Në seancën e sotshme të Kuvendin të Republikës së Kosovës kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka ngritur shqetësimin për problemin e demarkacionit me Malin e Zi dhe ka akuzuar Hashim Thaçin për këtë problem.
Haradinaj ka fajësuar Zv.Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi dhe kabinetin Qeveritar se i kanë dhuruar tokë Malit të Zi, transmeton Express.
“Zoti Thaçi dhe Qeveria i kanë dhanë një tokë Malit të Zi. Thaçi e ka kriju këtë problem dhe ai duhet ta riparojë”, tha Ramush Haradinaj.|
Sipas tij Kosova dhe Mali i Zi kanë nevojë për fqinjësi të mirë dhe jo të kenë probleme me vijën kufitare, vijë e cila është demarkuar në vitin 1974.
“Nëse ka dikush ka bjeshkë me i dhonë le ta jep pronën e vet dhe jo bjeshkët e Kosovës”, ishte mesazhi i Haradinajt.
Grupi parlamentar i AAK-së kërkuan të shtyhet diskutimi pasi që kabineti Qeveritar dhe Hashim Thaçi nuk ishin prezentë.
Kosova rrezikon të humbë 12 mijë hektarë tokë në demarkacionin me Malin e Zi
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të komunitetit ku është duke u definuar vija kufitare më Malin e Zi.
Pas takimit në një konferencë të përbashkët me këtë delegacion, Veseli ka lëvduar marrëdhëniet, sipas tij, të shkëlqyera që Kosova ka me Malin e Zi, transmeton Koha Net.
Ndërkohë që Ali Lajçi, nga ky grup ka thënë se me vijat që janë proklamuar nga Republika e Malit të Zi, Kosovës i rrezikohen 12 mijë hektarë tokë.
“Ne i kemi bërë masat në sipërfaqe, por edhe nëpërmes koordinatave e lartësive dhe hapësirës dhe ka dal të jenë 12 mijë hektarë, në pjesën e Rugovës janë 7 mijë hektarë kurse në pjesën e Podgurit Istogut e Rozhajës i kemi më shumë se 5 mijë hektarë”, ka thënë Lajçi.
Në fund të konferencës, Veseli ka thënë se ky takim i shërben një komunikimi, transparence dhe një qëllimi të përbashkët, siç ka thënë ai, “për t’u marr vesh me një fqinjë, me të cilin kemi mjaft raporte pozitive”.