Zëvendësuesja e Abazoviqit befasi për të gjithë

Parlamenti malazez, të shtunën e 20 gushtit, votoi pro mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së Kryeministrit Dritan Abazoviç e cila u zgjodh më 28 prill dhe ra pas 113 ditësh.

Tani kanë filluar përpjekjet për formimin e një qeverie teknike, ku pozitën e Kryeministrit pritet ta marrë një person jashtë politikës.

Siç mëson gazeta malazeze “Vijesti” nga disa burime, një person nga organizatat jo-qeveritare do të marrë mandatin për përgatitjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

“Vijesti” raporton se bëhet fjalë për një person që ka dy dekada në sektorin e OJQ-ve, dhe ka shumë kontakte në qarqet ndërkombëtare.

Në Mal të Zi përmendet emri i Vanja Caloviç Markoviç si përfaqësuese që mund t’i plotësojë të gjitha kushtet e përmendura.

Caloviç Markoviç është drejtoreshë e “Rrjetit për Afirmimin e Sektorit Joqeveritar (MANS)” dhe ish-anëtare e “Këshillit Kombëtar për Luftën kundër Korrupsionit”.

Ajo ka qenë shumë e zëshme ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar në Mal të Zi, specifikisht ndaj regjimit të Milo Gjukanoviç-it.

Përpjeke të vazhdueshme po bëhen nga ambasadat në Podgoricë që të bindin aktorët kryesorë në Mal të Zi të formojnë një qeveri teknike me mbështetje të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të presidentit malazez Milo Gjukanoviç.

“Partnerët ndërkombëtarë e konsiderojnë DPS-në një “parti pro-evropiane” pavarësisht aferave të shumta gjatë qeverisjes së saj tre dekadash”, shkruan “Vijesti”.

Presidenti i vendit Milo Gjukanoviç duhet të propozojë mandatin për përbërjen e qeverisë së re brenda 30 ditëve, më së voni deri më 18 shtator, mundësisht deri më 19 shtator, nëse merret parasysh se votimi është pas mesnate, do të thotë më 20 gusht. /Albanian Post/

By admini