Kabineti i kryetarit të Komunës së Ulqinit ka paralajmëruar organizimin e një ngjarjeje të rëndësishme për të ardhmen e qytetit: Forumi i Biznesit me temën “Ulqini dhe perspektivat e zhvillimit”, i cili do të mbahet në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës, shkruan Ulqini Online.

Ky forum ka për qëllim krijimin e një dialogu të qëndrueshëm dhe të strukturuar me diasporën ulqinake, duke synuar përfshirjen aktive të mërgimtarëve në proceset zhvillimore të qytetit. Përmes këtij formati, Komuna e Ulqinit shpreh vullnetin për të dëgjuar zërin, për të përfituar nga njohuritë dhe përvojat ndërkombëtare të qytetarëve të saj që jetojnë dhe veprojnë jashtë vendit.

“Ulqini ka një diasporë të fuqishme, e cila përveç kontributit të vazhdueshëm ekonomik, ka potencialin të ofrojë ide të reja, vizione bashkëkohore dhe lidhje të rëndësishme për zhvillim afatgjatë,” thuhet në njoftimin nga kabineti i kryetarit.

Forumi pritet të mbledhë përfaqësues të bizneseve lokale dhe ndërkombëtare, anëtarë të diasporës, ekspertë të zhvillimit ekonomik, si dhe përfaqësues të institucioneve publike dhe akademike. Diskutimet do të përqendrohen në mundësitë për investime, zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, përkrahjen e bizneseve të reja dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Ngjarja shihet si një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një partneriteti më të fortë me diasporën dhe si pjesë e strategjisë më të gjerë të Komunës për zhvillim të integruar dhe gjithëpërfshirës.

By admini