Shkruan Fran Gjonaj

Vizita në vendlindje, është ngjarja më e bukur që mund t’i ndodhë njeriut, sidomos një mërgimtarit i cili dëshirat dhe ëndrrat e veta i ka gjithmonë në vendlindjen e vet. Ne që jetojmë në mërgim, e kuptojmë ma së mirit çka do të thot kjo, e përjetojmë ma së thelli mallin nga mungesa e vendlindjes. Ne që kemi shkua në mërgim të rritun, me kujtime të shumta nga jeta në vendlindje, fëminia jonë, fshati ku kemi jetua, i kujtojmë të gjitha këto dhe kemi dhimbje të madhe që sot i shohim fshatrat tona të braktisuna, me shtëpi të mbyllura dhe me banorë të rrallë në këto anë.

Por, kujtimet jetojnë dhe na japin shpresë për të ardhmen e tokës së të parëve tanë. Është shëmbull i bukur kur bashkëvëndasit tanë, kujdesen për votrën e të parëve, ndërtojnë shtëpi dhe punojnë e investojnë në vendlindje. Ashtu sikur, bashkëvëndasit tanë, ndërtojnë buste e përmëndore për burrat e mëdhej e të njoftun në Malësinë tonë. Sigurisht se çdo kullë e votër jona ka me çka të krenohet sepse nderin, besën, burrninë dhe dashninë për kombin, gjuhën dhe flamurin tonë, e ruajtën të parët tanë, ata që luftuan e vuajtën për trojet e të parëve. Prandaj, ata meritojnë përmëndoret ma të bukura në nderim dhe përkujtim të veprave të tyne.

Ne, familja jonë, jemi të lumtun që me përkrahjen e të afërmëve tanë por edhe të gjithë miqve e dashamirëve tonë, e vëndosëm pllakën përkujtimore me ëmnin e Luc Gjo Matit Gjonaj, i cili, për fat të keq nuk la trashëgimtarë të drejtpërdrejtë, por ka lanë ni ëmën të bukur e të neruëm në bajrakun e Trieshit. E kemi obligim pasi ai vdiq më 1957, në shtëpinë ku kam lind dhe jam rritë bashk më vëllezërit dhe motrat e mija. Babai im i ndjerë, Vasel Marku Gjonaj, e kishte marak të përkujtohet Luc Gjo Mati, për kujtimet e bukura që na i ka lanë pas.

Kohanikët e tij, kanë ruajt shumë kujtime nga jeta gati 100 vjeçare e Luc Gjo Matit, si njeri zëmërgjan, pajtimtar, dashamir i vëndit të vet, gjuhës e kombit, pjesëmarrës në disa lufta tye fillua nga Lemaja me 1907 vjet dhe kudo çi ishte nevoja për komb e flamur. Dihet se ka pas nji jetë jo të lehtë, me ekzistua në fshatin e tij Rudinë të Trieshit, në kohëna të vështira por edhe pa familjar krahë punet pasi nuk deshti fati të rriste fëmijët e vet. Ne nuk dëshirojmë për kurrfarë lavdit as krenijet të shënojmë ëmnin e tij por këto janë merita që ia din vëndi i tij, janë ruëjt e trashigua në brëzat e ri.

Nuk dëshirojmë të flasim ne për veprat e tij por i faleminderojmë të gjithë ata që i ruajtën dhe i çmuën veprat njerzore të këtij burrit trieshjan, faleminderojmë edhe Qeverinë e shtetit tonë amë Shqipërinë, që e ka vlerësua me mirënjohje të naltë Luc Gjo Matin, sepse ata që luftuan për trojet e të parëve, ata që e deshtën kombin, gjuhën dhe flamurin tonë, ata janë dashamirët dhe dëshmorët e tokës së bekuar shqiptare.
Ata janë shembulli dhe krenaria jonë e përjetshme.

By admini