Faik Rexha

Nga Hajredin Kovaçi

Të shtunën, më 23 korrik 2022, ndaloi së rrahuri zemra e njeriut të mirë, pishtarit të demokracisë, atdhetarit, të persekutuar politik, Faik Rexha.
Ai u lind në vitin 1949, në fshatin Kllezën të Anës së Malit. Shkollën fillore e kreu në Katërkollë, kurse shkollën e mesme për zanatin e ëmbëlsirave në Titograd. Menjëherë pas përfundimit të shkollës, u kthye në Katërkollë, ku hapi ëmbëltoren e parë, më pas restorantin “Skënderbeu”. Ishte guxim i rrallë, në atë kohë, të përcaktohej për atë emër. Restoranti “Skënderbeu” u bë qendër frekuentimi e të rinjve, intelektualëve të Anës së Malit etj., të cilët punonin për ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe emancipimin e shqiptarëve në Malin e Zi. Aty mund të gjeje fytyrat më eminente të popullit shqiptar, pjesë të trashëgimisë kulturore, e mbi të gjitha, aty këndohej shqip. “Magnetofoni im nuk di të këndojë serbisht”, kishte thënë gjoja Faiku dhe për këtë u dënua me tre muaj burg.
Për veprimtarinë e tij, ai ra shpejt në sy të UDB-së, përcillej vazhdimisht dhe me një skenar të përgatitur mirë, përsëri u arrestua dhe u dënua me 60 ditë burg, që e vuajti në burgun e Kotorrit. Pas vuajtjes së dënimit, s᾽e lënë rehat, UDB-ja i përgatitë padi penale, ku sipas nenit të famshëm 133 parashihej dënimi prej 1-10 vjet heqje lirie. U dënua me dy vite burg, kohë të cilën e kaloi në burgun e Spuzhit.
Burgu nuk e përkuli, ai vazhdimisht qëndronte krenar dhe thoshte me shaka se “burgu është për burra“, duke u dhënë kurajë edhe të tjerëve që vuanin dënimin në të njëjtën kohë.
Pas vuajtjes së dënimit, në vitet ‘90-të, Faiku kyçet në proceset demokratike dhe është bashkëthemelues i subjektit të parë të shqiptarëve në Malin e Zi – Lidhjes Demokratike në Mal të Zi.
Edhe më tutje, Faiku vazhdoi të merret me hoteleri. Rikthehet me restorantin “Diamant”, ku punoi me sukses deri në fund të jetës së tij.
Ai la pas bashkëshorten dhe dy djem të mrekullueshëm, Diamantin dhe Granitin.
I lehtë të qoftë dheu i Klleznës, qofsh mirë me Zotin, Faik Rexha! /Koha Javore/

By admini