Ali Riza Ulqinaku (1855-1913)
(aspekte socio-gjeografike)
Nga Nail Draga
Në kuadër të Perandorisë Osmane përkatësisht të Vilajetit të Shkodrës, Ulqini përjetoj zhvillimin më të madh ekonomiko-shoqëror gjatë shekujve XVIII-XIX. Të dhënat demografike dhe ekonomike të kohës dëshmojnë e Ulqini ishte qyteti kryesor i Shkodrës në bregdetin e Adriatikut. Por, pikërisht në shek. XIX, ky qytet përjetoj një dekompozim si në aspektin ekonomik dhe ate demografik sidomos gjatë vitëve 1878-1880. Janë pikërisht ngjarjet e zhvilluara gjatë këtyre vitëve,me përmasa regjionale e gjeostrategjike qe ishin dramatike për qytetin e Ulqinit, sepse dolën në pah interesat e Fuqive të Mëdha. Kështu në sajë të një presioni të vazhdueshëm ndaj Perandorisë Osmane e detyruan ate qe t ia dorëzojë Ulqinin Malit të Zi(nëntor 1880). Edhe pse shqiptarët rezistuan, madje duke luftuar më armë në dorë, ishin rrethanat ndërkombëtare të kohës që sakrifikuan Ulqinin për qellimet e tyre gjeostrategjike.
Pikërisht në këtë kohë në Ulqin lindi, u shkollua dhe jetoj deri në moshën 25 vjeçare hafiz Ali Riza Ulqinaku(1855-1913), personaliteti më i njohur nga Ulqini gjatë Rilindjës Kombëtare Shqiptare. Ai ishte dëshmitar okular i ngjarjeve të kohës, madje si shumë ulqinakë të tjerë edhe ai me zemër të thyer emigroj nga Ulqini duke u vendosur në Shkodër.
Por, më këtë rast ne nuk do të trajtojmë veprimtarinë e tij krijuese e arsimore, por disa aspekte socio-gjeografike të kohës të cilat padyshim kanë ndikuar në formimin e tij personal dhe intelektual, sepse deri në nëntor të vitit 1880 ishte dëshmitarë okular i ngjarjeve të ndodhura në Ulqin dhe rrethinën e tij. Ai ishte i informuar me paraskenat e prapaskenat qe po i përgatitëshin Ulqinit, ku ishte pjesë e njësiteve luftarake për mbrojtjen e qytetit të Ulqinit, por siç dihet se e pësojë nga interesat e Fuqive të Mëdha kundër Perandorisë Osmane.
1.Fizionomia urbane e qytetit
Pas pushtimit nga ana e Venedikasve prej një shekulli e gjysëm(1421-1571) në kuadrin e Perandorisë Osmane qyteti i Ulqinit ishte një periudhë më të gjatë kohore prej me tepër se tre shekuj(1571-1880). Ishte kjo periudha kohore e cila ndryshoj dukshëm fizionominë e qytetit, që është i njohur me emrin stili oriental. Po ashtu gjatë kës periudhe kemi edhe zgjerimin territorial të qytetit, nga Kalaja në perëndim në drejtim të mëhalla e Merasë, në lindje.
Eshtë dokumentuar se gjatë shekullit XIX, qyteti i Ulqinit arriti lulëzimin e vet më të lartë ekonomik duke qenë qyteti më i zhvillua në pjesën bregdetare të Vilajetit të Shkodrës. Ndryshimi i fizionomisë urbane filloj me ndërtimin e objekteve të kultit(xhamia, kisha), hamameve,mejtepeve, mederes, kullës së sahatit, objekteve të banimit etj.
Sipas të dhënave të disponuara nga shekulli XVII e më pas në kategorinë e objekteve të kultit janë ndërtuar 9 xhami dhe 2 kisha. Sipas vitëve të ndërtimit janë ndërtuar: Xhamia e Lamit(1689) Xhamia e Pashës(1719), Xhamia e Mazgjahit(1728), Xhamia në Krye të Pazarit(1749), Xhamia në Mera(1779), Xhamia e Bregut(1783). Këtyre duhet shtuar edhe Xhaminë e Marinarëve, xhaminë në Kala (nga kishë në vitin 1510, e shndërruar në xhami në vitin 1693) si xhaminë e Meterizit( e cila pas vitit 1880 pushteti malazez e transformon në kishë ortodokse). Në kuadër të tyre objekteve të kultit janë edhe kisha ortodokse në Mal të Bardhë(1869) dhe kisha katolike po aty(1875).
Pikërisht ne një ambient të tillë tipik oriental, me popullsi pothuaj absolute shqiptare të konfesionit islam 160 vjet më parë lindi Ali Riza Ulqinaku, persnalitetit më i madh i Ulqinit gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
2. Veprimtaria ekonomike e popullsisë
Në sajë të pozitës së vet gjeografike popullsia e Ulqinit më shekuj si veprimtari parësore ekonomike ka pasur detarinë, përkatësisht tregtinë e cila është zhvilluar jo vetëm në kuadër të detit Adriatik por edhe më gjerë. Po ashtu popullsia është marrë edhe me bujqësi dhe ullishtari, sepse prodhimi i vajit të ullirit ka qenë ndër më cilësoret në regjion. Nuk ka dilemë se popullsia e qytetit është marrë me zejtari sepse ajo ishte veprimtaria e cila ka plotësuar nevojat e popullsisë vendore dhe të zonës së vet gravituese. Përveç popullsisë vendore, në detari kanë qenë të angazhuar edhe të tjerë të cilët ulqinakët i kanë paguar si punëtorë apo ishin të rrëmbyer si rob në sajë të veprimeve të kusarisë e cila ka qenë e njohur për kohën. Një e dhënë e tillë dëshmohet me faktin se të dhënat për kohën flasin se Ulqini kishte disa mijëra veta në ekuipazh të anijeve të tyre tregtare.
Gjatë shek.XIX Ulqini ka luajtur rol të veçantë në tregtinë e jashtme shqiptare. Madje për këtë kohë si Ulqini, Tivari, Oboti she Shëngjini, kanë paraqitur bazën e tregtisë në Veriun shqiptar. :adje studiuesi francez A.Vickenel Ulqinin dhe Tivarin i fustenëdr portet më të shquara shqiptare. Ulqini kishte rol të veçantë në sistemin e lundrimit detar me shkodrën. Sipas të dhënave të kohës aty jetonin 6000-8000 banorë, që kryesisht merreshin me lundrimtari dhe me tregti. Ulqinakët me anijet e tyre vizitonin jo vetëm portet shqiptare, por të gjitha portet e Detit adriatik, të Detit Jona e të Mesdjheut. Tregtarët e Ulqinit ndiqnin panairet italiane të Rekanatit, ankonës, sinigalias dhe të Lajpcigut në Gjermani, ku merreshin me shitblerjen e gjërave të çmueshme. Por, pë tregtarët e bregdetit shqiptar ankona ishte më e preferuara, pasi ajo i port i hapur, ishte më e lirë dhe papengesa. Numri njësive lundruese në Ulqin ka ndryshuar nga një shekull në tjetrin. Kështu sipas disa të dhënave del se në shek.XVII Ulqini kishte 500 velanije, duke qenë qyteti kryesor i Perandorisë osmane në bregdetin e Adriatikut.
Ndërsa në fillim të shek.XVIII flota ulqinake kishte rënie në numrin e njësive lundruese ku në gjirin e saj ishin gjithsej 250-300 barka të mëdha e të vogla, që drejtoheshin nga një ekuipazh shqiptar prej 5-6000 vetash. Por, me rritjen e tregtisë së jashtme në Shkodër, flota ulqinake në vitin1848 kishte 400 njësi të ndryshme lundruese, numër i cili pothuaj mbeti konstant deri në vitin 1880, kur Ulqini kalon nën administrimin e Malit të Zi..
Ishte pikërisht ky vit fatal qe ndikoj në zvoglimin e numrit të njësive lundruese, sepse në kuadër të popullsisë së emigruar në Shkodër e Durrës, një numër i konsideruar i tyre ishin pronar të anijeve.Nga ajo kohë Ulqini humbi imazhin e qytetit kryesor bregdetar në Vilajetin e Shkodrës, me pasoja të mëdha ekonomike e demografike për popullsinë vendore shqiptare.
3. Dominimi i popullsisë shqiptare
Të dhënat e para në shek. XIX, në lidhje me popullsinë e qytetit të Ulqinit i përkasin viteve të 30-ta, ku ceket se ky qytet kishte 6000-7000 banorë. Nga kjo kohë e më vonë ekziston një vakum në këtë drejtim, deri në vitin 1863-64, ku theksohet se Ulqini kishte 453 shtëpi, e nga ato 451 ishin-shtëpi myslimane dhe 2 ortodokse, ndërsa për lagjen Mera thuhet se ishin 7 shtëpi, prej tyre 6 katolike dhe 1 ortodokse. Të dhëna për këtë vit ekzistojnë edhe për Shtojin, i cili kishte 21 shtëpi, të gjitha katolike. Ndërsa për pesë fshatra të tjera më të aferta thuhet se kishin 86 shtëpi myslimane, 87 katolike, apo gjithsej 173 shtëpi.
Foto: Pazari i Ulqinit në shek. XIX
Pas një rezistence të lavdishme gati dymujore (14.11.1877-10.1.1878), Tivari u bë shkrumb e hi dhe u pushtua nga forcat malazeze, por ato nuk ishin të ngopur me kaq, andaj të përgatitur për aspiratat pushtuese u nisën në drejtim të jugut dhe lindjes. Kështu nga 17-18janari i vitit 1878, Ulqini pushtohet nga forcat malazeze, të cilat djegin qytetin si dhe vetë çarshinë. Ato këtu qëndrojnë deri më 8. 2. 1879, sepse sipas vendimeve të Kongresit të Berlinit, neni 29, Ulqini mbetet nën sovranitetin e Perandorisč Osmane.
Në rrethana të tilla, në një situatë të re kemi emigrimin e parë të popullsisë nga qyteti i Tivarit, Krajës dhe Ulqinit. Popullsia e shpërngulur është shqiptare kryesisht e konfesionit islam, por ka pasur edhe myslimanë sllavofolës, sidomos nga qyteti i Tivarit. Popullsia e emigruar është vendosur kryesisht në Shkodër. Kështu, në saje të të dhënave, nga Ulqini, pas rënies së tij nën Mal të Zi në janar të vitit 1878, janë larguar 143 familje dhe janë vendosur në Shkodër.
Të dhënat lidhur me numrin e banorëve të qytetit të Ulqinit duke filluar nga kjo kohë janë më të shumta, sepse ai në saje të qëndrimit të Fuqive të Mëdha ishte në qendër të veprimit të diplomacive ndërkombëtare të shteteve përkatëse. Francezi Bozhur thekson se Ulqini në shek. XIX kishte 6000 banorë, ndërsa më 1878 Gopçeviqi jep shifrën 8000 banorë. Për vitin 1880, na jepet e dhëna prej 5000 banorëvë.
Nga ana tjetër nahia e Mërkotit kishte 315 shtëpi, të gjitha myslimane.Po këtë vit nahia e Krajës kishte 1100 shtëpi, më këtë përbërje konfesionale: 700 myslimane, 150 katolike dhe 250 ortodokse.Por, siç do te shohim më vonë ne saje te rrethanave te reja shoqërore këto raporte te strukturës kombëtare te popullsisë do të ndryshojnë ne disfavor te popullsisë shqiptare e ne veçanti ka të bëj me qytetin e Tivarit.
Struktura etnike e popullsisë në këtë mjedis sidomos ne viset shqiptare filloi të ndryshojë pas vendimëve të Kongresit të Berlinit 1878, pas vitit 1880, e po ashtu edhe më vonë pas vitëve 1912-1913, sepse këto vise kaluan nën administrimin e Malit të Zi. Nga një gjendje e re e krijuar me pushtetarët e rinj, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë emigroi në Shkodër e gjetiu. Emigrimi i popullsisë pati përmasa të mëdha sidomos ne qytetin e Ulqinit ku pas vitit 1880, u shperngulen nga qyteti 413 familje me rreth 3000 banorë, duke u vendosur kryesisht ne Shkodër por edhe në Durrës.
4.Ndryshimi i struktures nacionale të popullsisë
Me aneksimin e territorëve të reja pas vitëve 1878 dhe 1880, politika shtetërore malazeze kishte vendosur objektiva të qarta ne lidhje më këto territore.Çështje parësore ishte ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë në këtë mjedis. Kështu më urdhër të Simo Popoviqit i cili ishte ne funksionin e guvernatorit të parë të Ulqinit, organet e pushtetit malazez ia filluan punës për regjistrimin dhe matjen e sipërfaqës tokësore që duhej të kolonizohej.
Ne lidhje më këtë çështje ne mënyrë mjaft transparente na dëshmon letra e vojvodë S.Popoviqit qe ia dërgonte ministrit të punëve të jashtme, ku thuhet:
”Rrethi i Ulqinit për ne është i huaj.Të gjithë këtu janë turq(shqiptarë të konfesionit islam-N.D.) dhe malësorë.Kujdesi ynë i parë, për arsye të shumë shkaqeve, duhet të jetë që banorët vendës ti asimilojmë dhe atë sa më parë në dy mënyra: me anë të kolonizimit, duke vendosur këtu 4-5 mijë familje malazeze dhe me anë të hapjës së shkollave.Kolonizimi do të arrihet kur të shpërngulën malësoret nga ky vend.Kur të realizohet ky projekt, atëher ky rajon i bukur dhe i pasur do të jetë krejtësisht dhe përgjithmonë i Malit të Zi.Deri sa të mos realizohet ky qëllim, nuk kemi së çka të gëzohemi”.
Një përmbajtje e tillë nuk meriton të analizohet, sepse çdo gjë është transparente, por i mbetej pushtetit të ri te realizoj ne praktikë kolonizimin e këtyre territorëve me popullsi sllave.
Sipas të dhënave qe disponojmë ne Ulqin e rrethinë nga viti 1881 e deri më 1893,janë vendosur 400 familje kolonistësh sllavë, të cilave iu janë ndarë 5000 rrallë tokë. Nga kjo del se një ekonomi shtëpiake ka fituar nga 12,5 rrallë tokë. Ne forma të ndryshme plane kolonizimësh kanë vazhduar të realizohen deri në luftërat ballkanike, sepse deviza shtetërore ishte të ndryshohet struktura etnike e këtyre mjedisëve.
Asipratat ekspansioniste ndaj këtij mjedisi i ka shprehur edhe vetë princ Nikolla i Malit tč Zi, i cili theksonte ”… me vendosjen e malazezeve prej Mozhurit e deri të Buna, tërë qarkun e Ulqinit e malazezojmë”, duke vazhduar se “…tërë qyteti dhe rrethina është e banuar më banorë shqiptarë të konfesionit islam dhe katolik. Gjuha serbe në ketë anë të Mozhurit nuk është ndier. Me vendosjen e malazezëve zhduket tipi shqiptar i kësaj ane”.
Ndaj një citimi të tillë çdo koment është i tepert sepse politika ekspansioniste ishte platformë politike e Malit të Zi, e cila ishte pothuaj identike sikurse “Naçertania” e Serbisë nga viti 1844, ku parësore ishin asimilimi dhe kolonizimi i territoreve te reja të administruara prej tyre në sajë të vendimeve të Fuqive të Mëdha.
5.Tivari – humbja e identitetit etnik
Nëse Ulqini pati mundësi të ruaj identitetin e vet etnik edhe pas vitit 1880, ku ne rrethinë fillimisht e më pas në qytet u vendosën kolonistët malazez, diçka e tillë nuk ngjau me Tivarin. Ky qytet ne saje të vendimëve të Kongresit të Berlinit në vitin 1878, kur i jepet Malit të Zi në mënyrë mekanike e ndryshoi strukturën e popullsisë ne favor të asaj sllave, ndërsa elementi shqiptarë mbeti ne pakicë, ku me kalimin e kohës u asimilua pothuaj tërësisht, ndërsa përjashtim bëjnë vetëm vendbanimet shqiptare në pjesën veripërendimore e Krajës.
Ne lidhje mbi strukturën kombëtare te popullsisë ne qytetin e Tivarit pasi ai kalon nen administrimin e Malit të Zi, te dhëna më interes kemi nga regjistrimi i popullsisë ne vitin 1879.Te dhënat e publikuara kanë të bëjnë me strukturën konfesionale te popullsisë sepse ajo kombëtare vazhdimisht është eliminuar për qellime te caktuara.
Kështu në qytetin e Tivarit nga këto të dhëna del se ne vitin 1879 kishte 445 familje me gjithsej 1823 banorë.Me të numërt kanë qenë myslimanët me 804 banorë apo 192 familje, pastaj ortodokset me 489 banorë apo 192 familje, katolikët 448 banorë,108 familje dhe romët me 82 banorë dhe 16 familje.
6. Përfundim
Në shek.XIX, në territorin e Ulqinit në aspektin e ngushtë por edhe si regjion kanë ndodhur ndryshime të mëdha socio-demografike, si rezultat i luftërave të zhvilluara, por edhe veprimit të diplomacisë ndërkombëtare. Ne këtë aspekt pas Tivarit, Ulqini është shëmbull tipik i viktimizimit për interesat e Fuqive të Mëdha.
Pikërisht, në saje të tyre veprimeve subjektive për çështje të territoreve pasoj në vepër ndryshimi mekanik i strukturës etnike të popullsisë, me shperngulje të shqiptarëve dhe me procesin e kolonizimit, me popullsi sllave, duke ndryshuar demografinë e këtij mjedisi.
Pra kemi të bëjmë me raporte të reja gjeostrategjike të Fuqive të Mëdha të cilët ishin në aleancë kundër Perandorisë Osmane. Në këto rrethana shqiptarët ndonëse përmes LSHP u angazhuan maksimalisht për ruajtjën e hapësirës etnogjeografike shqiptare, ishin faktorët ndërkombëtar qe përcaktuan interesat e tyre gjeopolitike.
Ne kujtim dhe nderim të figurës së hafiz Ali Ulqinakut me vendim të Kuvendit të Komunës së Ulqinit nga data 7 maj 2002 një rrugë në qytetin e Ulqinit mbanë emrin e hafiz Ali Ulqinakut. Mendoj se është e udhës të inicohet, ngritja e një busti në qytetin e Ulqinit, ku me një veprim të tillë, ne nderojmë vetën dhe këtë personalitet të kulturës kombëtare. Iniciativa e tillë besoj se do të përkrahet nga pushteti lokal, duke dëshmuar se veprojmë si bota e qytetëruar, duke vlerësuar personalitetet e nderuara kombëtare.
Literatura e konsultuar:
1.Xhevat Repishti, Isuf Sokoli dhe lufta për mbrojtjën e Ulqinit, Tiranë 1979
2.Riza Rexha, Ulqini në vitët e Lidhjes shqiptare të Prizzrenit(1878-1881), Art Club, Ulqin, 1998
3.Riza Rexha. Ulqini dhe politika e Malit të Zi(1881-1916), Art Club, Ulqin ,2005
4. Faik Luli-Islam Dizdari, hafiz Ali Ulqinaku-jeta dhe vepra, LOGOS, Shkup, 2005
5.Nail Draga, Popullsia e Ulqinit në shek.XIX-XX, Simpoziumi shkencor, Ulqini në rrjedhat e kohës, Art Club, Ulqin, 2000
6.Spiridon Gopčević, Crnogorski-turski rat(1876-1878), Vojno delo, Beograd, 1963
7.Bernard Stulli, Albansko pitanje, JAZU,knj.318, Zagreb 1959.
8.Hajredin Muja, Ulqini dhe Tivari ndërmjet Krishtërimit dhe Islamit, Logos, Shkup, 2009
9.Zija Shkodra, Qyteti shqiptar gjatë Rilindjës Kombëtare, Tiranë, 1984.
10. Jusuf Shpuza, Vëzhgim për emrat familjarë të shqiptarëve, Shkodër, 1998
Foto: Xhamia e Pashës në Ulqin (1719), gravurë nga Edith Durham (1908)