Nën qiellin veror të Ulqinit dhe hijen historike të bedenave të kalasë, këtë të martë, më 5 gusht, pritet të mbahet një ngjarje muzikore që premton emocione të veçanta: koncerti solistik i këngëtarit të njohur Armend Rexhepagiqi, i titulluar “Dashnija jonë e vjetër”, shkruan Ulqini Online.

Koncerti do të zhvillohet në një nga hapësirat më magjepsëse të qytetit – në zemër të kalasë së Ulqinit, ku muzika do të përqafojë historinë dhe detin. Artistin do ta shoqërojë një orkestër 12-anëtarëshe, nën dirigjimin e maestro Edon Ramadanit, duke i dhënë ngjarjes një dimension të veçantë artistik dhe emocional.

Vetë Rexhepagiqi e ka paralajmëruar koncertin përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka ftuar të gjithë artdashësit të jenë pjesë e këtij mbrëmjeje të paharruar:

“Ejani të këndojmë së bashku disa nga këngët që i duam të gjithë,” shkruan këngëtari, duke e cilësuar koncertin si një rikthim të dashurisë së vjetër me publikun e tij.

Koncerti organizohet nga Komuna e Ulqinit, me mbështetjen e Ministrisë së Diasporës, Organizatës Turistike dhe Qendrës për Kulturë. Kjo ngjarje është pjesë e programit kulturor të verës, që synon të pasurojë jetën artistike të qytetit dhe të sjellë më afër njëri-tjetrin banorët, turistët dhe komunitetin e diasporës.

Me një repertor të dashur për publikun shqiptar, dhe një skenografi që përshkon historinë e Ulqinit, koncerti pritet të jetë një nga kulmet e sezonit veror 2025.

By admini