xheladin zeneli

Nga Xheladin Zeneli

Pas gjendjes së krijuar kohëve të fundit me tenderin e NP ‘Të Mirat Detare ‘ lidhur me plazhat në Ulqin, mendoj se ia vlen të bëhet një analizë e shkurtë asaj se  cili është burimi i të gjithave të këqiave kur është në pyetje ekonomia turistike e këtij qyteti dhe si në vazhdimësi është vepruar dhe po veprohet kundër interesave të këtij vendbanimi me shumicë shqiptare.

Edhe përkundër faktit se Ulqini është qyteti dhe komuna e cila ka resurse dhe kapacitetete të mëdha natyrore, të pakrahasueshme me komunat e tjera në Mal të Zi, vazhdon të jetë një ndër komunat më të pazhvilluara në këtë shtet. Ulqini ka vijën më të gjatë  bregdetare në krahasim me qytetet e tjera në Mal të Zi, e cila e predispozicion këtë qytet që të jetë një ndër komunat më të zhvilluara turistike në Mal të Zi, por sipas shumë indikatorëve ekonomik, ky qytet është prapa qyeteteve të tjera bregdetare si Tivari, Budva, Kotorri e Herceg Novi.

Si e legalizoj pushteti qendror plaçkitjen e zonës bregdetare të Ulqinit


Dëmi më i madh ekonomik që iu është shaktuar Ulqinit tash më shumë se tre dekada, i ka ardhur nga  ‘Ligji i të Mirave Detare’, ( i aprovuar në parlamemtin e Malit të Zi në vitin 1992) përmes të cilit rreth 13% e territorit të Kumunës së Ulqinit është shndërrar në pronë administrative shtetërore. Sipas  ligjit në fjalë qeverisë lokale nuk iu lejojet që të administrojë me pjesën më të mirë të vijës së vet bregdetare . Padrejtësia qendron në ate se bregdeti i Ulqinit përbën 17.4 % e bregdetit të përgjithëshëm të Malit të Zi, por pjesa e territorit të kësaj komune që i takon territorit të të ‘Mirave Detare’ është 57.32% , çka e pozicionon këtë komunë në garë të pabarabartë drejt përparimit ekonomik,me komunat e tjera në Mal të Zi. NP ‘Të Mirat Detare’ me seli në Budva ka mbledhur dhe përfituar në formë tatimeve dhe të ardhurave të tjera financiare me dhjetra miliona euro ,gjatë tre dekava të fundit ,nga bregdeti i Ulqinit dhe ka kthyer shumë pak prapa në formë investimesh.Pra , ligji  i ashtuquajtur i të ‘Mirave Detare’ de fakto ka   bërë legalizimin e plaçkitjes së resurseve të bregdetit të Ulqinit. 

Vlen të theksohet gjithashtu se ‘Ligji për të Mirat Detare’ është në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi, kokretisht kundër nenit 116 dhe 117 të saj ku flitet për kompetencat dhe pavarësinë e qeverisjes  lokale (komunave). Njëkohësisht ky ligj është edhe kundër të drejtave për vetëqeverisjen lokale të Kartës Europiane.

Pushtetet e Malit të Zi, kundër interesave të Ulqinit, në vazhdimësi !

Pa marrë parasysh kush  vjen në pushtet dhe kush drejton me qeveri, Ulqini trajtohet në mënyrë të pabarabartë në vazhdimësi. Ishte pushteti 30-veçar i DPS-it ( Partisë Demokratike të Socialistëve) gjatë së cilës kohë është aprovuar ‘Ligji për të Mirat Detare ’ dhe  gjthashtu gjatë pushtetit të saj janë shkatërruar hotelet emblematike të tij për tu mos rindërtuar kurr deri më sot. Edhe pushteti i ri, i udhëhequr nga PES-i ( Levizja ‘ Eurapa Tani’) po ndjek rrugën e paraardhësve të tyre në raport me Ulqinin duke uzurpuar,shfrytëzuar dhe përfituar nga resurset e tij natyrore.Pra si para vitit 2020 ashtu edhe ma pas kur erdhi deri te ndryshimi i pushtetit në Mal të Zi, është ndjekur dhe gjithënjë vazhdon të ndjeket politikë e njëjtë ndaj Ulqinit.

Gjatë periudhës së tre dekadave, Ulqinit iu është premtuar shumë në aspkektin e zhvillimit ekonomik dhe turistik të tij, por në realitet deri më sot nuk është bërë asgjë. Ulqinit iu janë bërë ‘master plane’ të ndryshme dhe pushtetarët kanë folur shpeshëherë për investime kapitale, me deklarata pompoze të tyre se  si Ulqini do të bëhet si ‘ Dubai’ etj. por për fat të keq ky qytet vazhdon të jetë në pritjen gjatë të lulëzimit të vet ekonomik dhe turistik që e meriton.

Kur për një kohë të gjatë pushteti qendror udhëheq  një politikë degresive ndaj Komunës së Ulqinit, atëherë me të drejtë qyetarët e kësaj komune pyesin se a i intereson Pogoricës zhvillimi ekonomik i Ulqinit apo shfrytëzimi i resurseve natyrore të tij ?

Pra, janë premtimet boshe si dhe dështimet e shpeshta, në të kaluarën të investuesëve të huaj në Ulqin që ka ndikuar te qytatarët e kësaj komune ta shohin me skepticizëm dhe me rezervë çdo investues të radhës që Podgorica sjellë në qytetin e tyre.

Vendimi i njëanshëm i NP ‘Menaxhimi i të Mirave Detare’  për dhënien me qira të plazhave të Ulqinit një investitori nga Emiratet e Bashkuara, duke iu mohuar të drejtën  qiramarrësve  vendas për të vazhduar me menaxhimin e plazheve të cilat i kanë menaxhuar vite me radhë, flet më së miri se ky pushtet (ashtu si edhe pushtetet e mëparshme të Malit të Zi), veprojnë kundër interesave jetike të  qytetarëve të këtij qyteti.

Pushteti lokal i Komunës së Ulqinit, qytetarët, veçanarisht ata që janë dëmtuar nga tenderi i fundit i plazhave, tani me të drejtë po kërkojnë anulimin e këtij tenderi , por njëkohësisht ata dhe jo vetëm ata,  duhet që të kërkojnë njëzëri dhe fuqishëm anulimin e ‘Ligjit për të Mirat Detare’, si diçka që i ka sjellur vetëm të këqia këtij qyteti.

Mars 2025

By admini

Leave a Reply