Ulqini nderoi sot Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, me një pritje ku ishin drejtuesit vendorë, përfaqësues të forcave të ndryshme politike, aktivistë e qytetarë shqiptarë.

Kryetari i Bashkisë, Genc Nimanbegu, i prezantoi Presidentit të Republikës arritjet e shqiptarëve etnikë në Ulqin në rrafshin politik dhe projektet që do ta fuqizojnë më shumë ekonomikisht këtë zonë.

Presidenti i Republikës çmoi kontributin e çdonjërit prej tyre dhe shprehu vlerësimin për arritjet  në sajë të përkushtimit dhe presionit pozitiv pranë autoriteteve malazeze.

Presidenti Begaj u shpreh se hapja e Konsullatës së Përgjithshme në Ulqin është një vlerësim si kryerje në nder të shqiptarëve në Mal të Zi dhe në përgjigje të kërkesës së tyre.

Kreu i Shtetit theksoi nevojën për avancimin e projekteve ndërrajonale dhe ndërkufitare me Malin e Zi, duke i vlerësuar ato si një hap që do të nxisë zhvillimin ekonomik.

Sipas Presidentit të Republikës, ndërtimi i urës që do të lidhë Velipojën me Ulqinin, do të shkurtojë ndjeshëm distancën dhe do të mundësojë krijimin e një boshti ekonomik, turistik dhe shoqëror Shkodër – Lezhë – Ulqin: “Kështu do të shkëmbehemi më shumë me njëri-tjetrin, do të komunikojmë më shpejt e më shumë, do të sjellin zhvillim ekonomik e prosperitet për qytetarët shqiptarë nga të dyja anët e kufirit.”

Paralelisht me avancimin e projekteve ndërkufitare, duke theksuar ndërlidhjen përmes gazsjellësit TAP, ndërtimin e linjës hekurudhore Shqipëri – Mali i Zi, zbatimin e projektit të Autostradës Adriatiko – Joniane, Presidenti i Republikës u shpreh se duhet të intensifikohet bashkëpunimi për realizimin sa më shpejt të këtyre projekteve me Malin e Zi.

Gjatë qëndrimit në Ulqin, Presidenti i Republikës vizitoi dhe Qendrën e Shkencës dhe Inovacionit, e cila sapo është hapur dhe ofron për nxënësit kurse shkencore dhe mjete teknologjike të gjeneratës se re. Në Librarinë e Ulqinit Presidenti Begaj dhuroi disa botime historike dhe libra për fëmijë, duke u zotuar se do të vijojë kontributin për ruajtjen e gjuhës shqipe në trojet etnike të shqiptarëve dhe në të gjitha vendet ku ata jetojnë për promovimin e kulturës dhe identitetit shqiptar. Presidenti i Republikës ritheksoi gatishmërinë e tij dhe të institucioneve shqiptare për t’i mbështetur fuqimisht shqiptarët në Malin e Zi.

“Besoj se faktori shqiptar politik në Malin e Zi duhet të jetë bashkë, duhet të jetë bashkë për identitetin tonë”, – ishte mesazhi që Presidenti i Republikës përcolli nga Ulqini në mbyllje të vizitës së tij zyrtare në Mal të Zi. /president.al/

By admini