roli-shqiptareve-shpetimin-e-hebrenjeveNga Ermira Babamusta

Shqipëtarët i pritën hebrejtë si miq dhe jo refugjatë ishte tema e ceremonive të veçanta zhvilluar në Sh.B.A. në përkujtim të shqiptarëve që shpëtuan hebrej. Në shtetin Teksas të Sh.B.A.-së janë zhvilluar dy ceremoni përkujtimore në nderim shqiptarëve që kanë shpëtuar hebrej dhe të viktimave te Holokastuit. Me 16 prill 2016 në kryesinë Kruqi Kuq Mbrojtja Blu e Teksasit, organizuar nga Komiteti i Diversitetit në Teksas u zhvillua programi me titull “Upstanders Not Bystanders: Albania and the Holocaust” (Shpëtues dhe jo vëzhgues: Shqipëria dhe Holokausti).

Doc Vranici, Drejtori i Qendrës Kulturore Shqiptaro-Amerikane në Teksas foli gjatë programit përkujtimor për heroizmin që treguan shqiptarët në shpëtimin e hebrejve nga persekutimi nazist. Shqipëria është i vetmi shtet në botë ku hebrejtë janë shpëtuar njëqind për qind nga holokausti.

“Shqiptarët kanë bërë diçka të jashtëzakonshe. Gjatë luftës së dytë botërore, populli shqiptar refuzoi t’ia dorëzojë hebrejtë forcave okupatore. Duke iu referuar kodit të nderit shqiptar ‘Besës’ për të mbrojtur mikun edhe me jetën, shqiptarët mbrojtën hebrejtë, dhe mijëra arritën të hyjnë në kufijtë shqiptare. Shqiptarët ishin shpëtues, jo vëzhgues. Shpëtues është ai që vepron kur shikon të tjerët që keqtrajtohen,” tha Earl Bills, drejtori i komitetit organizues të ceremonisë përkujtimore të Holokaustit.

Në një ceremoni tjetër dy ditore përkujtimore të viktimave të holokaustit u nderua sërish roli i shqiptarëve. Programi u zhvillua me 18-19 prill 2015 nga sinagoga Beth Torah në Teksas organizuar nga Ed Matisoff, Jeff Markowitz, Earl Bills, Laura Matisoff, Steve Popik dhe Rabbi Elana Zelony. Gjatë ceremonisë u ndezën 11 qirinj në kujtim të 11 milion viktimave të holokaustit. Qiriu i njëmbëdhjetë u ndez “në nder të gjithë njërëzve shqiptar që shpëtuan hebrejtë brenda kufijve” nga Doc Vranici dhe Beso Buranaj Hoxha. Të gjithë pjesëmarrësit thanë me një zë së bashku “Ne nuk do harrojmë” pas ndezjes të secilit qiri dhe simbolizmit të tij.

“Holokausti edhe pas 70 viteve është shumë i vështirë për ta konceptuar. Vetëm brenda gjashtë viteve, Gjermania naziste me aleatë vranë gjatë million hebrej. Përveç këtyre janë vrarë edhe gati pesë deri në gjashtë milion të tjerë që i përkasin kombësive dhe kulturave të tjera. Secili nga këta persona kishin një emër. Secili kishte një histori. Ne i nderojmë ato teksa mundohemi të kuptojmë humbjen, duke i lexuar emrat e tyre për 24 orë. Programi “Çdo person ka një emër” thekson urgjencën dhe rëndësinë e mbledhjes së historisë gojore të holokaustit para se gjenerata e të shpëtuarve të largohet nga jeta,” tha Ed Matisoff, drejtor i Programit “Leximi i Emrave” në sinagogën Beth Torah.

roli-shqiptareve-shpetimin-e-hebrenjeve

Viti 2015 shënon 14 vjetorin e programit “Çdo person ka një emër” dhe deri tani janë lexuar mbi 75,000 emra, gati 5,000 emra në vit. Emrat lexohen për 24 orë, ku pjestarë të ndryshëm shqiptojnë emrat e viktimave. Në 2014 komuniteti shqiptar i Teksasit mori pjesë për herë të parë në këtë përkujtimore, nën drejtimin e Besmir Buranaj Hoxha.

Duke vënë re pjesmarrjen e jo-hebrejve Ed Matisoff tha, “ne nuk jemi vetëm”. Ndërsa Beso Buranaj Hoxha gjatë fjalimit deklaroi, “sa te ketë shqiptarë në këtë tokë, hebrejtë do kenë mbrojte përherë”.

“Disa nga emrat e viktimave të holokaustit nuk janë folur apo shqiptuar për 70 vjet. Shumicën e kohës, viktimat njiheshin vetëm nga numri, dhe disa kurrë nuk morën një memorial të duhur,” tha Ed Matisoff.

Me 19 prill 2015 u zhvillua një ekspozitë fotografike në kuadër të “Ditës së Kujtesës dhe Heroizmit” organizuar dhe prezantuar nga Besmir Buranaj Hoxha i organizatës “Rrënjët Shqiptare”, me hulumtues Gjergjian Gjeloshi and Pirro Bardha. Në këtë ekspozitë Besmir Buranaj Hoxha prezantoi histori shpëtimi nga Kosova dhe Shqipëria ku thjeksoi edhe historinë shëptimit nga familja Beqir dhe Rabihane Babamusta (me fëmijët Qemal, Neki, Merushe dhe Bukurije), Ibrahim Babamusta dhe Qamil Babamusta (shoqëroi hebre nga Kavaja në Itali), familja Zylo (Zel, Dyl dhe Haxhi), familja Mehmet dhe Fitnete Babamusta (vajza Fatime). Mehmet Babamusta bashkë me vëllain e tij Isuf Babamusta dhe Mihal Lekatarin gjatë punës në Gjykatën e Kavajës kanë pajisur me pasaporta dhe identitet shiqptar qindar hebrej (178 Arshiva Shtetërore, Tiranë). Ish Ministri i Financave E’them Cara dhe Ibrahim Babamusta kordinuar veprimet nga Tirana per gjetjen e strehimit të hebrejve dhe transportimit të tyre nëpër qytete.

Neki Babamusta kujton një familje hebre, rrobaqepës, burrë grua dhe dy fëmijë. Ishte vetëm 8 vjeç kur prindërit e tij strehuan hebre në vitin 1943. “I dhamë besën hebrejve dhe i pritëm si miq për t’i bërë të ndjehen si në shtëpinë e tyre,” tha profesor Neki Babamusta. “Edhe pse ushtarët e Gestapos na drejtuan armët ne fëmijëve gjatë kontrollit nazist, nëna ime nuk tregoi ku ishin fshehur hebrejtë.”

Haxhi Zyba sot 90 vjeç kujton familjen strehuar te Rabihane dhe Beqir Babamusta. Dhe mban mend se në shtëpine e tij janë strehuar familjet e dy vëllezërve hebrej: Luiz, rrobaqepës, me grua dhe dy fëmijë (për të cilët ka deklaruar dhe Neki Babamusta në dëshminë dorëzuar Yad Vashem); dhe vëllai i Luiz, me emër David, marangoz, me grua dhe katër fëmijë. Haxhi kujton se si ndërtuan varkën dhe familja u çua në Bari të Italisë te miqtë Italian të Beqir Babamustës, me të cilën Beqiri bënte tregti në atë kohë. Haxhi Zyba tregon se familja e tij ka patur korrespondencë me hebrejtë pas luftës, kur ato ishin kthyer në Izrael.

Fatime Babamusta, vajza e Dëshmorit të Kombit Mehmet Babamusta, mban mend se në shtëpinë e saj janë strehuar disa hebrej, babai hebre me emër David, grua, vajza 1-2 vjeçe Adela dhe motra e Davidit. Në një rast tjetër kujton një vajzë hebre, babi i së cilës ishte i strehuar në një familje tjetër në Kavajë. Familjet Babamusta dhe Zyba janë në kërkim të këtyre familjeve sot.

“Shqiptarët kanë treguar kurajo dhe humanizëm të jashtëzakonshëm kur strehuan hebrej në shtëpitë e tyre për t’i fshehur nga gjermnët, duke dhënë besën. Talmud na mëson se ai që shpëton një jetë njeriu kujtohet sikur ka shpëtuar botën. Në fakt, unë sot jam këtu, kam 4 fëmijë, 14 nipa dhe 16 stërnipa. Kjo nuk do kishte ndodhur nëse nuk më shpëtuan shqiptarët,” tha Johanna Neumann, hebre shpëtuar në Shqipëri gjatë luftës.

“Çdo vit kur përkujtojmë viktimat e holokaustit, mësoj diçka të re. Zakonisht i shtohet ndjenjave të mia të humbjes, por këtë vit mësova diçka që ishte si shkëndija në errësirë. Mësova që komuniteti shqiptar ka shpëtuar hebrej dhe kjo më lehtësoi që të kem më pak dhimbje në zemër,” tha Rabbi Elana Zelony e sinagogës “Beth Torah”.

Gjatë programit me 19 prill 2015 u shfaq filmi “Besa: Premtimi” drejtuar nga Rachel Goslins, edituar nga by Christine S. Romero, me personazhe kryesore historinë e shpëtimit të familjes të Rexhep Hoxha dhe fotografit të mirënjohur hebre-amerikan Norman H. Gershman. Pas shfaqjes së filmit, Doc Vranici i Qendrës Kulturore Shqiptaro-Amerikane dha fjalimin për rolin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrejve dhe tolerancën fetare në Shqipëri. Beso Buranaj Hoxha i Rrënjëve shqiptare prezatoi ekspozitën me titull “Historia e Refugjatëve Hebrej në Shqipëri” dhe mori pjesë në forumin e pyetje përgjigje.

Në Shqipëri janë shëptuar mbi 3,000 hebrej dhe Shqipëria është i vetmi vend në botë ku në kufijtë e saj ka patur më shumë hebrej pas luftës (1945) sesa para fillimit të luftës së dytë botërore (1940). Kjo tregon se hebrejtë gjetën strehë dhe vend të sigurtë në mikpritjen dhe bujarinë e popullit shqiptar.

By admini