
Nga Gjekë Gjonaj
Pandemia Covid-19 ka sfiduar edhe Shkollën e Muzikës dhe Baletit në Ulqin , sikurse edhe krejt sistemin arsimor në Mal të Zi. Megjithatë, mësimdhënësit dhe nxënësit e kësaj shkollë në këtë vit pandemie e zhvilluan mësimin sipas rregullave dhe rekomandimeve të Ministrisë së Arsimit. Drejtoresha e këtij e këtij institucioni Fatime Buzku thotë se ashtu si edhe në shkolla tjera orët mësimore zgjasin 3o minuta . “ Grupet e nxënësve në orët e mësimit nuk janë të mëdha me qëllim që të ruhet distanca, ndërsa shumë më lehtë e zhvillojmë mësimin në orët individuale ku punon një mësues dhe një nxënës. Vështirësi më të mëdha kemi pasur ne realizimin e koncerteve, për shkak të mungesës së ndonjë nxënësi, pastaj ne organizimin e pikave muzikore në ambiente të mbyllura”, thotë Buzuku.
Pavarësisht kushteve të kufizuara për shkak të pandemisë ajo shprehet e kënaqur me suksesin e arritur në gjysmëvjetorin e parë. “ Gjatë kësaj periudhe kohore arritëm të realizojmë 7 koncerte dhe 1 orë interne, të cilat janë shumë të rëndësishme, sepse pikërisht koncertet dhe skena i motivojnë artistët. Aktualisht nxënësit po përgatiten për pjesëmarrje në konkurse e festivale të ndryshme ndërkombëtare, nëse lejon situata epidemiologjike. Para këtyre garave do të shfaqim një koncert më 7 dhe 8 mars , me rastin e Ditës së Mësuesit dhe Ditës së Grave ”, pohon Buzuku.
Kjo kohë e trishtë pandemia nuk i ka penguar nxënësit e kësaj shkollë as vitin e kaluar në disa konkurse ndërkombëtare online, ku u shpërblyen me diploma dhe 17 çmime të para dhe shumë të tjera. Nxënësit e kësaj shkollë janë të pranishëm pothuajse në të gjitha aktivitetet kulturore me pika e tyre muzikore, që dëshmon bashkëpunimin e mirë me institucionet tjera) Këtë vit shkollor në Shkollën e Muzikës dhe Baletit, Ulqin janë regjistruar rreth 300 nxënës, në degët, piano, kitarë, violinë, flautë, fizarmonikë, solo këndim dhe balet.