Nga Xheladin Zeneli
Nderimi i politikanëve të huaj, por jo vetëm i tyre me “Çelësin e Qytetit” nga ana e krye bashkiakëve të një vendi tjetër, janë më shumë gjeste simbolike që kanë për qëllim ti shërbejnë avancimit të marrëdhënieve miqësore ndërshtetrore , por vetëm atëherë nëse ato janë të ndërsjellta.
Para pak ditëve Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ia dhuroj “Çelësin e Qytetit”, presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq,. Megjithate kjo nuk ishte hera e parë që ky politikan malazez merr një çmim të tillë nga një kryebashkiak i një qyteti të vendit tonë.Kur Edi Rama, kryeministër i tanishëm i Shqipërisë, vite më parë kur ishte kryebashkiak i Tiranës, i dhuroi poashtu “ Çelësin e Qytetit” ,Millo Gjukanoviqit. Ju rikujtoi se derisa Edi Rama ishte kryebashkiak i Tiranës i dhuroi atëherë “ Çelësin e Qytetit” edhe artistit kontradiktor serb, Goran Bregoviq. Gjithashtu vlen të permendet se në vitin 2016 zyra e presidentit të Shqipërisë, i ndau Millo Gjukanoviqit, kryeministër i atëhershëm i Malit të Zi, dekoratën ” Urdhëri i Flamurit Kombëtar”, dekoratën më të lartë që i jepet një qytetari të huaj nga zyra e presidentit të Shqipërisë.
Pra problemi qëndron aty se derisa qeveritarët tanë japin çmime, qofshin ata edhe simbolike figurave të huaja politike apo kulturore, ata nuk e gëzojnë të njëjtin respekt dhe nuk marrin çmime të tilla nga homologët e tyre fqinjë.
Gjatë pushtetit 32 vjeçar të Millo Gjikanoviq (si kryeministër apo president i Malit të Zi) ka pasur me dhjetra vizita të qeveritarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës në Mal të Zi, por unë nuk kam njoftime se ndonjërit prej tyre i është dhuruar “ Çelësi i Podgoricës “, e të mos flasim për “ Çelësin e Beogradit” në rast të ndonjë artisti shqiptar !?
Respekti, sidomos ai i dy shteteve fqinjësore , duhet të jetë një rrugë me dy drejtime, jo i njëanëshëm, përndryshe mund të kuptohet si një gjest inferioriteti apo servilizmi nga ana e atyre të cilët vetëm japin çmime të tilla të tjerëve, por nuk marrin.
Shpresojmë që në të ardhmen kjo të ndryshoi dhe që së shpejti do të shohim dhe ndonjë “Çelës i Qytetit” që i jepet edhe figurave tona politike apo kulturore nga ana e kryeqyteteve të shteteve tona fqinjë.
20 Maj 2022