Mbledhësi dhe studiuesi i folklorit Ismail Doda ka botuar ditë më parë librin “Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi (Përmbledhje) I”, që është pjesë e temës së disertacionit për fitimin e gradës “Doktor i shkencave”, mbrojtur në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë. Përmbledhja përfshin 129 balada me 8 100 vargje, të cilat autori i ka mbledhur ndër shqiptarët në Malin e Zi: në Ulqin, në Anë të Malit, në Krajë, në Tivar me rrethinë, në Malësi të Madhe, në krahinën e Plavës dhe Gucisë si dhe në Rozhajë e Malësi të saj. Këngët janë ndarë në balada legjendare, balada realiste dhe balada revoltimi, që përbëjnë edhe kapitujt e librit. Pjesë e librit janë edhe Fjalori i fjalëve të rralla (krahinore dhe të huaja), Burimet e lëndës, Këngëtarët (nga të cilët i ka mbledhur këngët), Indekset e emrave të vendeve dhe të personazheve.
Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, ndërsa është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë. Redaktor i librit është Ismet Kallaba, recensentë Prof. dr. Agron Xhagolli dhe Prof. dr. Alfred Çapaliku, redaktor gjuhësor Dr. Haxhi Shabani dhe redaktor teknik Qazim Muja.
Në recensionin e tij për librin, Prof. dr. Agron Xhagolli thekson se lënda folklorike e përfshirë në këtë vëllim i plotëson të gjitha kriteret për botimet folklorike.
“Dr. I. Doda, njohës i mirë i të folmeve në hapësirat e shqiptarëve që jetojnë në Malin e Zi, ka ditur që me kujdes dhe vëmendje të regjistrojë, si një mbledhës serioz, lëndën folklorike, mbi të gjitha, duke respektuar parimin fonetik. Ai ka ndjekur me vëmendje dhe ndryshimet në të folmet e ndryshme nga koha në kohë, rrjedhojë e ndryshimeve normale që përcjell vetë jeta shoqërore”, thekson ai.
Ndërsa për Prof. dr. Alfred Çapalikun, recensentin tjetër të librit, Dr. Ismail Doda i ngjan gjeologut, kur gjen gurët fort të çmuar të traditës mijëravjeçare.
“Në të njëjtën kohë ai i shëmbëllen edhe gjeometrit, kur ndesh përmasat e pafundme të folkut. Përndryshe Ismail Doda është shtegtari me zemrën që i rreh me sistola e diastola në kadencat e tetërrokëshit e të dhjetërrokëshit popullor. Gjithashtu ai i përngjan pelegrinit të palodhshëm, i cili nuk e ndal ritmin e hapit pa moshë nëpër shtigjet e arealit gjuhësor…” në trevat shqiptare në Malin e Zi.
Libri “Balada popullore të shqiptarëve të Malin e Zi” është botuar me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave dhe Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi. Ky është libri i dytë i autorit dr. Ismail Doda, pas librit “Në prehër të jetës së re (Doracak për nxënës të shkollës fillore prej klasës III deri në klasën VIII)” që e përpiloi në bashkautorësi me tani të ndjerët Lucë Lucaj, Gjergj Gjokaj dhe Gjergj Berisha. Ai po ashtu ka përgatitur për botim si redaktor shkencor librin “Letërsia gojore dhe identiteti kombëtar shqiptar” me përmbledhje të punimeve nga Simpoziumi Shkencor Ndërkombëtar i organizuar nga Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Malin e Zi në Ulqin, më 17-19 shtator 2011.