Në konferencën e sotme për media, OJQ Horizonti i Ri promovoi udhëzuesin dygjuhësh “TË KUPTUARIT E NDËRKULTURALITETIT” duke përmbyllur kështu projektin “Komunikimi ndërkulturor i të rinjve: sfidat dhe mundësitë”, të cilin gjatë këtij tetë muajve të kaluar, kjo organizatë e realizoi me mbështetjen financiare të Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave të Malit të Zi.
Materiali i mbledhur dhe i përpunuar në këtë broshurë paraqet konceptet kyçe që lidhen me edukimin ndërkulturor, modelet e tejkalimit të barrierave kulturore në shoqërinë moderne dhe përshkruan parimet e kompetencave ndërkulturore. Ky udhëzues fokusohet veçanërisht në rëndësinë e forcimit të dialogut ndërkulturor në sistemin arsimor, sepse pikërisht në këtë proces, ndërveprimi mes të rinjve me përkatësi të ndryshme është në nivel shumë të ulët.

Krahas të rinjve, ky publikim iu dedikohet edhe mësimdhënësve, të cilët mund të gjejnë modele se si të punojnë me të rinjtë në temën e ndërkulturalitetit, në mënyrë që së bashku të arrijnë të kuptojnë tema të rëndësishme dhe gjërat kyçe të këtij koncepti, të nevojshme për zhvillimin e një të riu.

Përpos organizatorëve dhe stafit editorial të këtij publikimi, të pranishmëve iu drejtuan edhe përfaqësuesit e Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, Astrit Hoxha – sekretar i shtetit dhe Ljudmila Milla Popoviq – drejtore e përgjithshme e Direktoratit për Interkulturë.

Projekti u mbështet në kuadër të konkursit publik për financimin e projekteve të OJQ-ve për vitin 2021, në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut dhe të pakicave.

By admini