Nderime tek varri i Senatorit Dole në Varrezat Kombëtare në Arlington, afër Washingtonit — E pranishme edhe familja Dole

 Nga Frank Shkreli

“Tani është koha për të vepruar.  Tani është koha për të marrë një qendrim të fortë në mbështetje të drejtave të njeriut dhe demokracisë në Jugosllavi. Tani është koha për të marrë një qendrim vendimtar – jo kundër ndonjërit prej kombeve që përbejnë Jugosllavinë – por kundër një tiranie komuniste.”  Senatori Bob DoleNjoftim per median, 20 Shtator, 1990, pasi delegacioni i Senatit i kryesuar prej tij, ishte këthyer në Washington nga vizita në Prishtinë, një vizitë e cila sipas shumë analistëve, zgjoi ndërgjegjen amerikane dhe botërore ndaj tmerit që po ndodhte në Kosovë.

Ky ishte qendrimi i fortë i Senatori Robert Dole në mbrojtje të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Kosovë dhe anë e mbanë ish-Jugosllavisë. Por, ishte edhe qendrimi i fortë — i këtij burrë-shtetasi të madh amerikan dhe mik i dedikuar në mbrojtje të drejtave të Kombit shqiptar – kundër regjimit të diktatorit serb Millosheviçit — asaj “tiranie komuniste”, siç e ka cilësuar Senatori Dole. Ka qenë Xhim Xhema ai i cili kishte kërkuar nga miku i tij Senatori Dole dhe kolegët e tij senatorë, që të shkonin në Kosovë në gusht të vitit 1990 dhe të shikonin për veten gjëndjen e krijuar atje – që ata më vonë e cilësuan si tmeret që po ndodhnin në Kosovë.  Xhim Xhema, aktivist i njohur i çeshtjeve shqiptare dhe mbrojtës — i pa asnjë interesi personal — i të drejtave dhe lirive kombëtare të shqiptarëve dhe mik i ngusht për dekada i Senatorit Dole, ka thenë se pa Senatorin amerikan, republikanin Robert Dole, Kosova nuk do të ishte sot e pavarur. Unë do doja të shtoja se pa Xhim Xhemën, shqiptarët nuk do të kishin një mik aq të madh siç ishte Senatori Bob Dole. Dhe pa kontributin e vyer të bashkatdhetarit tonë të nderuar, Z. Xhim Xhema – këtij shqiptari dhe amerikani të madh – kam drojë se Kosova nuk do të ishte ajo që është sot.

Ishte ky Xhim Xhema — aktivisti i shquar prej dekadash i çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara dhe miku i ngusht i ish-Senatorit amerikan, republikanit Robert Dole — ai i cili këtë javë organizoi udhtimin dhe i priu një delegacioni shqiptaro-amerikanësh për një vizitë në Washington, ditën e enjtë me 2 Shkurt, 2023 – në përvjetorin e parë to varrimit të Senatorit Bob Dole — për të bërë nderimet e rastit ndaj këtij miku të madh të shqiptarëve.  

Z. Xhim Xhema dhe dhjetëra anëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan nga Nju Jorku morën pjesë në ceremoninë përkujtimore (të organizuar nga Z. Xhema), që u zhvillua në Varrezat Kombëtare të Arlingtoni, afër Washingtonit.  Mori pjesë gjithashtu edhe familja Dole, së bashku me miqtë shqiptaro-amerikanë të ish-Senatorit Dole. Ceremonia pranë varrit të Senatorit Robert Dole në Varrezat Kombëtare të Shteteve të Bashkuara ishte e përzemërt, plotë ndjenja, respekt, kujtime të mira dhe mirënjohje për këtë amerikan të madh. Aty pranë varrit të tij – në 1-vjetorin e varrimit — ne shprehëm respektin dhe nderimin e madh që, si pjesë e këtij komuniteti dhe si shumë shqiptarë kudo, kanë për ish-Senatorin Dole. I pranishëm aty ndodhej edhe ish-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Ramush Haradinaj, në Washington për takimin vjetori, Mengjesi i lutjeve. 

Xhim Xhema, organizuesi i këtij përkujtimi — aktivisti dhe miku i ngushtë i ish-Senatorit Dole – përshëndeti, shkurtimisht, të pranishmit me rastin e 1-vjetorit të varrimit të mikut të tij prej dekadash: “Jemi mbledhur për të nderuar Senatorin Bob Dole – një hero dhe një burr-shtetas të madh amerikan. Senatori Dole ishte një udhëheqës politik i respektuar, i cili ka shërbyer si udhëheqës i shumicës republikane në Senatin amerikan, për më shumë se një dekadë. Ai ishte një mbështetës i fortë i të drejtave të njeriut, i cili luftoi pa pushim për lirinë e shqiptarëve në Kosovë për më shumë se 30-vjetë. Ai ishte një figurë thelbësore në ngjarjet që çuan në rilindjen e Kosovës si shtet dhe do të mbahet mend gjithmonë  për kontributet e tija ndaj kauzës së lirisë dhe drejtësisë.  Trashëgimia e Senatorit Bob Dole vazhdon të frymëzojë. Brezat e ardhëshëm të Kombit shqiptar do të jenë përgjithmonë mirë njohës për punën dhe përpjekjet e tija”, ishin fjalët e Z. Xhim Xhema, pranë varrit të mikut të tij të shtrenjtë, por edhe mikut të madh të shqiptarëve, në përvjetorin e parë të varrimit.

Aty pranë varrit të tij – në këtë përvjetor, ne shprehëm respektin dhe nderimin e madh që ne dhe shumë shqiptarë kudo, kemi për Bob Dole.

Ishim aty për të falënderuar Senatorin Dole por njëkohësisht edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atdheun tonë të dytë, që jo vetëm na ka strehuar ne si emigrantë politikë, shumica jonë të ardhur në këtë vend, të arratisur nga “tirania komuniste”, siç e cilësonte Senatori Dole, regjimin komunist.

Por, ishim aty, gjithashtu, për të falënderuar Amerikën tonë të dashur e të bekuar,  që ka lindur burra si Senatori Dole, që i erdhën në ndihmë Kombit shqiptar në njërën prej periudhave më të rrezikshme në historinë e tij – pastrimit etnik dhe shpërnguljes me forcë të shqiptarëve nga trojet shekullore dardane, çfarosjes së shqiptarëve nga trojet e veta shekullore — nga një regjim barbar terrorist serb, përfaqsues i denjë i një tiranie komuniste sllavo-aziatike.

Ishim aty, në përvjetorin e parë të kalimit në amshim të një heroi amerikan por edhe të një heroi për shqiptarët — si përfaqsues të komunitetit shqiptaro-amerikan — që ta kujtojmë atë, për ta falënderuar atë për punën e tij të madhe dhe për dedikimin e tij të pakushtëzuar në mbështetje të popullit shqiptar gjatë një periudhe prej tri dekadash shërbimi si Udhëheqës i Senatit të Shteteve të Bashkuara dhe si një burrshtetas i dalluar i Amerikës tonë të dashur, e cila ka qenë gjithmonë pranë nesh, në kohë të caktuara e të vështira historike, nepërmjet bijve dhe burrave të saj, si Senatori Robert Dole.

Natyrisht, se me këtë rast, grupi i shqiptaro-amerikanëve nga Nju Jorku shkoi në Washington për të nderuar dhe falënderuar Senatorin Robert Dole dhe për nderuar kujtimin e tij.  Por, nuk do isha i sinqert me veten as me të tjerët, nëqoftse nuk them se Senatori Dole nuk ka punuar vetëm. Ka pasur bashkpuntorë.  Ai ka pasur gjithmonë ndihmën dhe mbështetjen e komunitetit shqiptaro-amerikan – në veçanti këshillat dhe ndihmën e bashkatdhetarit tonë të dashur e të nderuar, Z. Xhim Xhema. Z. Xhema është jashtzakonisht modest dhe të gjithë ne që e njohim, e dijmë, se atij nuk i pëlqen të flitet ose të shkruhet për ‘të dhe vepimtarinë e tij shembullore dhe të pa kushte patriotike, si dhe për vet-mohimin e kontributin e tij madhështor në interes të çeshtjes kombëtare shqiptare, gjatë dekadave. Por, do a s’do miku im dhe i shumë shqiptarëve, pa dallim, e vërteta duhet të thuhet: se unë nuk dua as ta marr me mend se ku mund të ishte sot Kosova pa miqësinë dhe bashkpunimin e ngushtë midis këtyre dy burrave të mëdhej – shqiptaro-amerikanit Xhim Xhema dhe burrshtetasit të shquar amerikan, Senatorit Robert Dole nga shteti Kansas i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për ata që besojnë: sikur vet Perendia i bashkoi këta dy burra për të punuar për shpëtimin e shqiptarëve dhe për të mirën e njerëzimit.

Pas ceremonisë pranë varrit të Senatorit Robert Dole, Z. Xhim Xhema shtroi një drekë për pjesëmarrësit në njërin prej restauranteve të njohur të Washingtonit, ku aktivistët shqiptaro-amerikanë takoheshin shpesh, me Senatorin Dole, në kulmin e aktiviteteve të tyre në Washington, gjatë 1980-ave dhe 1990-ave.

Ky udhtim në Washington dhe ceremonia pranë varrit të Senatorit Dole, ishte vetëm një përkujtim dhe falënderim për mikun e madh të shqiptarëve në përvjetorin e parë të vdekjes së tij. Shqiptarët, e sidomos Kosova, nuk i ka mbetur hak atij.  Prishtina zyrtare e ka përjetësuar historinë e ndihmës së Senatorit Dole për shqiptarët, Republikën e Kosovës, pavarësinë, lirinë dhe demokracinë e saj.  Republika e Kosovës, në mirënjohje, ka vendosur një pllakë dhe ka ngritur një statujë në qendër të Prishtinës në kujtim të vizitës së ish-Senatorit Robert Dole dhe 6 kolegëve të tij senatorë amerikanë në verën e vitit 1990. Siç dihet, pass asaj vizite, ishte Senatori Dole, ai që paralajmëroi i pari Washingtonin dhe botën për tmeret që kishte parë në Kosovë, me atë rast, ndërkohë që kishte paralajmëruar edhe fundin e ish-Jugosllavisë si shtet federativ. Bob Dole bëri që, nga ajo ditë e deri më sot, Washingtoni zyrtar të mos e shikonte kurrë më ish-Jugosllavinë siç e konsideronte deri atëherë, si një vend mike e Shteteve të Bashkuara me një reputacion ndër-shtetëror, që nuk do ta gëzonte kurrë më në Washington.

Ndërkaq, nga Nju Jorku dhe Washingtoni, shvendosemi për pak në Prishtinë, nga ku këto ditë erdhi lajmi shumë i mirë, të cilit iu gëzua pa masë komuniteti shqiptaro-amerikan. Një lajm për një gjest bujar e fisnik nga ana e Kryetarit të Bashkisë së Prishtinës, Z. Përparim Rama (i cili mori pjesë në drekën e shtruar në Washington në kujtim të Senatorit Dole), se Komuna e Prishtinës ka vendosur që, me rastin e 15-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, të emërojë një rrugë të Prishtinës me emrin, siç thuhet në njoftim, “Të heroit Xhim Xhema”, bashk-puntorit të ngushtë Senatorit Robert Dole:  “Me 45 vota PËR, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kryeqytetit vendosi ta përjetësojë veprimtarinë e paepshme të zotit Xhim Xhema për çështjen kombëtare, duke ia vënë rrugës “A” emrin e këtij njeriu të madh.   E nderojmë përkushtimin e tij të palëkundur për kauzën e lirisë dhe pavarësisë, duke ua sjellë ndihmën e krerëve të politikës amerikane popullit të Kosovës në kohët më të vështira”, thuhet në  njoftimin zyrtar të kryetarit të Komunës së Prishtinës, z.Përparim Rama.

Një nderim i madh dhe shumë i merituar nga bashkvëllëzrit e tij në vendlindje – me qëllim për të përjetësuar veprimtarinë patriotike shumë dekadshe të Xhim Xhemës, për lirinë dhe të drejtat e tyre përgjithmonë – pikërisht në 15-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe në 1-vjetorin e varrimit të mikut të tij të ngushtë dhe mbështetsit të madh të Kosovës, ish-Senatorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të ndjerit Robert Dole. I përjetëshëm qoftë kujtimi i tij.

By admini