I vetmi ilaç për kotësinë është e qeshura

Henri Begson

Nga Stefan Çapaliku

Hyrje

Nganjëherë, ajo që aq mendjelehtësisht e thërrasim “Barcaletë”, është një histori e thjeshtë dhe e vertetë. Më tregonte njëherë aktori Bep Shiroka për të ëmën, që i ishte plakë. Ngrihet natën, më thoshte, qëllon që ngrihet disa herë për të shkuar në banjo dhe pastaj në mjes, kur ulemi të pimë kafen, duke pasë gjithashtu të freskët kujtimin e të shoqit, më pyet me seriozitetin më të madh: “Mos kam gja prostatën more Bep?”

Herë të tjera barcaleta është diçka krejtësisht e sajuar, si puna e asaj që thotë se kishin rrahë dikë për vdekje në Zall të Kirit[1] ngaqë kishte treguar dy herë të njëjtën barcaletë.

Herë të treta është si një kuiz me pyetje dhe përgjigje të thukta, si përshembull kur polici pyet shefin: Si shkruhet Iran apo Irak?

E përbashkëta? E qeshura. Dhe pastaj përcjellja te një tjetër njeri dhe prodhimi i një infrateksti.

         Kësisoj barcaleta prezanton një ritual të vërtetë. Kjo ndodh jo vetëm sepse i jep narratorit fjalën, duke imponuar një rol pasiv ose vartës për audiencën, por edhe sepse, pasi mbaron një barcaletë, një anëtar i audiencës ka të drejtë të tregojë një tjetër, duke heshtur narratori i parë. 

Në analizën e Sigmund Frojdit, Witz[2] është një gjuhë e pavetëdijes, njësoj si ëndrrat, gabimet apo simptoma të tjera. “Witz-i ka një përmbajtje të dukshme dhe një përmbajtje të fshehtë: e qeshura shkaktohet nga rishfaqja e përmbajtjeve të hequra dhe nga shmangia e frenimit shtypës”[3].

E megjithëatë është e paqartë prejardhja e fjalës “Barcaletë”. Dimë se ajo vjen nga latinishtja mesjetare. Kurse në gjuhën shqipe ka hyrë direkt e nga italishtja “Barzelletta”. Gjithsesi kudo që të përdoret, barcaleta kupton një tregim komik, të mprehtë, me kripë, të yndyrshëm, pikant, në lidhje me një përson publik ose shumë familjar me ne. Ndër popuj të tjerë jo neolatin ky rrëfim thirret me emra të tjerë si p.sh “shutka” ose “anekdot” te rusët, “joke” te anglezët apo “witz” te gjermanët.

Nuk është e lehtë ta ndashë barcaletën nga rrëfime të tjera komike, humoristike, satirike, ironike, groteske, etj. Por barcaleta duket se ka lindur më së pari për t’u treguar me gojë dhe për të krijuar të qeshura.

Prej kohësh dhe qartësisht është rënë dakort. se e qeshura është një fenomen social. “Na pëlqen të qeshim ndaj edhe preteksti më i vogël vlen”, shkruan Henry Bergson te libri i tij i famshëm “E qeshura”[4].

Të njëjtën gjë pakashumë konfirmon edhe neurologu dhe profesori i Psikologjisë i Universitetit të Merilandit në veprën e tij me famë botërore “Qeshja”[5] 

Është e pashpjegueshme lehtë nga pikpamja e antropologjisë kulturore se pse një vend shquhet për humor dhe një tjetër jo.

Humori anglez përshembull, i njohur dhe më shumë se i njohur, i mitifikuar në tërë botën, ka një qasje unike ndaj realiteit. Vetëironia e rëndë dhe sarkazma pothuajse e padukshme në të, e bën edhe më të pasigurtë pozicionin e rrëfimtarit. Çelësi për të kuptuar humorin anglez fshihet te aftësia jonë për të mos e marrë veten shumë seriozisht. Motoja e këtij humori kishte me qenë: “Tregoni gabimet tuaja, theksoni dështimet tuaja dhe do dukeni kështu më të përulur dhe më të disponueshme ndaj të tjerëve”. Kësisoj në humorin anglez nuk ka vend për ego. Pra nëse mund të hartohet një formulë e të bërit të humorit anglez, dy kushtet e domosdoshme kishin me qenë: kombino vetëironinë me një dozë të fshehtë sarkazmi dhe së fundmi mos e merr seriozisht atë që thua.

Një vend tjetër i rëndësishëm në planin global për humorin është edhe Rusia. Rusia mbahet si shtëpia e shakave budallaqe. Barcaletat hyjnë në jetën e rusëve që nga vitet e para të shkollës dhe, ashtu si elementet e para të mësuara në klasë, nuk harrohen kurrë për gjithë jetën. Të rriturit, dekada më vonë, vazhdojnë të qeshin me barcaletat e mësuara në vogëli. Ka diçka irracionale. Si duket irracionaliteti i mban gjallë. Figura e vjehrrës dhe e pijanecit janë protagonistët më të shpeshtë. Ndjenja e humorit rus është shumë e veçantë, dhe me të vertetë që me to mund të qeshësh me zë të lartë.

Po kështu dashnor të mëdhenj të humorit janë edhe fqinjët tanë italianë, të cilët i kanë falë barcaletës një pod në mes të fshatit për t’a treguar në raste festash. Po kështu edhe Spanja dhe Portugalia e kanë këtë lloj “estrada”[6], sic kanë bashkë me italianët edhe shprehjen “A e di të fundit?”

         Ndërkohë që ka vende të tjera që “as që u bie ndër mend me qeshë” ose qeshin në “mënyrë të planifikuar”, duke paguar njëherë në muaj një biletë për estradë.

Humori ballkanik

Në barcaletat ballkanike dallohet, ndoshta më mirë se kudo tjetër, karakteri oriental i mentalitetit të përbashkët: maskilizmi, dembelllëku, të jetuarit sot për sot, qylllëku, “haja qenit, pija qenit”, “duke pyetë gjen Stambollin” etj.

Kaq është e vertetë kjo saqë mendoj se te barcaletat ballkanike vertetohet plotësisht teza e antropologes bullgare Maria Todorova, e cila në librin e vet të famshëm “Ballkani imagjinar”[7] konkludon se ajo çfarë na bën kulturalisht bashkë ne popujve ballkanikë është sfondi oriental, turk.

Ashtu si Shkodra në Shqipëri, pothuajse çdo vend tjetër ballkanik e ka nga një “kryeqytet humori”. Kështu përshembull Bullgaria ka qytetin e Gobrovit[8], Serbia qytetin e Pirotit, Kroacia qytetin e Splitit, Mali i Zi qytetin e Cetinjës, etj.

Shpesh ngjashmëritë midis barcaletave që qarkullojnë ndër gjuhë të ndryshme të Ballkanit janë absolute. Kështu përshembull, barcaleta jonë që i jep përgjigje pyetjes: se pse gjirokastritët nuk mbajnë frigorifer në shtëpi? Sepse kanë frikë se i ngelet drita ndezë edhe mbasi mbyllin derën, gjendet në formë identike në Gobrov të Bullgarisë.

Ky fenomen mund të përfshihet në atë kategori teorike që e ka origjinën ndër legjenda dhe përralla e që thirret “Shtegtimi i subjekteve”

Karakteristike e humorit ballkanik është edhe batuta, e cila vetpërjashtohet nga barcaleta për shkak të mungesës së narracionit.

Shkodra si kryeqytet i humorit.

Shqiptarët e kanë përdorë humorin për të lehtësuar momentet më të shëmtuara dhe të pakëndshme, për të sulmuar apo për ta marrë me mendje të lehtë. Shkodranët posaçërisht e kanë përdorë qeshjen si një lloj ilaçi kur jeta bëhej e vështirë për ta dhe për të tjerët rreth tyre, sepse në fund të fundit nuk mund të gjeje një ilaç që kushtonte ma lirë se të qeshurën.

Se çfarë lidhjesh të nëndheshme mund të gjenden midis Shkodrës dhe humorit, është e vështirë të thuhet në këtë libërth. Por ama historitë e shkodranëve qysh se mbahen mend janë të kripura me humor. Fjala e urtë popullore: “Nëqoftëse nuk di me qeshë, mos hap dugajë!” gjendet vetëm në Shkodër e askund tjetër.

Dhe sa herë që bie fjala te humori dhe lidhja e tij e pashmangshme me personin që e tregon, më shkon mendja te kjo histori: Duhet të ketë qenë Nandori i vitit 1958, kur provat për vënien në skenë të operas së parë shqiptare “Mrika” kishin arritë kulmin e vet. Preng Jakova, heroi i gjithÇkaje: kompozitori, dirigjenti i orkestrës, dirigjenti i korit, producenti. Lodhja duhet të kishte marrë përmasa mbinjerëzore te ai burrë. Dhe ashtu i këputun, vonë darkave kur kthehej për nga shpija e bante rrugën me fagotistin e orkestrës, djaloshin e talentuem të humorit, Tano Banushin.

– Tano! Kam ndëgjue një barcoletë që kisha dashtë me ta thanë, për me ma tregue mandej ti.

Kështu pra kompozitori është ndoshta i pari që na ka lënë trashëgim të kuptuarit e diferencës midis “të thanmes” e “të treguemit”.

Sepse duhen tre vetë për ta shijuar deri në fund një barcaletë, thonë anglezët. Një që e tregon bukur. Një që e merr vesh mirë dhe një që s’e merr vesh hiç. Doza e humorit kështu do rritet vetvetiu nga keqkuptimet e krijuara ashtu “pafajësisht”.

Shkodra ka qenë historikisht e dalluar edhe për aktorët e vet të famshëm komikë, mirëpo siç me të drejtë shkruan Jim Holt: «Barcaletat janë produkt i zgjuarsisë njerëzore… që shërbejnë për t’i çliruar njerëzit nga torturat e komikëve profesionistë»[9].

Mbi tipologjitë e tregimit ose narrativat

Barcaleta dallohet për lojën e fortë dhe të pamëshirshme ndaj receptuesit. Kjo “lojë” realizohet nëpërmjet kombinimeve fatlume të “denotacioneve”[10] dhe “konotacioneve”[11] të fjalëve. Dhe për të ilustruar sa më sipër, mund t’ju them me siguri se nuk kam gjetë një shembull më të mirë sesa ai i barcaletës së Tefë Palushit me “Hotel Tirana International”. Dhe për t’i shkuar këtij shpjegimi deri në fund duhet të dimë se në kohën e komunizmit fjalët “mbrendë” dhe “jashtë” kanë pasë konotacione të forta politike. “Me hy mbrendë” ka lënë të kuptojë burgun, kurse “Me dalë jashtë” ka nënkuptuar vendet e huaja. Kështu që komprimimi, ngjeshja kuptimore që i jep Tefë Palushi anekdotës së vet është në vetvete anekdodike. Ai e ka fjalën për vizitën që bën te pesëmbëdhjet katëshi, Hotel Tirana pra, thotë se: “Kur hyna mbrendë, si me dalë jashtë dhe kur dola jashtë si me hy mbrendë”. E nis me denotacion (kur hyna mbrendë) dhe e vazhdon me konotacion (me dalë jashtë) dhe përsëri denotacion dhe konotacion. Mbaj mendimin se kjo barcaletë në dijen time është ndër më të bukurat dhe më të fortat kundër regjimit komunist në të gjitha vendet e Lindjes.  

         Nga ana tjetër ka barcaleta që janë të mbështetura kryekëput te mjeshtria e atij që e rrëfen.

Ma ka treguar vetë Tano Banushi. Ka qenë një darkë e gjatë në shpinë e tij, diku në dimrin e vitit 1991. Historia nuk ka kurrfarë subjekti në kuptimin klasik dhe kurrfarë suspanse. Eshtë e gjitha e mbështetur në artin e rrëfimit. Me dy fjalë ajo mund të riprodhohet kësisoj:

“Po kthehesha në shpi. Dimër. Erret herët. Mendoj se s’kishte qenë keq me u kthye te klubi në Serreq[12]. Hy mbrenda. Askush në klub veç banakierit, Linit[13], dhe një tipi atje në fund të banakut, që pinte në kambë.

– Një teke Lin!

Marr teken e rakisë e ashtu në kambë te banaku përshndes për edukatë atë robin, i cili mezi prêt me hy në bisedë me dikë dhe më afrohet. Kaq u desht. Bamë sikur e njihshim njeni-tjetrin dhe ai porositi dy teke. Lini lëshon teket mbi banak dhe vazhdon me u marrë me punët e veta.

E kështu duke pi ashtu afër me njeni-tjetrin vë re se një bisht çadre e mbështetun mbi banak rrinte nga ana e ime. E shtyj. Mandej porosis edhe unë dy teke për me ia kthye disi borxhin zotnisë, e bishti i çadrës prapë nga ana e ime. Hej more dreq.

– Më falni. A asht e jueja kjo çadër?

– Jo – thotë i panjohuni. Unë kujtova se asht e ytja e prandaj e shtyja nga ti.

– Ashtu?! Lin dikush paska harrue këtë çadër te banaku. Urdho e merre se me siguri ka me ardhë e me e kërkue.

– M’u hiqni qafe me ato çadra – na kthehet me nerva Lini – Vini këtu, pini, harroni çadrat, e mandej duhet me e mbajtë përgjegjësinë unë. Ban çka të duesh me të.

Atëhere ai zotnia porositë edhe dy teke të tjera e ndërkaq unë e shtyjë prapë çadrën nga ana e tij. Në fund, kur Lini lëshon alarmin se po e mbyllë dyqanin çadra ka mbetë nga ana ime.

Po bukuri. Jashtë po rigonte pak kështuqë kthehem me çadër të huej në shpi.

Të nesërmen sa isha duke dalë nga shpija, veç kur dëgjohet zani i grues, Lajdes:

– Tano! E kujt asht ajo çadër që na ke prue mbramë në shpi? Merre e çoje aty ku e ke marrë!

E kështu, dal edhe një herë me çadër në krah. Nisë një ditë e re. Mandej darkë. Dimër. Erret herët. Mendoj me vete se s’kishte qenë keq me u kthye te klubi në Serreq për me e lanë atë dreq çadret. Hy mbrenda. Askush në klub veç banakierit, Linit dhe një tipi atje në fund të banakut që pi në kambë.

– Deshta me e lanë këtë çadër që mora mbramë Lin.

– M’u hiq qafe me punë çadrash. Vini këtu, pini, harroni çadrat e mandej duhet me e mbajtë përgjegjësi unë. Ban çka të duash me të.

– Ashtu?! Mirë pra. Një teke!

Marr teken e rakisë e ashtu në kambë te banaku përshendetë për edukatë atë tipin, i cili mezi prêt me hy në bisedë me dikë dhe afrohet. Kaq duhet dhe ai robi porositë dy teke. Në fund vë re me dëshprim se çadra ka mbetë përsëri nga ana ime. E tmerrshme. Të nesërmen:

– Tano! E kujt asht ajo çadër që na ke prue mbramë në shpi? Merre e çoje aty ku e ke marrë!”

Dhe historia vazhdon në mënyrë pashmangshmërisht simetrike…

Ajo që e mban në kambë këtë histori kaq të thjeshtë mendoj se është papërputhshmëria absolute midis shkakut dhe pasojës apo krijimi i pasojës larg cdo pritshmërie që propozohet nga shkaku[14]. Pra nësë pritshmëria për shkakun se Lini bërtet dhe i thotë t’i hiqeshin qafe, kishte me qenë se ata të dy cohen e dalin, në tregimin e Tanos, prodhohet një pasojë krejtësisht tjetër: porositen edhe dy teke me raki.

         Humori, duke qenë një produkt bio në përgjithësi vjetërohet shpejt. Dy faktorë i vijnë hakut humorit përdorimi i shpeshtë dhe shndërrimet kontekstuale. Kaq është e vertetë kjo sa në përgjithësi rrëfimtari i mirë i barcaletës gjithmonë pyet përpara, si p.sh: “A e dini atë barcoletën me atë policing që i kishte humbë kapela?”. Është shumë e rëndësishme sesi e formulon ai pyetjen. Ai pyet pa e nxjerrë “sekretin” e barcaletës, derisa njerëzit thonë: jo nuk e dimë ose e dimë, e dimë ose ka prej atyre që megjithëse e dinë kanë qef ta dëgjojnë edhe njëherë prej tij.

Faktoi i dytë ose shndërrimet kontekstuale, ka të bëjë me realitetet e reja që sjellin zhvillimet e fushave të ndryshme. Kështu përshembull në fillim të viteve 2000 shërbimi i telefonisë celulare ishte kaq i shtrenjtë, sa që kishte kuptim ajo barcaleta me gjirokastitin, që po i digjej shtëpia, e kur e pyesin se a i ka lajmëruar zjarrfikësit, i thotë po, se i kam çuar një zile. Kurse sot mbas më pak se dy dekadash kur shërbimi cellular është bërë thuajse falas kjo barcaletë nuk ka më kuptim.  

Humori politik ose një polemikë me antropologen austrialiane Shannon Woodcock[15]

Ka qenë me të vertetë tronditëse për mua kur mësova se një antropologe mjaft active e kohëve tona, Shannon Woodcock shkruan se: “The absence of Albanian jokes about socialism, or Why some dictatorships are not funny”[16].

Duke reflektuar rreth këtij konkluzioni të saj mendova që antropologia australiane Shannon Woodcock të mos ketë thënë diçka më humoristike në jetën e saj sesa frazën: “Mungesa e talljes me socializmin shqiptar ose pse disa diktatura nuk të bëjnë të qeshësh” 

Në krye të studmit të saj zonja e nderuar shkruan: “Gjatë dy viteve që kam jetuar dhe punuar në Shqipëri, nga viti 2003 deri në 2005, shqiptarët më treguan barcaleta që përshkruanin stereotipat rajonal, dallimet midis katundarëve dhe qytetarëve dhe problematikat e bashkëjetesës midis myslimanëve, katolikët dhe ortodoksëve. Por ajo që nuk e dëgjova në Shqipëri ishin barcaletat për socializmin apo periudhën socialiste; Kam dëgjuar plot barcaleta për politikanët bashkëkohorë, por jo për Enver Hoxhën, diktatorin e afër 40 vjetëve, apo regjimin e tij të izolacionizmit, mungesën kronike të ushqimit dhe punën e rëndë.[17]

Në respekt të seriozitetit të saj dhe impenjimit aq serioz për t’u marrë me Shqipërinë diktatoriale, mund t’i them se: ose bashkëpunëtorët e saj shqiptarë, prej të cilëve ka pretenduar të grumbullojë informacion kanë qëlluar tyça ose mundësia e penetrimit të saj në kodet dhe kontekstet e rrëfimeve gazmore ka qenë e papërshtatshme.

Sido që të jetë puna, mjafton që të përmendim, aq sa na e lejon ky doracak, si punonjësi operativ i sigurimit të shtetit raporton në qershor të vitit 1987 se filan fisteku, punonjës i uzinës elektronike në Tiranë, i kishte treguar këtë barcaletë:

“Kur vdiq Enver Hoxha u vendos të ngriheshin buste për nder të tij. Një bust do të ngrihej në Korcë, një në Vlorë, një në Gjirokastër dhe një në Shkodër. Për këtë skulptorët filluan të merrnin mendimin e njerëzve. Kur pyetën korcarët ata i thanë se Enverin e duam të duket i pashëm dhe i ri. Gjirokastritët e deshën të zgjuar, të fortë dhe të qeshur. Vlonjatët e donin trim dhe të ashpër. Kurse kur pyetën shkodranët ata ju përgjigjen: “Bëjeni si të doni, veçse të gjallë jo”[18].

Në një tjetër dokument kemi qëndrimin e strukturave të Partisë së Punës ndaj këtij fenomeni. Mjafton të citojmë këtu shkresën e Komitetit të Partisë së Punës së Rrethit Dibër, me një shkresë të datës 6.4.1973 drejtuar Komitetit Qendror të Partisë së Punës, me anë së cilës njoftonte se: “Ka kohë që qarkullojnë anekdota e barcaleta, të cilat na duket se dëmtojnë formimin e opinionit të shëndoshë revoucionarë. Në pamjen e parë ata të japin përshtypjen se bëhen për humorë, për të kritikuar të metat. Sukseset tona në të gjitha fushat e jetës janë të mëdha e të pakrahasushme. Të meta e dobësi ka, ndaj të cilave Partia ka luftuar e lufton, por ato mendojmë se nuk meritojnë një trajtim të tillë, duke u future si anekdota për të kaluar kohën e lirë.”[19]

Në një dokument të tretë tregohet për një barcaletë me një kavajas, i cili kur vdes e shkon në botën e përtejme, i afrohet veç një alternativë: me zgjedhë midis Xhenemit[20] kapitalist e atij socialit. Dhe kavajsi zgjedh xhenemin socialist duke arësyetuar se në socializëm nuk ka dru e nuk kanë me se ta djegin.

Poeti rus që i mbijetoi Gulagut, Lazar Shereshevski, thoshte se: ”Barcaletat ishin rruga për të thënë të vertetën dhe ju mund ta tregoni të gjithë historinë e komunizmit nëpërmjet barcaletave”[21]

Përsonazhe barcaletash apo autorë të tyre?

Siç e cekëm edhe më sipër barcaleta ka lindë për t’u treguar. Ajo nuk shkruhet. Thjeshtë dokumentohet. Ai që merr përsipër ta shkruajë barcaletën gjendet para një sfide, të barabartë me zgjidhjen e një ushtrimi stilistik.

Njerëzit e thirrur për të treguar barcaleta janë të veçantë, qenie speciale, që shoqëria do t’i jetë gjithmonë borxhlije. Ata, që ngandonjëherë i lëmonin këto histori, duke i kthyer në gurë zalli që rrokulliseshin lehtësisht nga një breg në tjetrin dhe që herë të tjera i thyenin duke i krijuar thepa, që të gërvishnin sado të trashë ta kishë lëkurën, kanë qenë përgjithësisht të njohur në qytetin e Shkodrës.

Ata ishin si “bardë” ose si “arlekino”, që rrinin kryesisht nëpër kafenetë e mejhanet e veta. Në përgjithësi shoqëria mediokre, e tredhur, meskine dhe erzlije i ka thirrë “barcaletaxhinj” dhe sa më shumë që i ka ndjekur dhe shijuar, aq më shumë i ka përbuzur. Për shoqërinë sterile e sojlie këto tipa ishin kryesisht disa pijanecë, familjarë të dyshimtë dhe që merrnin nëpër gojë edhe njerëz të ndershëm dhe me pushtet.

Nuk e di s’e çdo kenë menduar këto njerëz kur Filip Daija i çon kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme, gjeneral Hilmi Saitit, një mushkë të ngarkuar me degë të thata e të drejta lisi dhe porositë katundarin t’i thotë rojes te dera se e i ka per kryetarin nga Filipi?! Ka rrezik që ma shumë të kenë ndenjur atë natë pa gjumë ata që e kanë dëgjuar se ai që e ka treguar.       

Figura si Kolë Tivari, Rrok Prenduca, Pjetër Gjini, Filip Daija, Tefë Palushi, Bik Pepa, Mergim Muja etj. ishin të njohur në të gjithë qytetin. Po kështu ndërmarrjet e ndryshme socialiste kishin “komikët” e vet të fshehtë dhe në përgjithësi të gjitha kolektivat e tjerë punonjëse.

Ndërkohë ishin sajuar edhe personazhe të cilët edhe pse nuk kishin asnjë lidhje me humorin, i visheshin barcaleta nga më të ndryshmet me theks të fortë politik. Tipik për këtë kategori ishte dukagjinasi Pal Vata, i ati i një vajze 16 vjeçare, Shkurtes, e cila vdiq aksidentalisht në ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë-Fier. Pali, viktimë totale e sistemit, u mediatizua si personi që i falte Partisë gjakun e vajzës së vet dhe shkonte ai vetë si vullnetar për të zëvendësuar të bijën. Kjo figurë groteske, analfabete, u bë aq qesharake me entuziazmin e vet të parafabrikuar saqë iu veshën barcaleta të dimensioneve surrealiste.

Edhe humori shqiptar në përgjithësi dhe ai shkodran në veçanti njeh fazat e veta të zhvillimit. Sa i takon humorit politik, kulminacioni i vet u arrit në periudhën e varfërisë së madhe 1980-1990. Nëpër rradhat e famshme që viheshin që me natë për të marrë qumështin apo edhe ndonjë arsotiment tjetër ka pasur një “hare” që i ngjante një antikorpi kundër çmendurisë.

Në fund të viteve ’80 policia shqiptare u pais me radio transmetuese, të cilat me gjasë nuk i hynin kurrë në punë. Një polici të tillë të paisur dhe që patrullonte në lagjen Parrucë i thotë një qytetar, të cilit i mbaroi qumështi ndër turinj:

-Shoku polic! A mund ta pyesësh me radio atë policin te Dugajtë e Reja[22] se mos ka mbarue qumështi edhe atje? 

Kështu shprehja “A e ke dëgjue të fundit?” u bë më se e zakontë. Po afrohej kësisoj fundi i sistemit dhe ashtu siç e thotë vetë kryeideologu i komunizmit Karl Marks : “Faza finale e çdo sistemi politik është komedia”[23]

Përëndimi i humorit shqiptar.

Barcaleta është një formë humori që vjen dhe shkon bashkë me lindjen dhe vdekjen e një civilizimi. Ajo është një shpërthim verbal sintetik, me rrënjë në një moment historik dhe me karakteristika të qarta.

Përëndimi i humorit shqiptar mendoj se në krye të herës ka lidhje me moskujdesin institucional për mbledhjen dhe promovimin e tij. Ky moskujdes ngjan të këtë një prapavijë politike. Harresa e së djeshmes bashkë me aksesorët e vet dhe me gjithë anturazhin spiritual, përfshirë këtu edhe rezistencën paqësore e të heshtur, shprehje e të cilave kanë qenë edhe barcaletat, është pjesë e recetës për sigurimin e një amnezie të plotë të shoqërisë.

Disa mbledhje të barcaletave të Shkodrës kanë qenë shumë sporadike dhe fatkeqësisht nuk kanë pasë recepsionin e meritueshëm. Kështu përshembull mbledhës si Gjush Sheldija, Angjelin Kumria apo Gjovalin Qyrsaqi edhepse dhanë një kontribut të shkëlqyer në inventarizimin e kësaj pasurie, nuk gëzuan vemendjen e merituar publike.

Barcaletat shqiptare, fatkeqësisht, nuk bëjnë pjesë në asnjë antologji mbi Europën komuniste. Një ndër autorët që është marrë eskluzivisht me rolin e barcaletave në rrëzimin e Murit të Berlinit, Ben Lewis[24], as që e ka marrë në konsideratë Shqipërinë dhe produktin e saj shpirtëror përgjatë përjetimit të dimensioneve më shtazore të komunizmit. Ai sigurisht që nuk ka gjetur asgjë të botuar jo vetëm në gjuhë të huaj, por as edhe në shqip. E megjithëatë vepra e tij vazhdon të kryejë rolin e një guide mbi humorin e zi antikomunist.[25]

Numri i barcaletave gjatë tranzicionit pati një rrudhje. Barcaletat u  varfëruan dhe u mediokritizuan. Sa më shumë rriteshin dimensioned e lirisë së fjalës, aq më shumë zvogëlohej numri i tyre dhe aq më shumë banalizoheshin dhe humbisnin elegancën e finesën, botën e fshehtë, tunelet e nëndheshme.

Janë pak barcaletat politike përgjatë tranzicionit. Tregonin përshembull se kur në Shkodër në mesin e viteve ‘90 ishte një kryetar bashkie që kishte organizuar një takim ndërkombëtar të kryetarëve të bashkive të rajonit, mbas një darke kamarieri i qe afruar tavolinës dhe i kishte pyetur se ç’dëshëronin të pinin. Dikush kishte porositur “Johnnie Walker”, dikush “Chivas Regal”, e dikush tjetër “Jack Daniels”, e ky i yni (që me gjasë nuk dinte anglisht) kishte shqiptuar, ashtu si nëpër dhëmbë, emrin e mbiemrin e vet, duke kujtuar se po prezantoheshin.

Gjithashtu për liderin historik të tranzicionit, Sali Berishën, ka qarkulluar, jo pa frikë, një si punë barcolete, se kur kishte qenë duke vozitur i qe përmbysur varka dhe e pat shpëtuar një fshatar që gjendej aty në breg. Çfarë mund të bëj për ty? I kishte thënë Saliu. Asgjë, qe përgjigjur fshatari veç mos i thuaj njeriu se të shpëtova unë.

Po kështu, mbas viteve dymijë, kur në skenën politike shqiptare u shfaq edhe një parti e tretë, LSI[26], me gjithë arrogancën e vet për të qenë e përfaqësuar në të gjitha nivelet e qeverisjes, doli në Shkodër barcaleta sesi në xhaminë e një katundi ishte emëruar një hoxhë i ri që e kishte sjellë LSI.

E tani së fundmi një grua e re që sapo kishte lindë hyn në farmaci me marrë ca ilaçe për foshnjën që e kishte pa qejf. Kur merr të paguajë, shikon se shifra është e tmerrshme për buxhetin e saj dhe i thotë farmacistes: Ej moj zonjë, s’qenkan asgja dhëmbjet e lindjes sa qenkan të Rilindjes[27].

Me interes të veçantë janë edhe barcaletat që kanë zbarkuar bashkë me emigrantët shqiptarë dhe bëmat e tyre atje. Një syresh që mua më pëlqen shumë është edhe kjo:

“Një emigrant shqiptar në Italinë e Jugut duke punue në një magazinë që shet shalqinj me shumicë. Afrohet një plak, katundar Italian, dhe e pyetë se sa asht kilja e bastanit. Shqiptari përpiqet me ia shpjegue se nuk shesin me pakicë dhe me e shmangë me lezet. Mirepo katundari këmbëngulë dhe kulmi arrin kur kërkon vetëm një gjysëm shaqini se asht i vetëm e nuk mund ta hajë të gjithin. Atëhere shqiptari niset t’i thotë kapos, por nuk e vë re se e ka italianin mbas shpatullave.

– Ej shef! Ka ardhë aty jashtë një idiot që kërkon me ble një gjysëm shalqini.

E ndërkohë vë re shefin që po i bën me shenjë se e ka mbas shpatullave katundarin. Atëhere shqiptari kthen paksa kokën dhe vazhdon gjithë edukatë:

-Mandej asht edhe ky zotnia që do gjysmën tjetër.”    

E megjithatë shpresa vdes e fundit. Sot barcaletat në Shkodër po përpiqen t’i mbajnë gjallë figura si Nexho Shabani, Fatmir Bashli, Tonin Çekliqi, Gjergj Spathari e ndonjë tjetër.

Bibliografia

1.      Bergson, Henri. “E qeshura”, Tiranë, 2015

2.      Freud, Sigmund. “Der Witz und seine Beziehung zum Unbewussten”. Franz Deuticke, Leipzig – Wien, 1905. F.24

3.      “Gabrovo Humour”. Anecdotes and Jokes about Gabrovians. The collection was compiled by ethnologists Tatyana Tsankova, and Venera Kozareva.

4.      Holt, Jim. “Senti questa. Piccola storia e filosofia della battuta di spirito”. Guidemoizzi , 2009

5.      Lewis, Ben. “Hammer And Tickle: A History Of Communism Told Through Communist Jokes”. Weidenfeld & Nicolson (2008)

6.      Marx, Karl. “Deutsch-Franzosische Jahrbucher, 1884”

7.      Provine, Robert R. “Laughter”, Viking Penguin, 2000

8.      Relacion i një bashkëpunëtori të Sigurimit të Shtetit. Arkivi i Ministris së Punëve të Brëndshme, F.145, V.1987, D.1, fleta 8-12

9.      Shereshevsky, Lazar. “Comedy of terrors”, New York, 2008

10.    Todorova, Maria. “Imagining the Balkans”. Oxford University Press,2009

11.    Woodcock, Shannon. “The absence of Albanian jokes about socialism, or Why some dictatorships are not funny” in The Politics and Aesthetics of Refusal, edited by Caroline Hamilton, Will Noonan, Michelle Kelly and Elcine Mines Cambridge Scholars Press, Newcastle, 2007


[1] Lum në Shkodër

[2] Barcaleta në gjermanisht.

[3] Freud, Sigmund. Der Witz und seine Beziehung zum Unbewussten. Franz Deuticke, Leipzig – Wien, 1905. F.24

[4] Bergson, Henri. E qeshura. Tiranë, 2015, f.118

[5] Provine, Robert R. Laughter, Viking Penguin, 2000

[6] Estrada – fjalë që vjen nga “strada”-rrugë dhe ka kuptimin e një podi që vendoset në rrugë për të dhënë shfaqje humoristike.

[7] Shih: Todorova, Maria. Imagining the Balkans. Oxford University Press,2009

[8] Shiko p.sh: GABROVO HUMOUR. Anecdotes and Jokes about Gabrovians. The collection ëas compiled by ethnologists Tatyana Tsankova, Research Associate and Venera Kozareva.

[9] Holt, Jim. Senti questa. Piccola storia e filosofia della battuta di spirit. Guidemoizzi , 2009

[10] Denotacion: kuptimi i parë dhe i drejtëpërdrejtë I fjalës.

[11] Konotacion: kuptimi figurativ që fiton fjala gjatë përdorimt ndër kontekste të ndryshme.

[12] Lagje në Shkodër

[13]Shkurtim i emrit Gjovalin

[14] Bergson, Henri. E qeshura”, Tiranë, 2015, f.117

[15] Shannon Woodcock është specialiste në diskursin dhe dhunën raciste, veçanërisht për historitë e rasteve anti-rome në Rumani; për romët rumunë që i rezistuan holokaustit; për ligjërimet post-socialiste të seksualitetit. Gjithashtu ajo ka kontribuar në analizën e identiteteve në Evropën Lindore dhe në historinë e jetës së përditshme në Shqipëri nën regjimin e Enver Hoxhës (1945-1985). Aktualisht jeton në Australi.

[16] The Politics and Aesthetics of Refusal, edited by Caroline Hamilton, Will Noonan, Michelle Kelly and Elcine Mines Cambridge Scholars Press, Newcastle, 2007

[17] Po aty

[18] Relacion I një bashkëpunëtori të Sigurimit të Shtetit. Arkivi i Ministris së Punëve të Brëndshme, F.145, V.1987, D.1, fleta 8-12

[19] Relacion dërguar shokut Gafurr Çuçi,

[20] Ferrit

[21] Shereshevsky, Lazar. Comedy of terrors, Neë York, 2008

[22] Lagje në Shkodër

[23] Marx, Karl. Deutsch-Franzosische Jahrbucher, 1884

[24] Ben Lewis është një gazetar i famshëm i BBC, fitues I mjaft çmimeve dhe bashkëpunëtor I rregullt I “Evening Standard” dhe “Sunday telegraph”

[25] Lewis, Ben. Hammer And Tickle: A History Of Communism Told Through Communist Jokes. Ëeidenfeld & Nicolson, 2008

[26] Lëvizja Socialiste për Integrim.

[27] Rilindje, projekti politik I Partisë Socialiste me në krye Edi Ramën.

By admini