Fundjavën që shkoi, në Ulqin filloi realizimi i projektit për edukimin mediatik dhe të menduarit kritik të të rinjve. Në sesionin e parë të këtij programi, të cilin e ndjekin të rinjtë nga Malësia dhe Ulqini, pjesëmarrësit u njohën me teknikat e integrimit në grup dhe ngritjen e nivelit të motivimit, parimet e komunikimit në grup, tejkalimin e paragjykimeve dhe stereotipeve, etj. Më pas, të udhëhqur nga moderatoja dhe trajnerja e programit znj. Sabra Deceviq, grupi në mënyrë kreative trajtoi tema si: rëndësia e komunikimit publik, teknikat e intervistimit, duke kaluar në rëndësinë e vlerësimit kritik të informacioneve mediatike.
Sesionet edukative të këtij programi realizohet në Këndin për të Rinj të Bibliotekës së Ulqinit dhe gjithsej janë planifikuar shtatë module trajnuese. Përveç sesioneve trajnuese, të rinjtë do të kenë mundësi të zhvillojnë edhe aktivitete praktike në terren – të realizojnë anketime, intervista, ngjarje publike e të ngjashme.
Projekti mbështetet nga Ambasada e SHBA në Podgoricë dhe ka për qëllim fuqizimin e të rinjve për t’i kuptuar funksionet e mediave, për t’i shfrytëzuar racionalisht këto media për t’u shprehur, por edhe për të rritur kompetencat e tyre të përgjithshme për pjesëmarrje aktive në proceset demokratike.

By admini