Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi para protestuesve të enjten, se ai dhe kryeministri Edi Rama, janë armiq.
Ai tha se Rama e do vetëm pushtetin, ndërsa u shpreh se “me këta burra, gra, djem e vajza e kemi parim lirinë dhe vetëm lirinë”.
“Ne jemi armiq Edi Rama, sepse ti pushtetin e do për të pasuruar veten duke varfëruar e poshtëruar qytetarët, ndërsa unë dhe këta protestues këtu, lirinë e duan për të bërë të lirë shqiptarët, për t’iu kthyer atyre dinjitetin”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së e quajti Ramën tellall të Beogradit, duke e akuzuar se u shndërrua në vasal të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Ai tha se Rama po ia rrezikon të ardhmen Shqipërisë.
“Kur kryetari i qeverisë së vendit tënd bëhet tellall i Beogradit, kur fut sherre te fqinjët me gjuhen dhe fjalorin e tij, kur ai shndërrohet në një vasal të serbomadhit Vuçiq, kur ai rrethon Kosovën me tensione dhe konflikte. Kur ai nuk ka interesa shqiptare, por të parat ka interesat e Beogradit, atëherë nuk mund të rrimë pa i thënë, Edi Rama, do t’i thonë jo ‘Ballkanit të Hapur’, jo Ballkanit të Beogradit dhe Ballkanit të Putinit, por do t’i thonë po Procesit të Berlinit”, tha ai.
Në protestën e nisur pasditen e së enjtes, e të thirrur nga PD-ja, u raportua se një person humbi ndjenjat, me ç’rast u shoqërua në ambulancë. Pas fjalës së kryetarit të PD-së, protesta e opozitës për “keqqeverisje, rritje të çmimeve e largim të qytetarëve nga vendi”, u mbyll. /Koha Net/