SHBA-ja pret që Mali i Zi të respektojë procedurat ligjore dhe ose të formojë shpejt një qeveri të re në shërbim të vendit ose të kërkojë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, njoftoi Departamenti i Shtetit, në lidhje me vendimin e Parlamentit të Malit të Zi për të votuar mosbesimin e Qeverisë së Dritan Abazoviq.

Një zëdhënës i paidentifikuar i Departamentit të Shtetit deklaroi për Zërin e Amerikës se “votimi i mosbesimit është demokraci parlamentare në veprim, ku populli malazez, përmes përfaqësuesve të tij të zgjedhur, i kërkon llogari qeverisë”.

“SHBA do të mbështet çdo qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike që siguron përparimin e Malit të Zi në integrimin euroatlantik, i cili përfshin përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e pjesëmarrjes në NATO, promovimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe të orientuar drejt qytetarëve, dhe duke vazhduar të ftojë Rusinë për përgjegjësinë për luftën brutale kundër Ukrainës”, thuhet në përgjigje.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit përsëriti se SHBA-të nuk e konsiderojnë Frontin Demokratik partner, sepse “ato nuk mbështesin vlerat evropiane, duke përfshirë një qëndrim kritik ndaj agresionit rus kundër Ukrainës, dhe nuk kanë treguar lidership apo vullnet për të arritur përparim në reformat e nevojshme për anëtarësimin në BE”.

Deputetët e Kuvendit të Malit të Zi votuan mosbesimin për Qeverinë e Dritan Abazoviqit, pasi iniciativa e DPS-së dhe partnerët e saj, të pakënaqur me nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe, u mbështet edhe nga partia Mali i Zi Demokratik.

/Koha Net/

By admini