Unioni Demokratik i Shqiptarëve reagon rreth zhvillimeve të fundit politike në Mal të Zi me një kumtesë për media.
Kumtesën e plotë mund ta lexoni më poshtë.
Për hir të publikut, ndihemi të detyruar që të reagojmë për ngjarjet javore, të cilat dalëngadalë po kalojnë çdo kufi.
Gjegjësisht, kryeministri i Malit të Zi vazhdon të na befasojë si me veprimet ashtu edhe me deklaratat e tij, siç thotë ai: ‘ i pëlqen t’i zgjidhë gjërat në stilin e tij ‘.
Nëse një qytetar i thjeshtë do të jepte një deklarat të tillë para atyre nënave të pikëlluara do ishte e pa falshme, e sidomos kur një gjë e tillë thuhet nga një zyrtar i lartë, siç është kryeministri i një shteti është skandaloze!
Duke marrë parasyshë që kryeministri avokoi që krimi në Bosnje të shpallet gjenocid, siç vendosi Gjykata Evropiane, këtë deklaratë të tij mund ta kuptojmë vetëm si flirtim me palën tjetër pas tërheqjes së mbështetjes nga DPS dhe SDP, të cilët njoftuan se do të ndërmarrin hapa për t’ia kthyer vendimin e zgjedhjes atyre që i takon, pra popullit.
Të mohosh gjenocidin ndaj boshnjakëve ku njerëzit u vranë vetëm për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare dhe fetare dhe të amnistohen autorët e këtyre krimeve mizorive që kanë emrin dhe mbiemrin e tyre, është absolutisht e dënueshme. Është normale që deklarata e tij ka shkaktuar menjëherë reagime të egra nga të gjithë, sidomos nga ata që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur.
Çfarë duhet të presim nga kryeministri ynë nesër? Që viktimat e luftës në Kosovë do të thonë se nuk kanë qenë shqiptarë por njerëz, që nuk janë vrarë nga ushtria, policia dhe grupet paramilitare serbe, por janë vetëvrarë.
Ne as nuk mund ta imagjinojmë se çfarë do të ndodhte nëse kancelarja gjermane apo ndonjë kryeministër i ndonjë vendi të BE-së rastësisht të deklaronte që Hitleri vrau njerëz dhe jo hebrenj.
Por duket se kryeministri ynë me deklaratat e tij duhet të kënaqë të tjerët të cilëve u dha fjalën për t’i mbaruar punët e interesave të tyre në Mal të Zi. Çfarë shohim nga deklaratat e tij kontroverse ku thotë: se kontrata me KOS ( Kishën Ortodokse Sërbe) nuk është prioritet dhe nga ana tjetër, i njëjti kryeministër, me urdhër, duhet të shtyjë të njëjtën kontratë që të miratohet në Qeverinë e Malit të Zi. , gjë që u pa edhe kur u votua me dhunë pa 2/3 e shumicës apo si thotë ai në stilin e tij.
E pyesim kryeministrin: Me këtë kontratë a do të thotë që në të ardhmen do lejohet të regjistrohen të gjitha kishat pranë qytetit të vjetër të Shasit, d.m.th qytetit të vjetër të Ulqinit dhe kishat imagjinare në gjirin e Valdanosit (ku KOS ka ndërmarrë tashmë disa aktivitete? ) si pronë e tyre, e cila duhet të jetë objekt i kërkimit arkeologjik. Ato kisha janë trashëgimi kulturore e qytetit dhe popullit tonë.
Dhe çfarë na habit më shumë!! Ministri i i pakicave në Qeverinë e Malit të Zi, Gjeka, voton për këtë kontratë, duke ditur se bashkëpunëtori i tij Sulejmani ishte një nga kryesorët që mbrojti objektin në Shas para përfaqësuesve të kishës që erdhën për të përvetësuar atë që nuk ishte e tyre.
Shqiptarët në Mal të Zi ishin, janë dhe do të jenë gjithmonë me Malin e Zi multietnik dhe shumëkombëtar si shtëpija e gjithëve.