Gjatë kësaj jave, nxënësit e Shkollës së Mesme “Vëllazërim Bashkim” të Ulqinit, të angazhuar në projektin “Komunikimi ndërkulturor i të rinjve: sfidat dhe mundësitë” realizuan një vizitë të veçantë studimore në Medresenë “Mehmet Fatih” në Tuz.
Nxënësit e dy shkollave të mesme patën mundësi të shkëmbejnë eksperienca të veçanta mes njëri tjetrit – të mësojnë se si zhvillohet procesi mësimor dhe jeta konviktore në një shkollë të mesme fetare, cilat janë sfidat, mundësitë dhe arritjet e këtij institucioni dhe anasjelltas.
E gjithë vizita u zhvillua në një atmosferë tepër miqësor midis nxënësve të përkatësive të ndryshme kombëtare, fetare, gjuhësore e kulturore.
Këtë praktikë të vizitave ndërkulturore OJQ “Horizonti i Ri” e realizon prej vitesh, me qëllim të edukimit sa më cilësor të të rinjve për të promovuar kulturën e tolerancës, pranimin e diversitetit dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Projekti mbështetet nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave e Malit të Zi, në kuadër të konkursit publik për financimin e projekteve të OJQ-ve në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut.