Ilustrim: Radio Ulqini

Një hap drejt mbylljes së medias të rëndësishme lokale

Shndërrimi i radios lokale në një studio për televizionin qendror të Malit të Zi do të ishte shembulli më i keq dhe unik për një komunitet, të cilit siç duket  i mungon  kultura mediatike. Pa media lokale nuk mund të kemi një shoqëri vërtetë demokratike, pasi vetëm këto media nxisin angazhimin qytetar dhe parashtrimin e kërkesave dhe të kritikave. Poashtu mediat lokale krijojnë ndjesinë e përkatësisë, sepse mediat qendrore, siç është RTMZ, kurrë nuk ka interes të përpunojë informacionet me rëndësi të veçantë për komunitetin lokal.

Nga Ali Salaj

Përmes disa burimeve të sigurta kuptova se përfaqësuesit e Radio Televizionit të Malit të Zi, të shoqëruar nga zyrtarët vendor të Ulqinit, po bëjnë përpjekje që Radio (Televizionin) e Ulqinit ta shndërrojnë në një  studio të tyre duke e mbyllë përfundimisht këtë media  lokale.

Në këtë mision është përfshirë drejtëpërdrejtë drejtori i TVMZ, Boris Raoniq, i cili nga shoqëria civile katapultoi si drejtor gjeneral në median publike më të rëndësishme në Mal të Zi.

Pse u krijua ky vakum që mbyllja e një radio lokale nuk paraqet më lajm dhe as shqetësim për qytetarët e Ulqinit? A është  realiteti në këtë vend pasqyrim i mediave në gjuhën shqipe, të cilat as për së afërmi nuk e luan rolin e vet?!

Në harkun kohorë prej gati 4 dekadash Radio Ulqini u përball me probleme të shumta financiare dhe organizative. U mbyt në batakun e menaxhimit të dobët ku mungoi gazetaria profesionale dhe mungoi një skemë me përmbajtje bashkëkohore programore. Me shpejtësi u shndërrua në një studio partiake duke u përqendruar në publikimin e kumtesave dhe në raportime të shtirura që nuk kanë dobi për publikun. Ndëgjuesit nuk kishin qasje në informacione të besueshme dhe të vërteta. Radio Ulqini nuk arriti të rimëkëmbet dhe të  shfrytëzojë plotësisht mundësitë e transformimit dixhital dhe të mbështesë më tej pluralizmin mediatik.

Kësisoji qytetarët u privuan nga informacionet e rëndësishme që ndikojnë në cilësinë e jetës në nivel lokal, prandaj ata nuk e vlerësuan radion si një transmetim lokal publik.

Në anën tjetër me Ligjin për mediat elektronike pushteti vendor edhepse kishte detyrim financimin dhe zhvillimin e radios, ata favorizuan një media private (TV Teuta) duke derdhur me qindra mijëra euro për transmetimin e seancave të Kuvendit vendor, për marketing ose për debatet zgjedhore partiake.

Duke vepruar në këtë mënyrë përfaqësuesit politikë e degraduan të vetmen media lokale duke bërë përpjekje për ta lënë me qëllim në batakun e krijuar. Edhe ndaj përpjekjeve serioze për ta shndëruar këtë radio në televizion (kur u gjetën donatorët, u përpilua elaborati me të gjitha elementet për  ndërtimin e televizionit) një grupim politik por edhe një pjesë e stafit të kësaj medie e kundërshtuan këtë ide duke bërë një fushatë në opinion dhe në një portal partiak të asaj kohe “Lajmi.me”.

Prandaj shndërrimi i radios lokale në një studio për televizionin qendror të Malit të Zi do të ishte shembulli më i keq dhe unik për një komunitet, të cilit siç duket  i mungon  kultura mediatike. Pa media lokale nuk mund të kemi një shoqëri vërtetë demokratike, pasi vetëm këto media nxisin angazhimin qytetar dhe parashtrimin e kërkesave dhe të kritikave. Poashtu mediat lokale krijojnë ndjesinë e përkatësisë, sepse mediat qendrore, siç është RTMZ, kurrë nuk ka interes të përpunojë informacionet me rëndësi të veçantë për komunitetin lokal. Është shumë e nevojshme të kemi media të lira, të pavarura, lokale, sepse ato e ruajnë rrënjësisht demokracinë dhe janë më pak të ndjeshme ndaj ndikimit të pushtetit qendror. Në vendet më të zhvilluara, janë mediat lokale ato që lexohen, dëgjohen dhe shikohen më shumë.

Në Mal të Zi ka me dhjetëra media lokale, të cilat janë tranformuar dhe po luajnë një rol të rëndësishëm në informimin e publikut. Ata e kanë kuptuar se në procesin e integrimit evropian kërkohet që mediat të jenë të lira duke përfshirë këtu edhe mediat lokale.Dhe në këtë situatë ata do të kenë përfitime të jashtëzakonshme nga ky  proces.

Ndërkohë mediat në gjuhën shqipe në vazhdimësi po degradohen. Kështu para shumë vitesh u mbyll shtojca në gjuhën shqipe “Polis”, që ishte një segment i rëndësishëm informativ për banorët e Malësisë. Dhe si kompenzim zyrtarët e Podgoricës premtuan se  në Tuz do të hapnin një radio lokale, ku  ky premtim nuk u realizua asnjëherë. Është e çuditshme dhe e pakuptueshme se sa lehtë përfaqësuesit politikë të shqiptarëve heqin dorë  nga mediat në gjuhën e pakicave. Shndërrimi i Radio Ulqinit në studio të RTMZ do të ishte një gabim i rradhës që do të rrezikonte informimin e mirëfilltë dhe do të ndikonte negativisht në identitetin kombëtar, gjuhësor dhe kulturor të qytetarëve në Komunën e Ulqinit.

By admini