
Këshilltari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve në Kuvendin Komunal të Ulqinit, Arben Tafa, ka reaguar publikisht në rrjetin social facebook lidhur me propozimin për mbulimin e detyrimeve tatimore të KF Otrant-Olympic në vlerë prej rreth 572 mijë eurosh.
Sipas Tafës, Këshilli për Financa, me katër vota pro, një kundër dhe një të përmbajtur, ka dhënë dritën e gjelbër që kjo çështje të procedohet në Kuvendin Komunal për votim, shkruan Ulqini Online.
Në reagimin e tij, Tafa veçon qëndrimin e përfaqësuesit të deleguar nga Komuna e Ulqinit në klub, Sabri Salaj i cili njëheri është nënkryetar i komunës, i cili, sipas tij, ka kërkuar që pika të mos procedohet më tej pa u paraqitur më parë përfaqësuesit e KF Otrant-Olympic për të dhënë sqarime lidhur me borxhin tatimor prej 572 mijë eurosh dhe gjendjen financiare të klubit.
Sipas Tafës, Salaj ka insistuar që para se çështja të mbërrinte në Kuvend, anëtarët e Këshillit për Financa të dëgjonin drejtpërdrejt shpjegimet e drejtuesve të klubit. Pa shpjegime për këtë, shumica vendosi që propozimi të vazhdojë procedurën dhe të dërgohet për miratim në Kuvendin Komunal.
Këshilltari i UDSH-së pretendon gjithashtu se një natë para mbledhjes është mbajtur një takim i shumicës, ku është arritur qëndrimi se nuk kishte nevojë që përfaqësuesit e klubit të paraqiteshin para Këshillit për Financa dhe se pika mund të vazhdonte drejt Kuvendit.
Postimi i Tafës ka hapur debat rreth nevojës për transparencë dhe llogaridhënie në rastet kur kërkohen mjete të konsiderueshme publike.
Tashmë mbetet të shihet nëse kjo çështje do të marrë mbështetjen e shumicës edhe në seancën e Kuvendit Komunal dhe nëse drejtuesit e KF Otrant-Olympic do të japin sqarime publike për detyrimet financiare që janë bërë objekt debati në opinion.
Nëse kjo shumë miratohet, atëherë mbështetja publike për Otrantin do të arrinte në afro 1,17 milion euro, duke përfshirë 600 mijë eurot e planifikuara në buxhet dhe 572 mijë eurot për mbulimin e borxheve tatimore.
