Liderët e partive opozitare kanë nënshkruar sot peticionin kundër “Zajednicës” dhe demarkacionit me Malin e Zi. Opozitarët thanë se peticioni është një formë e jashtëzakonshme e mobilizimit qytetarë dhe dërgimin e sinjalit tek Qeveria se qytetarët nuk pajtohen me rrënimin e Republikës së Kosovës, që po i bëhet nga koalicioni qeverisës, PDK-LDK, me nënshkrimin e marrëveshjeve në dëm të vendit.
Opozita e bashkuar kosovare – Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, prej sot do të fillojë aktivitetin e radhës kundër “Zajednicës”, respektivisht kundër marrëveshjes së datës 25 gusht ndërmjet qeverive të Kosovës dhe Serbisë, transmeton Bota Sot.
Haradinaj: Marrëveshjet bankrotojnë Kosovën
“Sot edhe simbolikisht e bëmë nënshkrimin e peticionit, një peticion që është i hapur për të gjithë qytetarët ku secili mund ta jap mendimin e vet të lirë. Një mendim i cili do ta fuqizoj kundërshtimin e marrëveshjeve që e bankrotojnë Kosovën. Nuk janë marrëveshje vetëm të dëmshme politike, nuk janë marrëves hje të dëmshme vetëm në rend dhe ligj por janë marrëveshje edhe shumë të dëmshëm ekonomike dhe financiare, si rezultat i së cilave po varfërohet më shumë Kosova. I ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të përkrahin peticionin dhe të shprehin mendimin e tyre të lirë”, theksoi Haradinaj.
Edhe kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj u ka bërë thirrje qytetarëve që ta nënshkruajnë peticionin, pasi peticioni është një e drejt demokratike që përdorët kur Qeveria vepron kundër interesit të qytetarëve.