit. Në mënyrë të veçantë ndeshja kundër Serbisë mbart një ngarkesë më të madhe emocionale, edhe për shkak të ngjarjeve në ndeshjen e luajtur në Beograd. Megjithatë autoritetet po marrin masa të rëndësishme, në mënyrë që gjatë ndeshjes Shqipëri-Serbi të mos ketë probleme, ndërsa tifozëve u është bërë në mënyrë të vazhdueshme thirrje të evitojnë provokimet. Në të njëjtën kohë, një mënyrë e kujdesshme po ndiqet me shitjen e biletave dhe evidentimin e tifozëve të pranishëm në stadium, për të evituar probleme. Edhe UEFA u ka bërë thirrje federatave të Tiranës dhe Beogradit të bëjnë maksimumin për përsëritjen e problemeve.

FSHF shpërndau qeleshe

Në ndeshjet me Armeninë dhe Portugalinë, Federata Shqiptare e Futbollit zgjodhi detaje interesante të dekorit dhe koreografisë që shoqëruan kuqezinjtë në stadiumin “Elbasan Arena”. Flamujt kombëtarë e ngjyrat kuq e zi nuk ishin të vetmet që dominonin në stadium. Rreth 13.000 qeleshe u shpërndanë për tifozët në shkallët e stadiumit. Qeleshet, ose siç njihen me emrin tradicional Plisat, janë një simbol i njohur kombëtar që sollën emocione të veçanta për tifozët dhe kombëtaren tonë. /Bota Sot/

By admini