Bilanci i luftimeve të përgjakshme, që filluan të shtunën në orët e hershme të mëngjesit në lagjen “Kodra e Trimave” në Kumanovë, përfundoi tragjikisht për të dyja palët. Epilogu i kësaj përleshjeje, siç raportojnë institucionet në Shkup, është 22 të vrarë, prej tyre 8 pjesëtarë të policisë maqedonase dhe 14 pjesëtarë të grupit të armatosur, i përbërë nga shqiptarët. Derisa nuk jepen detaje për civilë të vrarë në këtë lagje të Kumanovës, Ministra e Punëve të Brendshme në Maqedoni raporton edhe për 37 policë të plagosur dhe për disa kryengritës të arrestuar.
Ndërsa, krismat e automatikëve dhe shpërthime të fuqishme janë regjistruar edhe në mëngjesin e së dielës në rajonin e Kumanovës, derisa banorët e zonave ku janë zhvilluar luftimet janë evakuuar. Situata në qytetin, që gjendet vetëm 20 kilometra larg kryeqytetit Shkup, në 48 orët e fundit ka vazhduar të jetë tejet e tensionuar. Qeveria maqedonase, ndërkaq, e ka shpallur të përfunduar aksionin dyditor të armatosur që është zhvilluar në Kumanovë dhe se njoftimet zyrtare flasin se është neutralizuar grupi i armatosur, i cili është cilësuar si më i rrezikshmi në Ballkan.
Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka thënë se qëllimi i këtij sulmi ishte destabilizimi i Maqedonisë. /Zeri/
Përleshje e armatosur në Kumanovë
Sot në orët e hershme të mëngjesit në lagjen ”Tode Mendoll” të Kumanovës ka filluar një përleshje e armatosur në mes të forcave të armatosura maqedone dhe një grupi tjetër të paidentifikuar, deri më tani. Të shtënat po shqetësojnë banorët e kësaj lagjeje dhe të mbarë qytetit. Rafalet e të shtënave nuk kanë të ndalur. Ka lëvizje edhe të helikopterëve, raportojnë mediet shqiptare në Maqedoni.
“Lajmpress” raporton se luftimet po zhvillohen te lagja e Trimave që është e banuar me shqiptarë. Deri tani është raportuar për të lënduarit e parë në këtë luftime.
Banorë që banojnë afër qendrës klinike në Shkup, kanë thënë se në orët e mëngjesit janë dëgjuar sirenat e veturave të emergjencës që kanë arritur në Klinikë. Ata po ashtu informojnë se policia ka urdhëruar taksistët që të largohen prej para qendrës klinike, andaj supozohet që kanë sjellë të lënduar ose eventualisht viktima nga luftimet në Kumanovë.
Raportohet se sirenat e veturave të emergjencës sot në mëngjes janë dëgjuar edhe te spitalit 8 Shtatori, respektivisht ish spitali ushtarak. Ende nuk ka konfirmim zyrtar për të lënduar ose viktima.
—
Banorët lokalë të Kumanovës bëjnë të ditur se ka pasur përleshje të armatosur mes forcave policore dhe një grupi të armatosur brenda qytetit.
Të shtënat janë sporadike gjatë orëve të fundit dhe se nuk akoma nuk ka asnjë hollësi zyrtare.
Nga pamjet në lagjen e njohur të “Trimave” apo rrugën “Tode Mendol” kryesisht të banuar me shqiptarë, janë të lokuar krismat dhe operacioni.
Në disa shtëpi shihet edhe tymi dhe krisma të fuqishme.
Vazhdojnë të shtënat e fuqishme të armëve të llojeve të ndryshme në Kumanovë.
Siç bëhet e ditur nga INA të shtënat dëgjohen në pjesën e qytetit mbi tregun, gjegjësisht në Lagjen e njohur të Trimave në Kumanovë.
Në këtë zonë ka forca të mëdha policore, që nuk lejojnë lëvizjen në drejtim të kësaj lagjeje.