libri-i-zene-robMbi vëllimin me poezi ”I zënë rob” të autorit Rifat Stankaj

Shkruan Dr. Bahri Brisku

Libri ”I zënë rob” është vepër autobiografike në të cilën autori personifikon vetveten. Gjatë vërshimit të emocioneve duke kujtuar fëmijërinë dhe rininë në vendlindje, e kaplon mërzia pesimiste duke e parë veten në dimensionin e tretë ”I zënë rob” në jetën mërgimtare. Kjo vepër posedon vlera origjinale artistike. Libri është i ndarë në katër pjesë, të cilat janë ngusht të lidhura me subjekte bashkëkohore.

Në pjesën e parë, në mënyrë të thellë artistike pasqyron Kronikën e Montehess- it, i cili është qyteti ku gjallon në mërgatë. Në këtë cikël të poezive, autori Rifat Stankaj ka krijuar vargje me peshë të veçantë artistike. Vargjet e para ia kushton vendlindjes – Ulqinit:

Dashuria e vërtetë nuk vdes kurrë
O Ulqin, këtë nuk mund ta fsheh
Robi yt i përjetshëm jam!

Në këtë pjesë të këtij cikli të krijimeve poetike, Rifatit i gufojnë preokupimet imagjinative:

Gjatë udhëtimit për mërgim
Zgjohen ndjenjat atdhetare
Për viset që mbesin mbrapa!

Poeti Rifat Stankaj këtë vepër e ka botuar në dy gjuhë (shqip dhe malazezçe). Kjo vepër, siç thamë e përbërë prej katër cikleve, në vete numëron 68 poezi. Të gjitha këto krijime shpirtërore artistike dëshmojnë qartas që preokupimet e poetit Rifat Stankaj janë vlera identike të masës së gjerë shqiptare, në mënyrë të veçantë të popullatës së Ulqinit, e cila nga pushtetmbajtësit është lënë totalisht pas dore!

Vargjet e poezive janë të larmishme dhe artistike. Poeti komunikon lirisht me popullatën e Ulqinit duke i kritikuar me sarkazma të fuqishme pushtetarët që shkatërruan Kriporen, duke i lënë disa qindra familje pa mundësi jetësore.

Në tokën e të parëve të mi
Ndodhin çudira të ndryshme!

Poeti ulqinak me të madhe i ironizon shkatërruesit e kapaciteteve turistike në Ulqin duke iu trasuar të rinjve rrugën e mërgimit! Poeti me një shkathtësi të qëlluar poetike cekën qëllimet karakteristike të ndërmarrjes “Të mirat detare”, e cila me plaçkitjet që iu bën ulqinakëve, ndërton Budvën. Poeti me të drejtë citon deklaratën e kryetarit Cungu:

Ne i kemi duart e lidhura dhe
Çelësin e kemi humbur.

Kjo dëshmi që Ulqini është bërë pronë e pushtetarëve të cilët kanë arritur që të shesin pronat e këtij qyteti të lashtë dhe paratë e hoteleve, trojeve, Valdanosit, Kripores, i keqpërdorin për nevoja të veta personale. Tani janë në pritje të shitjes së Valdanosit, Plazhit të Madh, të Adës së Bunës! Të gjitha këto mjete financiare që sigurohen nga shitjet në Ulqin, shkojnë për investime në rajonet tjera të Malit të Zi, kurse rruga Ulqin-Sukubinë ka nisur të ndërtohet tash gjashtë vite dhe ende nuk është përfunduar!

Poeti Rifat Stankaj këto vlera poetike i ka krijuar në mërgim, prandaj janë të brumosura me nostalgji patetike. Tematikë primare e këtyre vargjeve janë thirrjet popullatës që të ngrihet kundër padrejtësive që iu është bërë dhe po i bëhet vendlindjes së tij. Vargjet në këtë vepër janë kryesisht monokolone, por ka edhe disa poezi strofike. Kryesisht janë të kuptueshme dhe nuk vuajnë nga modernizmi i mbylljes hermetike.

Autori Rifat Stankaj u lind në Ulqin më 1967. Që në fëmijëri ka shfaqur afinitet për art-letërsi dhe sport. Ai ka luajtur në të gjitha kategoritë e futbollit në Ulqin, por edhe në boks ka arritur rezultate të larta. Në kategorinë e kadetëve ishte kampion i Malit të Zi. Në ish Jugosllavi, në kategorinë gjysmë të rëndë, zuri vendin e dytë.

Më 1990 migroi në Gjermani ku gjithashtu merret me sportin e boksit. Atje fitoi licencën për trajner, hapi palestrën e vet në të cilën u mor me stërvitje edhe të profesionistëve.

Rifati, preokupimet dhe talentin ndaj poezisë asnjëherë nuk e ka anashkaluar përkundër angazhimeve të tjera jetësore. Ai ka në dorëshkrim edhe një mori krijimesh poetike që dëshmon se së shpejti nga Rifati do të botohen edhe vlera të tjera poetike.

Veprën e tij ”I zënë rob”, së bashku me cilësitë e vlerave të qëndrueshme artistike, ia propozova Ministrisë së Arsimit të Malit të Zi, që ta marrin parasysh dhe ta vendosin në programin e gjuhës së shkollave shqipe të këtij vendi. /Koha Javore/

By admini