Sot shënohet 25 vjetori nga akti barbar i forcave policore serbe që kryen masakër kundrejt shqiptarëve në Kosovë, i cili padyshim paraqet krim kundër njerëzimit. Në ditën e kobshme të 15 janarit 1999 në Reçak u vranë dhe masakruan 45 shqiptarë civil të paarmatosur, ndër të cilët edhe një femër, kështu thuhet në një kumtesë për opinion të Forcës së Re Demokratike.

Policia/ushtria serbe kanë kryer masakra të shumta gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë, por masakra e Reçakut zuri vend të posaçëm në kancelaritë e shteteve me ndikim në botë.

Tentativa e Serbisë të zhduk gjurmët e masakrës dështoi.  Bota e civilizuar e pa qartë krimin e paprecedent kundër njerëzimit në fshatin Reçak duke ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës për liri dhe pavarësi.

Ky krim ngriti në nivelet më të larta ndërgjegjen e diplomacisë ndërkombëtare dhe solli ndërhyrjen e NATO-s kundër forcave ushtarake serbe të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviq.

Çerek shekulli nga krimi më mizor ndaj popullatës së pafajshme civile, të rënët  kujtohen me pietet të lartë nga të gjithë shqiptarët kudo që janë, për t’u mos u lanë në harresë të kohës kurrë martirët e Reçakut.

Kjo dëshmi përcaktoi vijën ndarëse në mes civilizimit dhe barbarisë gjenocidale të forcave policore Serbisë.

Lavdi të rënëve!, përfundon kumtesa për opinion e Forcës së Re Demokratike.

By admini