Ulqinakët sonte drejt Shkodres, luan Vllaznia

Vllaznia e Shkodres nis aventurën europiane mbrëmjen e sotme në “Loro Boriçi” përballë rumunëve të Universitatea Craiovës, sfidë e vlefshme për turin e dytë të Conference League, që do të startojë në orën 21:00.

Te Vllaznia presin që shumë edhe prej “lojtarit të 12”, tifozerisë kuqeblu, që do të jetë e shumtë në shkallët e “Loro Boriçit”, teksa mësohet se në stadium do të ketë më shumë se 10 mijë shikues, shkruan Ulqini Online.

Në mesin e tifozëve të Vllaznisë sonte drejt Shkodres janë nisur edhe shumë tifozë nga Ulqini duke vazhduar tashmë një traditë të krijuar në qytetin tonë. Edhe pse nuk udhëtojnë në mënyrë të organizuar, numri i automjetëve drejt Shkodres sonte duket që është i madh.

Për të motivuar edhe më shumë futbollistët, presidenti i Vllaznisë  Alban Xhaferi mësohet se u ka premtuar një shpërblim prej 50 mijë eurosh në rast kualifikimi, teksa kuqeblutë do të kërkojnë të hedhin sonte një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit.

Vllaznia-Universitatea Craiovë do të startojë në orën 21:00 dhe të gjithë ata që kanë një aparat DigitAlb në shtëpinë e tyre, do të mund ta ndjekin në kanalin RTSH 1.

By admini