Promovues i vlerave kombëtare përmes gurit, fotografisë dhe etnografisë
Gjekë Gjonaj
Historia nuk tregohet vetëm nëpërmjet fjalëve. Tregohet edhe nëpërmjet objekteve. Nëse i gjurmojmë, i zbulojmë dhe i përdorim, ato tregojnë një copë jetë. Na frymëzojnë. Na njohin me artin, mënyrën e jetesës, zhvillimin dhe mirëqenien e tyre. Vetëm një koleksionist që bën bashkë historinë, mund ta kuptojë më mirë traditën dhe vlerën e një populli. Malësia e Madhe e ka një të tillë. Zef Berishaj, ndryshe mund ta quaja “ Njeriu i gurit”, me sa kemi informacion është koleksionisti i vetëm i gurit në Malësi që ka zbuluar një pasuri të tërë kombëtare. Prej 24 vjetësh ai kërkon, gjurmon dhe zbulon historinë dhe traditën tonë. U lind në fshatin malor Priftën të Grudës, kurse jeton në fshatin fushor Dushiq afër Tuzit. Sapo të hyni në oborrin e shtëpisë së tij dykatëshe do të mahniteni me skulpturat e gurit të nëntokës shqiptare , që i ka krijuar nëna Natyrë, të vendosura e të radhitura me mjeshtri nga dora e tij nën shtratin e hardhisë së rrushit, të rrethuar me lloj-lloj lulesh shumëngjyrëshe. E gjithë shtëpia e Zef Berishajt është e rrethuar me gurë të formave dhe peshave të ndryshme. Për mbledhjen dhe sjelljen e këtij thesari të fshehur nuk është dashur shumë, pasi adresën e shtëpisë gurit ia ka treguar pasioni.
Ky adhurues i natyrës, thesareve të nëntokës shqiptare dhe i vlerave kombëtare, i cili një kohë e provoi edhe shijen e mërgimit në Shtete të Bashkuara të Amerikës, është dashuruar pas nëntokës së vendlindjes së tij Malësisë së Madhe. Kjo zonë, thotë koleksionuesi i gurit, ka pasuri të bukura, të rralla me peshë të rëndë ekonomike. “ Ky frymëzim ka burimin në dashurinë për vendlindjen e time Priftnin, të cilit i kthehem dhe rikthehem kohë pas kohe. Në vitin 2000 vizitova fshatin ku u linda, u rrita dhe u edukova nga prindër të ndershëm, bujar e atdhetar. Gjatë rrugëtimit nëpër fshat më shkoi syri tek një gurë që i përngjante shqiponjës. Më tërhoqi si një lloj magneti. Iu afrova . E mora dhe e solla në Dushiq. E pastrova nga dheu. Më pëlqeu shumë. Mendova se zona malore e Malësisë ka edhe gurë të tjerë me figura të ndryshme. Kështu me shumë kënaqësi e vullnet vazhdova pasionin tim, mbledhjen e gurëve të tjerë gëlqeror të cilët për mua janë vërtetë një lloj arti të natyrës . Sa herë që dilja në fshat bashkë me bashkëshorten time Prëtën, kur ktheheshim mbushnim makinën me gurë,“ rrëfen Berishaj. Ai prej moshës 45 vjeçare ka filluar me grumbullimin e një koleksioni masiv gurësh , duke i kthyer gjetjet e tij në zonën e Malësisë në një kryevepër.
Në koleksionin e Zefit gjenden afro 500 gurë. Pesha e tyre është prej 3 deri në 150 kilogramë, që sipas tij tregojnë se sa e vjetër është toka. Përmes këtyre gurëve ai sheh figura dhe forma mahnitëse, porositë e të cilëve ai i interpreton si një arkeolog kozmik.
“ Çdo gurë që po shihni është i veçantë. Secili ka specifikat e veta. Ky gurë ka figurën e njeriut. Të tjerët janë me figura të zogut, peshkut, qengjit, bariut ( çobanit me atë zhgunin me të cilin dikur e ka mbuluar trupin prej erërave, stuhisë dhe të reshurave atmosferike), piramidës, shqiponjës, simbolit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, pastaj hartës së Kosovës, luanit, dhelprës, breshkës, kitrës (kunës), krokodilit, pinguinit, dorës së e njeriut nga bërryli etj. Këtu kam sjellë edhe një gurë mijëvjeçar që nga themelimi i qytetit ilir Dioklesë. E kam gjetur në lumin Cem “, sqaron me shumë kënaqësi Zefi dhe falënderon bashkëshorten pa të cilën, siç thotë ai, ky muze i gurëve nuk do të ekzistonte. Ai shton se këtë ko0leksion gurësh, që nuk ekziston as në Ballkan, e jo më në trojet shqiptare, e kanë vizituar rastësisht edhe vizitorë nga Danimarka, Kanada e Australia. “Aq janë mallëngjyer me pasuritë nëntokësore të Malësisë saqë ato i kanë pasqyruar në mediat e tyre ”, thekson Zefi.
Dëshira e tij ka qenë dhe mbetet të hapë një ekspozitë me skulpturat e tij të mrekullueshme të gurit. Për këtë atij i duhet mbështetje institucionale, të cilën e ka kërkuar nga ish- kryetari i Komunës së Tuzit, por, siç thekson ai, ajo ka munguar.
Ky rast, por edhe raste të tjera në Malësi, dëshmon mungesën e kulturës së zhvilluar të pushtetarëve shqiptarë për trashëgiminë tonë historike, kulturore, natyrore dhe shpirtërore, siç janë në vende të tjera të Evropës. Gurët janë me interes historik dhe shkencor. Institucionet kulturore vendore e qendrore do të ishte mirë sikur të kenë një qëndrim të veçantë ndaj gurëve, me të cilët malësorët ishin të lidhur me traditat shekullore.
Valorizimi i këtij muzeu gurësh, me një titull simbolik “Guri në jetën e njeriut” do të ishte një atraksion turistik në Malësi, ku vizitorët e grupmoshave dhe vendeve të ndryshme do të mund të njihen me madhështinë e tij të rrallë dhe me vlerat e mëdha historike e kulturore për ruajtjen e trashëgimisë sonë.
Koleksionist i qindra fotografive të vjetra
Zef Berishaj nuk është fotograf, por është adhurues i madh i fotografisë, veçmas atyre të vjetra të cilat tregojnë për lashtësinë dhe historinë e një populli. Ky entuziast për ruajtjen e trashëgimisë në katin e dytë të shtëpisë familjare, në një hapësirë prej 100 metra katrorë ka ekspozuar afro 500 fotografi të ndryshme nga jeta dhe historia e shqiptarëve, por dhe lashtësia e popujve të tjerë evropianë e botërorë, të vjetra deri në 7.000 vjet, të shoqëruara me informata njohëse.
I pyetur se si i siguron fotografitë e vjetra, të periudhave e personaliteteve të ndryshme, Berishaj tregon se burimet i ka të ndryshme. “Fotot kryesisht i siguroj përmes motorëve të kërkimit siç janë Google dhe Yahoo, arkivave të ndryshme në internet, të gazetave shqiptare dhe të huaja, librave te ndryshëm, etj.
Në saje të teknologjisë informative dhe vullnetit të mirë gjetja e fotografive të vjetra dhe informatave të shumta që ndërlidhen me trojet shqiptare nuk është më edhe aq e vështirë. Siç thotë edhe fraza e vjetër angleze “ aty ku ka vullnet, ka edhe mënyrë”.
Krahas fotografive të vjetra të vendosura në dy faqet e murit të dhomës së tij ndodhet edhe një koleksion me disa objekte etnografike, që janë dëshmi e rëndësishme të kulturës, traditës interesante e të pasur të trevës së Malësisë. ( Koha Javore)