Nga Ismet Kallaba
Kur para disa vitesh pata lexuar një reportazh për Parisin, ku thuhej se turistët nuk janë të mirëpritur, për të mos thënë se janë të përbuzur nga banorët vendas, isha çuditur se si ka mundësi që turistët të cilët gjenerojnë të ardhura të mëdha përgjatë gjithë vitit të shikohen me sy të keq nga parisienët!
Por nuk më është dashur shumë kohë, mbase vetëm ndonjë vit, bazuar edhe në përvojën personale, për të kuptuar hallet e parisienëve dhe të qyteteve të tjera ku turizmi i pakontrolluar është bërë barrë për banorët vendas.
Shembulli më i mirë për këtë janë Mali i Zi, Shqipëria dhe ndonjë vend tjetër i rajonit, të cilët për çdo sezon përballen me probleme të njëjta, të cilat, në vend të zgjidhjes sa vijnë e shtohen. Kështu sezoni i sivjetshëm turistik ka shpërfaqur të gjitha dobësitë e turizmit te ne.
Infrastruktura është parakusht për zhvillimin e ekonomisë, sidomos për zhvillimin e turizmit. Për të qenë realistë, Ulqini dhe qytetet e tjera bregdetare në Malin e Zi nuk e kanë infrastrukturën e nevojshme bazë për zhvillimin e turizmit. Shumëfishimi i numrit të banorëve gjatë muajve të verës krijon probleme pothuajse në çdo segment të jetës, duke filluar që nga qarkullimi rrugor, pritjet e mëdha në vendkalimet kufitare etj. Për të përshkuar një relacion të duhet minimumi dy-tri herë më shumë kohë sesa koha e zakonshme, për të shkuar dhe për t’u kthyer nga plazhi duhet të lusësh Zotin të mos qëllosh në kolonë, sepse përndryshe… Kam dëgjuar një histori të vërtetë të një bashkëvendësit tonë, të cilit sivjet në verë i është dashur më tepër kohë të vijë nga aeroporti në Çilipi (Dubrovnik) deri në Ulqin, pra vetëm 150 kilometra distancë, sesa nga SHBA-ja deri në Dubrovnik! O tempora, o mores!
Turizmi është një fushë shumë e ndjeshme! Turistët vijnë për t’i kaluar pushimet, kohën e tyre më të shenjtë, për t’u çlodhur, argëtuar etj. Por shpesh ata në vend të pushimit dhe çlodhjes, stresohen nga kaosi që ekziston te ne – në trafik, në urbanizëm, mungesë të infrastrukturës dhe të vendparkimeve, zhurma e muzikës në orët e vona të natës etj. Për këto dhe shumë arsye të tjera, turizmi është bërë barrë për qytetarët vendas, sidomos për ata që nuk përfitojnë dhe nuk merren drejtpërdrejt me turizmin, të cilët ballafaqohen me probleme të ndryshme të mosfunksionimit normal të qytetit.
Që të mos keqkuptohem, nuk e kanë fajin turistët! I gjithë faji dhe përgjegjësia është e pushtetarëve që gjatë viteve të “demokracisë” kanë keqqeverisur qytetin. E gjithë kjo situatë është pasojë e mospasjes së vizionit, ose e mosdashjes së qeveritarëve për zhvillimin urban të qytetit!
Që prej dhjetëra vitesh nga drejtuesit e Komunës së Ulqinit përsëritet refreni i njëjtë për ndërtimin e pjesës prej vetëm disa qindra metrash të Bulevardit “Nënë Tereza” që do të lidhte Bulevardin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” dhe Bulevardin “Teuta”. Por vitet kalojnë e në horizont nuk shihet asnjë ndryshim!
Kot se është ndërtuar Ura mbi Port Milenë kur me të dalë prej saj, kur vjen nga Ulqini drejt Shtojit (Plazhit të Madh), një turist i huaj (nga jashtë Ulqinit) ballafaqohet me situatën që nuk din se nga t’ia mbajë! Kur më pyesin për urën e paralajmëruar të ndërtohet mbi Lumin Buna, iu përgjigjem se për momentin ajo nuk do të zgjidhte asgjë. Pra, nuk do të kishte kurrfarë ndikimi gjatë sezonit veror, me përjashtim se do ta shtonte edhe më tepër kaosin në rrugë. Nëse do të më pyeste kush se a ka një lagje apo kuart në Ulqin për t’u marrë shembull në kuptimin pozitiv, zor se do të dija të gjej ndonjë! Mendësia e rrugicave të Kalasë dominon ndërtimin urban të Ulqinit. Por harrojnë se rrugicat në Kala janë bërë për këmbësorë, jo për automjete!
Deri para disa vitesh, një ndër premtimet kryesore të zyrtarëve të Komunës së Ulqinit dhe të përfaqësuesve të turizmit gjatë promovimeve turistike në panaire ka qenë se kemi ujë dhe rrymë 24 orë. Të thuash në këtë kohë se ke ujë dhe rrymë, jo vetëm tregon që ke ngelur mbrapa në zhvillimin e turizmit, sepse për një të huaj që jeton në një vend të zhvilluar dhe normal, ato janë parakushte dhe nënkuptohen, pa të cilët nuk mund të paramendohet jeta. Përkundër faktit se furnizimi me ujë në komunën e Ulqinit është përmirësuar ndjeshëm viteve të fundit gjatë sezonit veror, akoma ka zona të larta, siç është Kalaja, që kanë probleme me ujë. Si mund t’ua shpjegosh turistëve në Kala se nuk ke ujë?!
Turizmi është dega kryesore ekonomike në komunën e Ulqinit dhe në Mal të Zi. Por nuk mund ta zhvillosh turizmin nëse nuk ke kushte dhe pa zhvillim infrastrukturor të përshtatshëm. /Koha Javore/