Në harkun e dy ditëve në Maqedoni kanë ndodhur dy vrasje të bujshme, që kanë të bëjnë me pushtetin politik të shqiptarëve. i pari i vrarë në Kumanovë është një ish komandant i luftës pretendent për postin e kryetarit të partisë së Ali Ahmetit në Kumanovë.
I dyti që u vra sot në Strugë, Argëtim Hasani është po ashtu një personazh i njohur i botës politike në Maqedoni, ose më mirë ta përshkruaj si një personazh që lidh shumë klane politike mes shqiptarëve në Maqedoni.
Personalisht e kam takuar si gazetarë edhe me Menduh Thaçin dhe me disident të tij dhe me kundërshtarë të tij. Ka qenë fillimisht i afërt me Menduh Thaçin, pastaj me një kundërshtarë të tij brenda partisë dhe së fundmi me bashkiakun e Strugës.
Nëse ka një arsye të përbashkët përse vriten shqiptarë të tillë në Maqedoni është pikërisht mënyra se si e përdorin dhe përse u duhet pushteti shqiptarëve atje.
BDI si partia më e vjetër e shqiptarëve në pushtet, është kthyer në të vërtet në polin e vetëm të pushtetit për shqiptarët. Duke qenë parti që drejtohet nga një figurë autoritare pa shumë rregulla dhe me një pushtet personal në rritje, biznesi i vetëm i shqiptarëve që duan të kenë pushtet është të kapin këtë parti, degët e saj, ose postet kyçe të pushtetit që i ofrohen asaj për të fituar.
Mënyra se si pushteti i Gruevskit sillet me shqiptarët është po kaq poshtëruese dhe antiligjore. Ai e konsideron pjesën e pushtetit të shqiptarëve, jo si pjesë të pushtetit të tij, por si një geto që duhet ti bashkangjitet atij. Kështu ai e ndan atë dhe ua “fal” shqiptarëve, i bindur se më keq se ata nuk ka mundësi të sillet askush tjetër me shqiptarët.
Duke funksionuar si një qeveri geto, brenda qeverisë dhe më keq akoma, si një pushtet okult brenda një pushteti, po ashtu autoritar, lufta për të kapur pozicionet kyçe në këtë pushtet, është kthyer tashmë në një luftë për jetë a vdekje mes grupeve rivale shqiptare.
Kjo është një nga pikat më degraduese, ku e ka çuar politikën shqiptare mënyra se si pushteti maqedonas e përdor pjesën shqiptare. Por nga ana tjetër ky është dhe modeli më i shëmtuar, që shqiptarët demonstrojnë si standard të tyre për të qenë në pushtet.
Personalizimi i pushtetit të shqiptarëve në Maqedoni me Ahmetin, dhe në disa raste me Thaçin, kur ai ka pas shanse të ishte në pushtet, është aq i fort dhe i pakontestueshëm, saqë shikohet si alternativa e vetme për korrupsion, trafiqe, apo dhe karrierë politike.
Viktimat e luftës për pushtet po tronditin opinionin publik, jo aq shumë për emrat e përveçëm, por për nivelin se ku ka arritur konflikti brenda një segmenti të pushtetit të shqiptarëve në Maqedoni.
Mungesa e opozitës shqiptare që prodhon rrotacion, dhe mbajtja edhe e PDSH në dorë të një grupi që u siguron gjithnjë të qënit në opozitë, e ka bërë BDI e Ali Ahmetit dhe më tej shansin e vetëm për pushtet që duhet të prodhoj tashmë, ose karrige ose arkivol.
Ky është padyshim një turp jo vetëm pse po prodhon viktima njerëzore, por mbi të gjitha se po prodhon mungesë shprese dhe një model të shëmtuar pushteti, i cili duhet ndryshuar për të mirë të shqiptarëve.
Siç është sot modeli i pushtetit të shqiptarëve, është një model që ofron pushtet për korrupsion trafiqe dhe pushtet personal të liderit.
Ky përveçse është standard anormal për një shoqëri të lirë, është dhe standard degradues në raport me pjesën tjetër të shoqërisë maqedonase, e cila nuk është sterile nga këto vese, por nuk i ka deri në këtë shkallë. Brenda shqiptarëve të Maqedonisë, jo pa qëllim pushteti maqedonas toleron vese të tilla diskretituese për shqiptarët, duke filluar nga vjedhja e votave në zgjedhje e deri tek vrasja për një karrige kryetari partie lokale apo një post në një agjenci fitimprurëse.
Por më shumë fajtorë se sa ata që i nxisin këto, janë vet shqiptarët që i kanë kthyer në traditë të qeverisjes së tyre dhe në arsye të vetme përse u duhet pushteti në Maqedoni.
Dhe e gjithë kjo bëhet sidomos cinike, kur mendon se ata që kanë pushtetin, janë ata që morën armët për lirinë e shqiptarëve dhe tashmë i kanë futur mes këmbëve të pushtetit të tyre personal, duke u marrë dhe jetën për “idealet e tyre të larta”, të krimit korrupsionit, trafiqeve dhe pazareve politike.