Dina dhe Ahmet Kurmemaj

Nga janari 2022 deri korrik 2025, çifti shqiptar Dina dhe Ahmet Kurmemaj, të cilët jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë kontribuar nëpërmes Fondacionit Trojet tona me mbi 630,000 dollarë amerikanë për qëllime humanitare dhe zhvillimore në Mal të Zi, ndërsa në vitin 2010 kishin dhuruar edhe mbi 200,000 dollarë për rajone të ndryshme si Podgorica, Nikshiq, Tivar, Bijelo Polje e Danilovgrad. Zemërgjerësia e tyre ka lënë gjurmë të thella në kujdesin shëndetësor, ndihmën për komunitetet dhe ruajtjen e lidhjes shpirtërore me vendlindjen, shkruan Ulqini Online.

Një rrugëtim që fillon nga Ana e Malit

Ahmet Kurmemaj lindi në Tivar më 1965, ndërsa rrënjët i ka nga fshati Krythë (Ana e Malit). Familja e tij u shpërngul në SHBA kur ai ishte vetëm 5 vjeç. Aty përfundoi kolegjin për biznes dhe themeloi kompaninë e njohur ndërkombëtare të logjistikës Kayla Logistics Corps, me degë në Frankfurt e Hong Kong. E shoqja, Dina, me origjinë nga fshati Mërkot, gjithashtu ka luajtur rol kyç në iniciativat bamirëse dhe në jetën e përbashkët në SHBA.

Ndihmë për fëmijët me diabet tip 1

Në fund të vitit 2023, përmes fondacionit “Trojet Tona”, çifti Kurmemaj dhuroi 70,000 euro për 70 fëmijë dhe të rinj me diabet tip 1, nga komunat Tivar, Ulqin, Plavë, Guci dhe Rozhajë, për blerjen e sensorëve modernë që mundësojnë matjen e vazhdueshme të nivelit të sheqerit në gjak. Kjo ishte dhurata e tyre e dytë për të njëjtin qëllim brenda një viti, do të shkruante AntenaM.net.

Donacioni për Spitalin e Përgjithshëm të Tivarit

Në fillim të vitit 2024, Dina dhe Ahmeti dhuruan 150,000 euro për Spitalin e Tivarit. Donacioni përfshinte:

  • 40,000 euro për blerjen e një autoambulance moderne,
  • 47,000 euro për tavolinë operacioni,
  • pajisje për fizioterapi, repartin e fëmijëve, reanimacion, ultrazë dhe rehabilitim.

Ky donacion e përmirëson ndjeshëm cilësinë e shërbimeve mjekësore për mijëra pacientë në rajon, shkruante në kohën e dhurimit të donacionit Barinfo.

Ashensor modern për Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin

Një tjetër kontribut i rëndësishëm i realizuar përmes fondit “Trojet tona” ishte financimi i ashensorit modernShtëpinë e Shëndetit në Ulqin, me një kosto prej 68,000 euro. Pajisja moderne përmirëson ndjeshëm aksesin për pacientët dhe personelin, veçanërisht për ata me mobilitet të kufizuar. Projekti u përurua në praninë e drejtuesve lokalë dhe përfaqësuesve të diasporës shqiptare.

Bursa studentore

Gjatë gjithë kësaj kohe ky çift ka kontribuar për bursat studentore të cilat i organizonte dhe i shpërndante Fondacioni Trojet tona. Shuma ndër vite e dhënë për këtë qëllim ka qenë relativisht e respektueshme. Njëjtë si viteve të kaluara ata kontribuan edhe vitin e fundit akademik 2024/25, shkruan Ulqini Online.

Kontribut i hershëm dhe i vazhdueshëm

Në vitin 2010, familja Kurmemaj kishte dhuruar mbi 200,000 USD për institucione sociale në Podgoricë, Nikshiq, Bijelo Polje dhe Danilovgrad, përmes fondacionit të tyre “Kayla & Jenna Kurmemaj”, shkruan webaqja zyrtare e qeverise së Malit të Zi Gov.me.

Gjatë gjithë këtyre viteve, donacionet kanë kaluar vlerën e 630,000 USD, duke përfshirë ndihma për qendrat e të moshuarve, institucione për fëmijët me nevoja të veçanta dhe projekte të tjera edukative e shëndetësore.

Vlerësime dhe nderime

Në vitin 2023, Dina dhe Ahmeti u shpërblyen me çmimin prestigjioz për filantropi “Iskra”, dhënë nga Fondi për Aktivno Građanstvo – fAKT. Ky vlerësim shënon një mirënjohje publike për ndikimin e tyre pozitiv në jetët e qytetarëve malazezë, shkruante Aktuelno.me.

Një mesazh shprese dhe lidhjeje me vendlindjen

Kontributi i familjes Kurmemaj nuk është thjesht financiar. Ai është një shembull i shkëlqyer i asaj se si diaspora shqiptare mund të japë ndikim të drejtpërdrejtë dhe të prekshëm në zhvillimin e komuniteteve tona. Me gjuhën e zemrës dhe fuqinë e dashurisë për vendlindjen, Dina dhe Ahmeti janë bërë një simbol i shpresës dhe përkushtimit.

By admini