Nga Shaban HASANGJEKAJ

Në kilometrin e katërt të rrugës magjistrale që nga Gucia shpie për në Plavë, në anën e majtë të luginës piktoreske të Lumit Luça, mu rrëzë bjeshkës së Visitorrit të lartë, thepisur e kreshnik, fillon shtrirja e Martinajve, fshat i Komunës së Gucisë, i cili dikur radhitej ndër vendbanimet më të mëdhaja të Komunës së Plavës, i cili numëronte më se 80 familje me mbi 500 banorë, kryesisht të popullatës shqiptare.
Por mjerisht migrimi dhe emigrimi e kanë bërë të vetën. Sot numri i familjeve dhe i banorëve ka rënë dukshëm. Shpërngulja mjaft e shprehur, sidomos e moshës rinore, është brenga më e madhe e tij, ngase më se gjysma e shtëpive familjare janë të mbyllura me dry, e çelja e dyerve të ca prej tyre bëhet në muajt e verës kur pronarët nga diaspora vijnë për t’i kaluar ca ditë të pushimeve vjetore me ose pa familje.
Mirëpo edhe përkundër gjithë kësaj, ajo që më së shumti e karakterizon dhe e bën të njohur dhe të theksuar këtë vendbanim, është fakti se fshati Martinaj është vërtetë qendër nga i cili rrjedh një numër i konsiderueshëm intelektualësh shqiptarë profilesh të ndryshme profesionale, e njëri ndër ta është edhe tani i ndjeri Avdi Sylë Prelvukaj, i cili pas një sëmundjeje relativisht të gjatë ndërroi jetë në Nju Jork të SHBA-së, më 3 prill 2023, atje ku i kaloi rreth 20 vjetët e fundit të jetës së vet dy vite pas daljes në pension në fillim të vitit 2001. Në këtë drejtim habit dhe shqetëson fakti i hidhur se Avdiut në të njëjtën ditë të vdekjes së tij i vdes motra Zadja në fshatin Nabrgjan të Komunës së Pejës ku ishte e martuar dhe ku një dite më vonë varroset.

Avdi Prelvukaj u lind në fshatin Martinaj të Komunës së Gucisë më 25 dhjetor të vitit 1935, nga i ati Sylë Hasi Prelvukaj (i cili jetoi më se një shekull, vdiq në moshën 107 vjeçare në vitin 1997) dhe e ëma Cucë Gjonbalaj-Prelvukaj, në një familje tipike tradicionale shqiptare me tipare e veti patriotike e atdhedashëse, mikpritëse e bujare, në familje shumanëtarëshe ku prindërit Syla dhe Cuca rritnin 6 fëmijë, dy djem dhe katër vajza. I rritnin në kushte të vështira ekonomiko-sociale, si shumica e familjeve të kësaj ane asokohe. Kushtet ekzistenciale jetësore të familjes i krijonin me punë tipike bujqësore dhe blegtorale, por edhe me aktivitete të tjera të punëve në vërri (fshat) dhe në tbanishtën “Vali” në Bjeshkën e Visitorrit, ku i kalonin muajt e verës me bagëti. Aso kohe ishin të kyçur edhe fëmijët, ndër ta edhe Avdiu, atëherë i moshës jomadhore, në ruajtjen e bagëtive, por edhe në vjeljen dhe mbledhjen e frutave pyjore (boronicave, mjedrave, dredhëzave, manaferrave) por edhe të kërpudhave ushqyese e bimëve mjekuese, me shitjen e të cilave sadopak pasuronin buxhetin modest familjar për jetesë, por edhe për shkollimin fillor të fëmijëve në gjuhën shqipe që porsa kishte marrë hov në Martinaj, Vuthaj dhe Guci.

Avdi Sylë Prelvukaj, shkollimin fillor katërklasësh (I-IV) e kryen në vendlindje – në Martinaj duke pasur fatin dhe nderin që mësues ta kishte pishtarin dhe veteranin e denjë dhe te paepur te edukimit dhe arsimimit shqip, por edhe patriotin dhe atdhetarin Jusuf Sylë Balidemaj, i cili fill pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, pikërisht në vitin shkollor 1945-1946, hapi shkollën fillore katërklasëshe në gjuhën shqipe në Martinaj, në të cilën në klasën e parë u regjistrua një numër i madh nxënësish të fshatit, moshash të ndryshme, e Avdiu u përket gjeneratave të para të saj. Klasët e ciklit të lartë (V-VIII) i kryen në shkollën tetëvjeçare në Guci në kushte të vështira duke udhëtuar çdo ditë nga 10 kilometra në këmbë me veshmbathje jo të mirë, e madje edhe i uritur.

Ndonëse në kohën kur e kryen shkollën tetëvjeçare në Plavë dhe Guci nuk funksiononte kurrfarë shkolle e mesme, edhe pse i etur për dritë dhe dije të mëtejme, Avdiu detyrohet t’u përkushtohet punëve bujqësore dhe blegtorale, por edhe të tjerave të karakterit fizik, të martohet dhe të krijojë familjen e vet.
Mirëpo siç thotë fjala popullore “shpresa vdes e fundit”, Avdiut edhe pse në moshë madhore mbi 20 vjeçare i realizohet dëshira për vazhdimin e shkollimit të mesëm, kur në fillim të viteve të 60-ta të shekullit të kaluar Ministria e Arsimit dhe Shkencës të KSA të Kosovës së atëhershme, me qëllim të shkollimit dhe aftësimit sa më të madh dhe më të shpejtë të kuadrove të reja profilesh të ndryshme profesionale, solli vendimin që në disa qendra të veta në ca shkolla të mesme profesionale (bujqësore, ekonomike etj.) të hapë paralelet mësimore me program të shkurtër, të cilat do ti vijojnë personat e rritur (të moshës madhore) të cilët për një vit shkollor do t’i kryejnë dy klasë.

Kështu shumë të rinj, e madje dhe disa në moshë të shtyrë të popullatës shqiptare nga treva e Plavë-Gucisë regjistrohen në paralelet e shkollave të mesme në fjalë, ndër ta edhe Avdiu në paralelen e Shkollës së Mesme Ekonomike në Pejë të cilën e përfundon në afat të rregullt dyvjeçar duke u diplomuar në drejtimin teknik i ekonomisë.

Por shkollimi i mesëm i Avdiut nuk përfundon me kaq. Ëndrra e fëmijërisë së tij të bëhet mësues për t’i kontribuar arsimimit në vendlindje po ashtu bëhet realitet kur pran Shkollës Normale të Prishtinës asokohe hapet seminari veror për rikualifikim të profileve të ndryshme profesionale në profilin e profesionit arsimor – të mësuesit, të cilin Avdiu e vijon rregullisht dhe në afat të paraparë jep provimet dhe diplomohet për mësues.

Ndonëse në shkollat fillore me mësim në gjuhën shqipe në Guci, Martinaj dhe Vuthaj asokohe nuk kishte vende të lira për mësues, Avdiu në vitin shkollor 1965/66 punësohet në Shkollën Fillore tetëvjeçare “Përparimi” në fshatin Joshanicë të Komunës së Klinës, në Kosovë, në të cilën tri vite radhazi jep mësimin e lëndëve histori-gjeografi në klasët e ciklit të lartë. Në këtë shkollë puna e tij edukativo-arsimore, por edhe sjellja dhe kontributi i tij shumëpërfshirës çmohet dhe vlerësohet lart. Këtë e dëshmoi ish nxënësi i tij, më vonë drejtor i shkollës në fjalë, i cili në fjalimin memorial dhe të rastit pas ceremonialit të varrimit, ndër të tjera theksoi se Avdiu ka qenë i nderuar dhe i respektuar nga vendasit dhe theksoi se në vitin 2002 kolektivi i shkollës e ka nderuar me fletë mirënjohje për punë të suksesshme edukativo-arsimore.
Avdi Sylë Prelvukajt në ndërkohë edhe ëndrra për të punuar dhe kontribuar në vendlindje i bëhet realitet, kur me vendimin e Ministrisë së Arsimit të Malit te Zi, në kërkesën e banoreve të tri fshatrave Vishnjevë, Hakaj e Kukaj, në fshatin Vishnjevë në fillim të vitit shkollor 1968/69, për herë të parë hapet shkolla fillore katërklasëshe me mësim në gjuhën shqipe – paralele e shpërndarë e Shkollës Fillore “Xhafer Nikoçeviq” të Gucisë, ku Avdiu në konkursin e shpallur pranohet dhe pikërisht më 11 nëntor të vitit 1968 fillon të punojë si mësues në këtë shkollë bashkë me mësuesin bashkëvendës Rexhep Bali Balidemaj. Filloi punën me 20 nxënës (13 djem e 7 vashëza) të klasës së dytë, të cilët në vitin paraprak shkollor e kishin kryer klasën e parë në gjuhën serbo-kroate. Në fillim mësimi në këtë shkollë mbahej në objektin e shtëpisë familjare të vishnjevasit Nikollë Pal Curanaj, të cilin e dha pa pagesë për nevojat e shkollës.

Ndonëse Vishnjeva është fshat fqinj me vendlindjen e Avdiut – fshatin Martinaj, e në fushëgropën ndërmjet tyre rrjedhë lumi i thellë “Luça”, që Avdiun deri vonë e detyroi që ta kalojë me lundër (varkë) për të mos udhëtuar rreth e rrotull rreth 10 kilometra në një drejtim.

Në fillim të vitit 1981 të shekullit të kaluar, Avdiut i ndodhi një tragjedi familjare. Në aksident komunikacioni humb jetën djali i tij shtatëvjeçar Fadili (1974-1981), i cili duke rrëshqitur me sajë një tatpjetë futet ndër rrotat e një automjeti të një guciani në rrugën magjistrale Guci-Plavë mu në afërsi të shtëpisë familjare dhe në vend mbetet i vdekur.

Mësuesi Avdi Sylë Prelvukaj në shkollën e Vishnjevës punon gjithnjë deri pesë vite para pensionimit, kur kalon me punë në shkollën katërklasëshe të vendlindjes në Martinaj, ku punon deri në gjysmën e janarit te vitit 2001 kur dhe pensionohet. Dy vite pas pensionimit shkon te djemtë në Nju Jork të SHBA-së ku i kalon afro 20 vjet, deri në vdekje më 3 prill 2023. Avdiu në Vishnjevë dhe Martinaj dha kontribut të dukshëm në edukimin dhe arsimimin e shumë brezave të rinj të cilët sot janë figura të njohura, të shquara dhe eminente në jetën politike, shoqërore, artistike kulturore në Plavë, Guci, Mal të Zi, Kosovë, por edhe anekënd botës.

Mësuesi Avdi Sylë Prelvukaj u varros më 10 prill 2023 në varrezat e vendlindjes në Martinaj me nderimet më të larta. Pjesëmarrja masive e të pranishmëve në ambientin e Shtëpisë së Kulturës në Martinaj dhe lamtumira e tij e fundit për në shtëpinë e përmotshme në varrezat e fshatit, ka dëshmuar për figurën dhe personalitetin e tij njerëzor, intelektual e profesional. Ai pas vetes la bashkëshorten Xhemile Qosaj-Prelvukaj, djemtë Afrimin e Agronin dhe vajzat Afërditën, Shefkijen, Hatmanen dhe Jerinën, të gjithë jashtë vendlindjes (SHBA, Gjermani e Kosovë).

Avdi i nderuar, pusho i qetë në gjirin e vendlindjes! Të qoftë i lehtë dheu mbi varrin tënd. /Plava e Gucia Sot/

By admini