Nga Ali Salaj

Ligji për menaxhimin e ndërmarrjeve dhe pronave publike parashikon depolitizimin dhe profesionalizimin e tyre duke eliminuar çdo emërim politik për drejtorët dhe bordet (këshillat drejtuese). Ky ligj është detyrim nga ana e Bashkimit Evropian në procesin e anëtarësimit dhe të reformës në Malin e Zi. Përmirësimi i këtij kuadri rregullator duhet të përmbyllet deri në fund të këtij viti, sipas rekomandimit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Kjo nënkupton se marrja e parave nga fondet e BE-së për ndërmarrjet publike do të varen nga përmbajtja e këtyre detyrimeve. Rekomandimi përfshin edhe  ndërmarrjet publike në kuadër të pushtetit vendor, siç janë ndërmarrjet në Ulqin dhe Tuz të Malësisë, të cilat sipas të dhënave zyrtare, janë të ngulfatura nga punësimet partiake.

Komuna e Ulqinit dhe Tuzit kanë disa ndërmarrje publike lokale, të cilat për shkak të klientelizmit politik i karakterizojnë efektet negative në punë, nuk janë  funksionale dhe larg profesionalizmit. Punësimi i militantëve partiakë në institucionet publike ka qenë dhe mbetet vazhdimësi te të gjitha partitë politike të cilat vijnë në  pushtet. Të gjitha koalicionet në pushtetin qendror dhe vendor e kanë ndjekur dhe vazhdojnë ta ndjekin  këtë praktikë. Në çdo palë zgjedhje stërngarkohet administrata me këtë formë të punësimit, praktikë kjo që shtrihet nga administrata lokale e deri tek ndërmarrjet publike. Si pasojë e kësaj, punësimet e reja keqëpërdoren për motive politike gjatë garave zgjedhore. Është interesant se përzgjedhja e militantit bëhet sipas kapacitetit të akumulimit (blerjes) së votave në zona të caktuara.

Komuna e Ulqinit  dhe e Tuzit kanë dhjetëra ndërmarrje të rëndësishme  për zhvillimin e ekonomisë vendore siç janë “Agjencia për Ndërtim dhe Zhvillim”, SHPK “Ujësjellës-Kanalizim”, “Ndërmarrja për Ruajtjen dhe Kultivimin e Egërsinave”, “ Organizata Turistike”, QKI “Malësia”, “Qendra për Kulturë-Ulqin”, “Veprimtaria Komunale” Ulqin dhe Tuz etj.,të cilat janë shndërruar në seli partiake. Sipas disa treguesve dalin në pah anomalitë që i karakterizon emërimi i drejtorëve, të cilët të gjithë janë kuadro të rëndësishme partiake që kanë një hierarki në parti, por që nuk kanë përvojë përkatëse për atë vend të rëndësishëm në ndërmarrje. Këto emërime bëhen me rekomandimet e partive politike përkatëse, pa marrë parasyshë përvojen dhe aftësitë e tyre profesionale.Kemi raste kur drejtor bëhen persona pa asnjë ditë përvojë pune, siç janë rastet e drejtorëve të ndërmarrjes për “Ruajtjen dhe Kultivimin e Egërsinave” apo të Qendrës për Kulturë.

Edhe Këshillat drejtuese që përcaktojnë orientimin e ndërmarrjes dhe sigurojnë urën me themeluesin nuk i përmbushin kriteret më themelore. Në të gjitha këto këshilla drejtuesë janë instaluar personat partiakë pa përvojë në fushëveprimin e punës së ndërmarrjes dhe pa aftësi përkatëse në menaxhimin e ndërmarrjes. Nëse i analizojmë anëtarët e të gjitha këshillave drejtuese ( bordeve) nuk do ta gjenim asnjë person që nuk i përket partive përkatëse dhe i cili do të ishte ekspert i një fushe të caktuar. Të gjithë, pa asnjë përjashtim, i përkasin atyre partive politike që mbajnë pushtetin si  në Ulqin ashtu edhe  në Tuz. Gjithçka fillon me votën, kur zgjedhësit në këmbim të saj, i premtohet përfitimi material dhe trajtim të veçantë apo të privilegjuar. Këshillat drejtuese të zgjedhur në këtë mënyrë, jo që nuk i zgjidhin problemet me të cilat ballafaqohet ndërmarrja, por ato i thellojnë më shumë, duke lejuar punësimet e militantëve të tyre partiakë. Disa prej këtyre punëtorëve janë në listë të rrogave, pa shkuar asnjë ditë në punë, siç është rasti i dhjetëra “punëtorëve” në SHPK “Ujësjellës- Kanalizimi” në Ulqin.

Për këtë arsye janë të nevojshme reformat thelbësore për të luftuar nepotizmin dhe klientelizmin duke futur kritere të qarta në përzgjedhjen e drejtorëve dhe të anëtarëve të bordit. Kjo reformë do të përcaktonte kushte profesionale për emërimin e kandidatëve, të cilat do të luanin një rol të rëndësishëm në stimulimin e zhvillimit ekonomik në Ulqin dhe Tuz. Depolitizimi i ndërmarrjeve publike dhe largimi i drejtorëve politikë do të promovonte menaxhimin e drejtë, efikas dhe transparent të kompanive me fokus në profesionalizëm, gjë e cila ishte një dobësi veçantë e realitetit tonë.

By admini