Nga Frank Shkreli
Ishte një kënaqësi e veçant takimi para disa ditësh me Ipeshkvin e Kosovës, Shkëlqesinë e tij, Imzot Dodë Gjergji, në Nju Jork. Imzot Gjergji ishte në udhtim e sipër duke u këthyer në Prishtinë nga Detroiti ku kishte marrë pjesë në festimet me rastin e 50-vjetorit të themelimit të Kishës së parë Katolike, Zoja Pajtore e Shqiptarëve, në Southfield, afër Detroitit, në shtetin Miçigan, Frank Shkreli: Në shërbim të Zotit dhe Atdheut | Gazeta Telegraf
Në Nu Jork, morëm pjesë në këtë darkë miqësore me Ipeshkvin e Kosovës, një grup i ngushtë, të ftuar nga Paulin dhe Drita Mrnaçaj, vatranë, aktivistë të komunitetit dhe anëtarë të njohur të familjes anti-komuniste Mrnaçaj nga Kelmendi i Malësisë së Madhe.
Në takimin me disa shqiptaro-amerikanë, Imzot Dodë Gjergji shkëmbeu me të ftuarit në këtë darkë, mbresat e tija nga celebrimet dy-ditëshe kushtuar 50-vjetorit të themelimit të Kishës Pajtore të Shqiptarëve në Detroit dhe mbi jetën dhe veprimtarinë e komunitetit shqiptaro-amerikan në atë shtet dhe në përgjithësi këtu në Shtetet e Bashkuara. Ai tha se sa herë që vjen në vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikë e ndjenë veten si në shtëpinë e vet dhe falënderoi mikëpritsit, miqtë dhe dashamirsit e tij të shumtë në këtë vend të lirisë e demokracisë – me të cilët, siç tha ai, është gjithmonë një takim midis vëllëzërish. Ai u shpreh gjithashtu se vlerson shumë rolin e komunitetit shqiptaro-amerikan — përpara, gjatë dhe pas çlirimit të Kosovës — duke shtuar se roli i diasporës së madhe shqiptare anë e mbanë botës — por sidomos asaj në Amerikë dhe në Evropë, mbetet jetësore për të ardhmen e Kombit shqiptar – Kosovës dhe Shqipërisë dhe shqiptarëve anë e mbanë trojeve në Ballkanin Perëndimor. Prelati i lartë i Kishës Katolike në Kosovë ndau me të pranishmit edhe informacione mbi gjëndjen aktuale të Kishës që ai kryeson në shtetin më të ri të Evropës, për të kaluarën dhe për përspektivat e saja në të ardhmen. Ai u shpreh entuziast për zhvillimet dhe gjëndjen e Kishës që ai drejton, në përgjithësi.
Në një atmosferë miqësore, Imzot Dodë Gjergji ndau me pjesëmarrësit, në këtë darkë të shtruar nga familja Mrnaçaj në Nju Jork, edhe veprimtarinë e tij publicistike dhe prej autori, duke folur për botimin e kohëve të fundit të trilogjisë rrëfimore, “Kthimi”. Vepër kjo e cila është vlerësuar nga autorë e historianë, qoftë nga Kosova ashtu dhe nga Shqipëria, si një libër i së vërtetës historike të identitetit kombëtar e shpirtëror të shqiptarëve dhe si një rrëfim i bashkjetës fetare ndër shqiptarët, gjatë historisë.
Darka me Udhëheqsin e lartë të Kishës Katolike në Kosovë, Imzot Dodë Gjergji u zhvillua në një atmosferë vëllazërore dhe u përshëndetëm me të duke falënderuar Ipeshkvin e Kosovës për kohën që kaloi me ne atë darkë, ndërsa i uruam rrugë të mbarë për në Atdhe, duke shprehur shpresën dhe deshirën që të shihemi përsëri dhe sa më parë, qoftë në Kosovë qoftë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Frank Shkreli