
Drejtoresha Ardita Kovaçi numëron të arriturat në Gjimnazin e Ulqinit
Shkolla e mesme ”Vëllazërim – Bashkim” e qytetit tonë ditën e hënë kremtoi Ditën e shkollës me një program mbresëlënës të mbajtur në Qendren për kulturë të Ulqinit. Në një program të cilit do të ja kishin lakmi edhe organizimet e institucioneve profesioniste ishin të gershetura shumë bukur mirënjohjet për nxënësit më të mire të shkollës, recitimi, kënga e vallëzimi por edhe pika tjera interesante.
Poashtu ngjarja në vete ishte edhe ekspozita me punimet më nxënësit e kësaj shkolle. Vizitoret e shumtë shijuan punime të jashtëzakonshme.
Më këtë rast, shkolla botoi edhe revistën e saj të përvjetshme ‘’Fillimet’’. Më poshtë mund të lexoni intervistën e drejtoreshës së shkollës Ardita Kovaçi dhënë kësaj reviste.
Intervistë me drejtoreshën e shkollës Mr. Ardita Kovaçi
Intervistoi: Denisa Halili
Nga respekti ndaj saj, profesionalizmi dhe titulli i ri, kësaj rradhe kemi zgjedhur për intervistë Mr. Ardita Kovaçin, tashmë drejtoreshë e shkollës sonë.
Ashtu siç na titullohet edhe revista ky ishte një fillim edhe për ju,si ishte ai moment i parë ku u emëruat drejtoreshë?
Momenti kur më lajmëruan që kam fituar pozitën e drejtoreshës ishte një moment ku kisha një përzierje emocionesh, gëzim, shpresë, frikë por shumë vullnet dhe guxim që të marr këtë hap të ri në jetën time. Fillimi për mua ishte i suksesshëm siç është e suksesshme edhe puna juaj në revistën ‘’Fillimet’’. Udhëtimi im tashmë një-vjeçar është i mbushur me shumë aktivitete, me shumë angazhime, sakrifica, stres por edhe me shumë gëzime dhe çaste krenarie që kryesisht janë të lidhura me arritjet e shkollës në tërësi. Hapat e parë në pozitën e drejtoreshës mi kanë lehtësuar edhe stafi arsimor në shkollë, ku e gjeta veten të mirëpritur nga kolegët e rinjë dhe nga ish-mësimdhënësit e mi,pasi shumë prej kolegëve të sotëm edhe unë i kam pasur mësimdhënës dhe është kënaqësi që sot të bashkëpunojmë .
”Çelësi i suksesit të një drejtuesi është puna’’, a është ndonjëherë për ju një punë e lodhëshme, stresuese?
Punën që bëj unë e dua, prandaj puna ime më jep gëzim, por nuk përjashtohet fakti që në situata të caktuara ndihem nën stres dhe pas një dite të tillë ndjej edhe lodhje, por kjo nuk paraqet pengesë në punën që bëj.
Çfarë keni arritur të ndryshoni që me ardhjen në shkollë?
Ardhja ime në shkollë besoj se ka shkaktuar disa ndryshime për mirë, por vlerësimin në këtë pjesë mund ta bëjnë më së miri nxënësit dhe mësimdhënësit.
Duhet të përmend dhe falenderoj ish-drejtorin i cili ka lënë një infrastrukturë të mirë shkollore, nga ku unë e kam pasur më të lehtë të vazhdoj me projekte të reja.
Cilat janë projektet e reja për shkollën tonë?
Gjatë periudhës së ardhshme fokusi do të jetë në përmirësimin e kushteve për mbajtjen e mësimit praktik për drejtimet profesionale, krijimi i kushteve më të mira për zhvillimin e mësimit në tërësi, përmbyllja me sukses e projektit ” Rrugët e karierës” , të cilin e realizojmë në bashkëpunim me shkollën “Hamdi Bushati” Shkodër, ‘’Horizonti i Ri’’ dhe ‘’World Vision’’ Shkodër. Ndërkohë jemi duke realizuar projektin në bashkëpunim me organizatën turistike i cili quhet “Nga Ulqini me dashuri”.
Gjatë vitit shkollor që po lëmë pas kemi realizuar edhe shumë mini projekte dhe kemi aplikuar për projekte të dimensioneve më të gjëra. Shpresoj shumë që edhe viti i ardhshëm të na mundësojë pjesëmarrjen në projekte, të cilat do të jenë me interes për nxënësit tonë.
A mund të cekni momentet tuaja më të bukura e më të vështira si drejtoreshë?
Për këtë kohë kam pasur momente të gëzuara sa herë që kemi realizuar me sukses planifikimet e shkollës apo aktivitete të caktuara. Çdo paraqitje e nxënësve para publikut te unë ka zgjuar emocione të bukura, ndërsa kam ndjerë edhe frikën dhe krenarinë për çdo realizim të tillë.
Momentet e vështira janë shumë të pakta, saqë nuk kanë lënë gjurmë tek unë.
Mesazhi juaj për mësimdhënësit dhe porosia juaj për nxënësit?
Secili nxënës ka të drejtë në mësim kvalitativ, në ambient shkollor i cili e bën të ndjehet mirë dhe e përgatit që të jetë një njeri i suksesshëm në të ardhmen, ky është njëherit edhe mesazhi për mësimdhënësit, të ndihmojnë nxënësit të zhvillojnë potencialet e tyre, përmes punës së drejtpërdrejtë me ta, përmes bashkëpunimit me prindër dhe komunitetit në përgjithësi.
Ndërsa nxënësve do tu thoja : ‘’mësimi është supërfuqia juaj’’. Edhe pse do të ketë ditë kur nuk do të shkëlqeni në mësime, përsëri provoni sepse suksesi është një rrugë e gjatë, e mbushur me sakrifica, punë të lodhshme, me rënie dhe ngritje.
Një proverb kineze thotë që mësuesit na hapin derën, por duhet vetë të hyjmë brenda. Shfrytëzoni çdo mundësi që iu ofron shkolla sepse pasaporta juaj për të ardhmen është edukimi.
/Intervista marrë nga Revista ‘’Fillimet’’/