NË GRUDË DO TË VENDOSET  PËRMENDORJA E BURRIT LEGJENDAR TË MALËSISË BACA KURTIT

Foto: Wikipedia

ME 23 TË KËTIJ MUAJI DO TË VENDOSET NË GRUDË PËRMENDORJA E BURRIT LEGGJENDAR TË MALËSISË BACA KURTIT
(ME RASTIN E 215 VJETORIT TË LINDJES)

Gjekë Gjonlekaj/New York

Këto ditë në Milesh të Grudës në Malësi do të përurohet përmendorja e trimit legjendar Baca Kurtit. Aktivitetin për këtë vepër përkujtimore e kishte filluar vëllazëria e tij në diasporën e Shteteve te Bashkuara, më mirë me thëne në Kaliforni, dhe meritën kryesore për themelimin e “Fondit Baca Kurti” e kishte pinjolli i kësaj familje Enver Gjokaj, përndryshe biznismen dhe aktivist i njohur për çështjen shqiptare. Zotni Enver Gjokaj që është i vëllazërisë së Baca Kurtit kishte dhënë çekun prej 5000 dollarësh atë ditë që ishte themeluar ky fond. Në fillim fushatën financiare e kishin filuar vëllazëria Gjokaj por pas do kohe kësaj fushate iu bashkua një numër i konsiderueshëm malësorësh në Michigan dhe në New York. Fushata u mbështet kryesisht nga diaspora e Malësisë në Shtetet e Bashkuara. Aty këtu kontribuan edhe shqiptarë na rajonet tjera.
Për Baca Kurt Gjekën e Gjokajëve kisha dëgjuar qysh në fëmijëri.Në vendlindjen time në Triesh emëri i Baca Kurt Gjekës lakohej shumë sidomos për aktet e tij të mrekullueshme patriotike dhe shoqërore. Baca Kurti kishte lindur në Dinoshë në vitin 1807 dhe ishte pagëzuar në Kishën e Shen Mëhillit. Ai kishte vdekur në vitin 1881 dhe ishte varrosur në varret e asaj kishte historike. Për Baca Kurtin trimëritë dhe atdhetarizmin e tij kisha dëgjuar shumë nga vajtorët dhe vajtoret në vdekjen e Dak Lekës para 54 vjetësh. Ceremonia e mortit të Dak Lekës ishte bërë në oborrin e shkollës tetëvjeçare në Tuz. Në atë ceremoni mortore ishin dalluar vajtorët e Malësisë sidomos Tomë Bishi dhe Rrok Pjetër Zeku e Cak Gjoni. Sot e kësaj dite ata që kanë qënë të pranishëm atje i mbajnë mend sidomos vargjet epike dhe homerike të Tomë Bishit për heroizmin dhe qëndrueshmerinë patriotike të Baca Kurtit i cili kishte qënë shumë i përmendur në gjithë Shqipërinë e Veriut deri edhe ne Kosovë.
Një princ ballkanik shumë i djallëzuar që kishte për qëllim pushtimin e tokave shqiptare , kishte thënë se Baca Kurti dhe Çun Mula kishin qënë prijësit më të dalluar të Malësisë së Madhe. Baca Kurti edhe pse malësor katatolik kishte drejtuar me shumë respekt e dashuri pothuajse 300 shtëpi malësore shumica të besimit islam. Ndërsa Çun Mula i Hotit duke qënë malësor shqiptar mysliman kishte drejtuar pothuajse 500 shtëpi malësorë katolikë të Hotit. Baca Kurti ishte shumë i dashur dhe i nderuar nga të gjithë malësorët e Grudës të besimit muhamedan. Ai ishte pjesëmarrës në të gjitha gëzimet dhe hidhërimet e tyre. Kurdo dhe kudo shfaqej ndonjë ndjenjë e urrejtjes fetare Ai ndërhynte me shpejtësi që të mos përhapej më gjerë. Urrejtjet fetare i quante smundje shkatërruese. Baca Kurti respektonte të gjitha normat fetare të malësorëve qofshin ata kristian ose muhamedan. Njësoj si Çun Mula edhe Baca Kurti ishte shëmbull për të gjithë Malësinë e Madhe dhe më gjerë. Mary Durham e kishte thënë se në Malësinë e Madhe marrëdhëniet ndërfetare kishin qënë të përsosura!
Shekulli kur kishte lindur dhe jetuar Baca Kurti ishte një periudhë e luftërave të mëdha në Evropë. Fuqitë e mëdha evropiane ku ishin përfëshirë edhe Perandoria Ottomane dhe Rusia për interesat e tyre kishin sjellur dëme të mëdha sidomos për popullin shqiptar. Njësoj si trojet tjera shqiptare edhe Malësia e Madhe në atë kohë jetonte dhe vepronte nën sundimin osman.
Baca Kurti ishte mburojë e fortë në mbrojtjen e vendit kundër dhunës turke por edhe me shumë kundër hordhive sërbo-malazeze të cilat e sulmonin vazhdimisht Dinoshën dhe katundet për rreth. Baca Kurti u ballafaqua me ato sulme barbare më shumë se asnjë prijës tjetër i Malësisë. Dinosha ishte atëherë sic është edhe sot njëra prej trevave më të bukura të Malëssië së Madhe. Kështu janë edhe fshatrat për rreth. Sërbo-malazëzët kishin për qëllim pushtimin e atyre trojeve. Rruga e Vermoshit lidhej me Dinoshën. Kjo rrugë bënte të mundur lidhjet e Malësisë me Plavë Gucinë dhe Kosovën. Profesori i mirënjohur britanik Noel Malcolm thotë se Malësia e Madhe ishte ura kryesore e lidhjeve të Shqipërisë së Veriut me Kosovën dhe sërbo-malazezët kishin bërë çmos për ta djegur e shkatërruar atë urë të madhe të bashkimit kombëtar. Baca Kurti ishte strategu kryesor i këtyre lidhjeve shqiptare dhe për këtë ishte në shënjestër të shumë rreziqeve personale dhe familjare. Bandat sërbo malazeze i kishin vrarë disa anëtarë të familjes duke u prerë kokën, këto banda kishin vrarë edhe shumë malësorë të besimit islam , që do të thotë sa ata vërsuleshin kundër malësorëve pa dallim besimi. Mali i Zi kishte burgosur djalin e Baca Kurtit, Sokol Bacin kur ishte në moshën 25 vjecare dhe si pasojë Sokoli kishte vdekur në burgun malazez. Sot e kësaj dite jetojnë njerëzë qe përmendin të gjitha këto humbje dhe tragjedi. Gjatë këtyre sulmeve ishin vrarë shumë dinoshianë dhe malësorë të fshatrave për rreth. Ura e Zharnicës ishte një prej pikave më strategjike dhe gjatë sulmeve sërbo-malazeze atje vraponin me shpejtësi Baca Kurti, Smail Martini, Halil Haka, Palokë Gjoka dhe shumë trima tjerë të atyre trojeve. Duke qënë përballë agresorëve të shfrënuar, Baca Kurti ballafaqohej me sulmet e para të papritura dhe ishte i detyruar të kushtrimonte Grudën dhe Malësinë për rreziqet dhe rrebeshet e atyre bandave. Sërbo-malazezët gjatë sulmeve të ndryshme prisnin koka shqiptarësh ngase ata e kishin traditë këto akte barbare të mizorive të Lindjes. Dhe si pasojë e këtyre monstruziteteve, Evropa nuk e pranonte pavarësinë e Malit të Zi. Sërbia dhe Mali i Zi bënin çmos për të krijuar ngatërresa ndërfetare midis të krishtërëve dhe muhamedanëve që kishin për qëllim atë veprën e mbrapshtë përçaj e sundo (divido et impera) Por fatëbardhësit Baca Kurti dhe krerët tjerë të Malësisë nuk kishin ra pre e këture kurtheve antishqiptare. Baca Kurti tërë jetën e kishte kaluar në Shqipërinë e Bashkuar por nën sundimin Ottoman. Ai dhe bashkëluftëtarët e tij nuk e pranonin diktaturën e egër osmane. Ky fisnik i Malësisë ishte i njohur jo vetëm për trimëri por edhe për bujari. Dera e tij e famshme ishte njëra prej dyerëve më bujare të Shqipërisë së Veriut. Shtëpia e tij ishte në qëndër të vemendjes për pritje bujare dhe bisedime serioze. Sot e kësaj dite flitet për kandilin e ndezur deri në orët e vona të natës për udhëtarë të ndryshëm që vinin nga Plavë Gusia ose Shqipëria. Kjo shtëpi ishte njëra prej shtëpive më fisnike dhe kishte lidhje me familjet më bujare të Veriut e deri edhe me Familjen e Vrionëve të Shqipërisë së Jugut. Për atdhedashurinë dhe ndersherinë e madhe Baca Kurti ishte ftuar në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Atje e kishin pritur shumë mirë udhëheqësit kryesor te Lidhjes Shqiptare. Baca Kurti ishte treguar bujar edhe në Kongresin e Prizrenit, sepse kishte porositur kafe për 300 pjesëmarrës të asaj Konference gjithëkombetare të cilën historianët e cilësojnë si mbledhjen më historike pas Beselidhjes së princave shqiptarë në Lezhë në krye me Skenderbeun.
Në Kongresin e Berlinit që e drejtonte Bizmarku fuqitë e mëdha kishin rënë dakord për coptimin e Shqipërisë që bëhej për interesat ruso-ottomane. Coptimin e Shqipërisë Baca Kufti e shikonte si veprën më antishqiptare dhe për këtë e kishin zgjedhur të shkonte për të thënë fjalën e tij kundër Kongresit famëkeq të Berlinit. Gazeta “Rilindja” e Kosovës shkruante në qershor të vitit 1978 për pjesëmarrjen dhe 300 kafetë e Baca Kurtit në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Këtë shënim “Rilindja” e kishte botuar me rastin e 100-vjetorit të asaj lidhjeje historike. Ska dyshim se Baca Kurti në atë mbledhje të madhe kombëtare kishte takuar Abdyl Frashërin, Sulejman Vokshin, Al Pashë Gucinë dhe shumë krerë të lartë të Lidhjes Shqiptare. Baca Kurti ishte betuar se do të luftonte kundër atyre që kishin për qëllim copëtimin e tokave arbërore. Edhe pse në moshën 71 vjecare Baca Kurti kishte pranuar rrugën e gjatë dhe shumë të mundimshme për moshën e tij 71-vjecare. Vajtja me kal prej Grudet në Prizren kishte qënë rrugë e vështirë për Baca Kurtin,por i kishte përballuar të gjitha vështirësit e asaj rruge për të mirën e popullit shqiptar. Pas kthimit nga Prizreni sërbo-malazezët e kishin në sy të keq, gjithashtu edhe Turqia kishte humbur besimin tek Baca Kurti sepse nuk pranonte coptimin e tokave shqiptare siç e kërkonte Turqia. Pas lidhjes shqiptare të Prizrenit Baca Kurti dhe krerët tjerë të Malësisë u gjetën para dy zjarresh, para dy pushtuesëve që kishin rënë dakord për coptimin e Shqipërisë. Malësia e Baca Kurtit kurrë nuk u pushtua nga sërbo-malazezët, ngase Ai vdiqë ne vitin 1881 vetëm tri vjet pas Lidhjes së Prizrenit. Ai kishte jetuar nën sundimin turk por jo asnjëherë nën sundimin sërbo-malazez,ngase Malësia u coptua zyrtarisht në vitin 1913. Pas këtij viti famëkeq populli shqiptarë këndonte këngën: “Mallkua po kjoftë Evropa që e ndau Shqipëninë copa copa”
Një kapadahi me emërin Omer Bozhi kishte sulmuar fizikisht babain e tij Kurt Gjekën dhe për këtë i gjithë farefisi ishte shqetësuar,saqë nuk kishte zgjedhje tjetër vetëm vrasjen e Omer Bozhit. Sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit rënja shuplakë ose rënja me grusht një burri dënohet me vdekje,ngase Kanuni nuk lejon asnjë lloj goditje në trup që sipas këtij Kodi të vjetër shqiptar trupi është i paprekur. Për të mos e dënuar me vdekje Omer Bozhin krerët e Malësisë i kishin shkuar te dera Baca Kurtit për ta falur arëmikun më të madh të tij. E kishte pothuajse të pamundur faljen e atij që kishte shkelur nderin dhe dinjitetin e babait të tij Kurt Gjekës.
Në vendlindjen time në Triesh flitej vazhdimisht për ndërhyrjen e Hasa Nik Gjeloshit në këtë mospajtim. Flitej se një ditë prej ditësh Hasa Nika kishte vendosur që te shkonte në shtëpinë më mirë me thënë në oxhakun e Baca Kurtit për mundësinë e pajtmit me Omer Bozhin. S’ka dyshim se Hasa Nik Gjeloshi ishte shumë i nderuar në Trieshe dhe në Malësi. Hasa Nika kishte biseduar gjërësisht me Baca Kurtin për pajtimin e tij me Omer Bozhin, por e kishte shumë të vështirë të merrte këtë vendim. Gjatë bisedimeve të gjata Hasa Nika i kishte thënë në qoftë se e fal Omer Bozhin do të jeshë shëmbull për të mirë për tanë Malësinë, sepse janë të gjitha ato gjaqe të pafalura dhe nëqoftëse Ju pajtoheni me Omer Bozhin, ata do të përdorin emërin tuaj si shëmbull për pajtime. Dëgjo o Baca Kurti i kishte thënë trimi i Trieshit, Hasa Nika. Shëmbulli juaj do të jetë ndera dhe vepra më e madhe që mund të bëni sot për Malësinë. Atëherë Baca Kurti i kishte dhënë besën se do të pajtohej me Omer Bozhin; ‘duke i shtrirë dorën e pajtimit” do të kishte thënë profeti i Kosovës Adem Demaçi. Por më në fund Omer Bozhi ishte dënuar sepse e kishte keqëpërdorur burrërinë dhe nderin e Baca Kurtit.
S’ka asnjë dyshim se Baca Kurti është një prej trimave më të përmendur të Malësisë së Madhe tash më shumë se 200 vjet por për një arsye ose një tjetër nuk është shkruar dhe as folur aq sa duhet për këtë personalitet të madh të kombit shqiptar. Natyrisht se për politikën malazeze dhe jugosllave ky ishte emër jo shume i dashur sepse tërë jetën kishte luftuar për bashkimin kombëtar gjithëshqiptar. Kishte luftuar për Shqipërinë Etnike. Kurrë në Malësinë tonë në Mal të Zi nuk është mbajtur ndonje takim ose konferencë shkencore për veprimtarinë pariotike dhe virtytet e tij të larta njerëzore të Baca Kurtit. Këtu bëjnë pjesë edhe pasardhësit e familjes së tij të arsimuar mjaftueshëm për të thënë të vërtetën për gjyshin e tyre shumë të nderuar Baca Kurtin. Mbase ata kishin frikë se po rrënohet Jugosllavia “socialiste” ose Mali i Zi “demokratik” nëse dikush prej tyre do të kishte thënë ose shkruar një shënim të mirë për Baca Kurtin. Ata qëndruan në heshtje edhe për tragjedinë e akadamikut ushtarak Dodë Pjetër Lekës dhe mësuesit të përmendur Prenkë Pulit. Të gjithë e dijmë se Dodë Pjetër Leka dhe Prenkë Puli ishin vrarë nga sigurimi i Jugosllavisë së Vjetër dhe Jugosllavisë së Re. Këta janë martir të kombit dhe një ditë duhet të nderohen si të tillë. Pas rënjes së diktaturës jugosllave familjarët e tyre filluan të bëjnë dicka më serioze për Baca Kurtin. Para disa vjetësh ishte botuar nje monografi për jeten dhe veprën e Baca Kurtit dhe sic duket këtë botim e kishin sponsorizuar familjarët e tij. Aty këtu ndonjë rapsod ka dhënë kontributin e tij, por për Baca Kurtin mund te bëhëj edhe më shumë. Edhe njerëzit e artitit dhe kulturës qoftë ata të familjes mund të benin më shumë për këtë kolos të Malësisë. Është mëkat nëse qëllimisht harrohen ata që kanë vepruar ditë e natë për të mirën e popullit dhe kombit të vet. S’ka asnjë dyshim se një shkollë në Malësi meriton emërin e Baca Kurtit. Për Baca Kurtin mund të shkruhen vepra serioze. Vepra që po e realizon këto ditë vëllazëria dhe donatorët tjerë malësorë është tepër e rëndësishme për realizimin e aspiratave të Baca Kurtit. Permendorja që do të vendoset atje është historike dhe artistike . Fondi Baca Kurti me këtë vepër natyrisht se hapi rrugën edhe per vepra tjera qofshin ato historike ose të fushave tjera të artit dhe kulturës. Dy vjet më parë Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta e kishte nderuar Baca Kurtin me “Urdhërin shumë të merituar “Kalorës i Skënderbeut”.

By admini