Katërkollë, Anë e Malit – Në një ceremoni të organizuar në Katërkollë të Anës së Malit, Fondacioni “Trojet Tona”, në bashkëpunim me Fondacionin “Lukaj”, familjet Hajdari dhe Kurmemaj, Fondacionin “Plavë e Guci”, Shoqatën “Ana e Malit” dhe donatorë të tjerë, ndau bursa për 61 studentë për vitin akademik 2024/2025, shkruan Ulqini Online.

Kjo është hera e pestë radhazi që realizohet ndarja e bursave studentore nga ky fondacion. Shuma totale e ndarë këtë vit kap vlerën prej 60 mijë eurosh. Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit të drejtën për të aplikuar për bursë e kishin të gjithë studentët nga Komuna e Ulqinit, si dhe nga trevat shqiptare të Plavës, Gucisë dhe Rozhajës.

Në ceremoni morën pjesë edhe përfaqësues të Fondacionit “Trojet Tona” nga ShBA, z. Nail Ibroçi dhe z. Zaim Halili, si dhe aktivistet e fondacionit në vendlindje: Vjollca Lika Çobaj, Hajredin Zeneli, Shaban Prelvukaj, Hajredin Veliu dhe Valdet Kurti.

Para ndarjes së bursave përfaqësuesi i Fondacionit Trojet tona në vendlindje z. Valdet Kurti, prezantoi edhe të dhënat e detajuara të shpërndarjes së bursave ndër vite.

Statistikat e bursave ndër vite sipas vitit akademik:

  • 2020/2021: 78 studentë – 36,400 $
  • 2021/2022: 49 studentë – 30,500 €
  • 2022/2023: 58 studentë – 38,500 €
  • 2023/2024: 50 studentë – 34,500 €
  • 2024/2025: 61 studentë – 60,000 €

Përgjatë këtyre pesë viteve, Fondacioni “Lukaj”, përmes Vjosa dhe Richard Lukaj, ka mbuluar 50% të shumës totale të bursave. Kontribut të rëndësishëm kanë dhënë edhe Familja Hajdari, me znj. Maargaret Hajdari, si dhe Dina dhe Ahmet Kurmemaj, të cilët janë përkrahës të rregullt të studentëve.

Për vitin aktual, donatorët kontribuan në mbledhjen e fondeve në këtë mënyrë:

  • Fondacioni Lukaj: 50%
  • Familja Hajdari: 16%
  • Dina dhe Ahmet Kurmemaj: 13%
  • Fondacioni Plavë e Guci: 7%
  • Shoqata dhe donatorë të tjerë: 14%

Në përmbyllje të ceremonisë, të gjithë studentët përfitues morën bursat e tyre, duke u bërë pjesë e një nisme që tashmë është shndërruar në traditë të rëndësishme për përkrahjen e të rinjve shqiptarë në arsim.

By admini

Leave a Reply