Monografia per ublat e autorit Xhelal Muja

Në një mjedis të veçantë, tek Ubla e Krajës në Ostros, dhe në prani të një numri të konsiderueshëm të dashamirëve të librit dhe kulturës, të mërkurën (11 maj 2022) u përurua monografia “Ublat – trashëgimi kulturore dhe jetike në Krajë” e autorit Xhelal Muja.

Vështrimet e tyre për librin i kanë paraqitur redaktori i librit – mësimdhënësi, poeti dhe publicisti Ali Gjeçbritaj, dhe recensenti i librit – studiuesi dr. Nail Draga. Ata kanë vlerësuar punën me pasion të autorit në evidentimin e ublave, kësaj trashëgimie materiale që paraqet identitetin e Krajës dhe është sinonim i mjeshtërisë dhe mençurisë popullore.   

Në emër të botuesit dhe organizatorit të përurimit, pjesëmarrësit i ka përshëndetur kryetari i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ismet Kallaba. Në fund të përurimit, të pranishmëve iu është drejtuar autori Xhelal Muja, i cili ka thënë se qëllimi i librit është që të ruhen këto objekte që për Krajën dhe krajanët kanë qenë jetë, sikurse uji që është jetë për njerëzit kudo që jetojnë.

Folësit kanë parashtruar nevojën e mbrojtjes dhe konservimit të ublave, këtyre ndërtimeve arkitekturore unike, me qëllim të shndërrimit të tyre në pika turistike dhe përfshirjes në Listën e Trashëgimisë Botërore. Në këtë aspekt është theksuar se libri “Ublat – trashëgimi kulturore dhe jetike në Krajë” paraqet një hap të rëndësishëm për dokumentimin e kësaj pasurie.

By admini