
Fabrika “ Metek plus” nga Ulqini
Nga Gjekë Gjonaj
Shumë njerëz që duan të fillojnë biznesin e tyre, pengohen nga idetë se çfarë biznesi mund të hapin nga e para dhe nga mungesa e kapitalit fillestar. Thjesht jo të gjithë e dinë se ka biznese të tilla, madje edhe në qytete të vogla. Mirëpo, për sipërmarrësin aspirant që t’i afrohet qëllimit të tij , Shuquri Zeneli nga Ulqini, këto nuk ishin probleme të parealizueshme. Mendja i shkoi të hapë një biznes unik ( të vetëm), i cili mungonte në tregun e Malit të Zi. Vlerësoi me maturi tregun e lokalitetit dhe shtetit të tij. Zbuloi se çfarë prodhimi u duhet qytetarëve. Çfarë kanë nevojë dhe çfarë presin ata. Dhe guximshëm u përcaktua për hapjen e një fabrike të vogël të quajtur “ Metek plus” për prodhimin e fshesave të melekuqes, pranë shtëpisë së tij familjare në lagjen Kodra.
Prodhim i veçantë ekologjik
Pronari i kësaj fabrike të vogël për prodhimin e fshesave të melekuqes, Shyqyri Zeneli, ka rënë në dashuri me këtë zanat para më shumë se një dekade, ndonëse nuk dinte shumë për të, sepse nuk është në traditën e tyre familjare. Sipas tij, miku i tij nga Serbia, i cili njihet për prodhimin e fshesave të melekuqes, i ka dhënë udhëzime bazë dhe mbështetje për këtë zeje, e cila është e vetmja e këtij lloji në Mal të Zi. Këtë biznes familjar e ka filluar në vitin 2010. Me mjete vetanake financiare arriti hap pas hapi të ndërtojë një fabrikë të vogël, dhe të pajisë me makineritë e nevojshme në vlerë prej 60 mijë eurosh. Këtë biznes e filloi me pesë punëtorë.
Kapaciteti i fabrikës
Kjo fabrikë është në gjendje të prodhojë më së shumti 400 copë fshesa në ditë, si dhe afro 1.000 copë në muaj. Ai për prodhimin e fshesave përdorë melekuqen nga fushat pjellore vendore të Serbisë, e cila, sipas ekspertëve bujqësorë konsiderohet e cilësisë më të mirë në rajonin e Ballkanit dhe është një nga tri më të njohurat në botë .
“Ne prodhojmë shtatë lloje të fshesave të madhësive të ndryshme të qepura. Ajo që e veçon dhe e bën tërheqëse një fshesë të bërë nga melekuqe është fakti se ajo konsiderohet një produkt ekologjik i cili nuk ndot mjedisin. Fshesat tona janë me cilësi të mirë, prandaj klientët tanë janë të kënaqur”, shprehet Zeneli
Mungesa e punëtorëve
Kohët e fundit, fenomeni i “mungesës së fuqisë punëtore” e cila është shfaqur në shumë vende, nuk e ka anashkaluar as biznesin e vogël të këtij sipërmarrësi punëtor e të suksesshëm anamalas. “ Që nga fillimi i punës së kësaj fabrike, kam pasur problem me fuqinë punëtore, edhe pse pagat ua kam paguar në kohë sipas marrëveshjes. Edhe sot pas një dekade punë. mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në pengesë. Kam filluar me pesë punëtorë dhe ende nuk jam zgjeruar më shumë.”, thotë Zeneli.
Ky sipërmarrës, për dallim nga shumë pronarë e drejtorë të firmave private, punon çdo ditë pune së bashku me punëtorët e tjerë. Ai nuk përton të përvjelë mangët dhe të bëhet pjesëtar i përditshëm i prodhimtarisë. Këtë, siç thekson ai, e bënë nga dashuria që ka për këtë zanat, duke synuar të rrisë cilësinë e fshesave.
Klientët ulqinakë më shumë i duan fshesat plastike
Edhe pse kjo fabrikë prodhon fshesa shtëpiake që thuren prej melekuqes kaq të njohur , të cilat shiten në dyqanet dhe tregjet në Mal të Zi, sidomos në qytete bregdetare, pastaj në Podgoricë e në qytete veriore, konsumatorët ulqinakë më shumë i duan fshesat plastike. “Fshesat e melekuqes që i prodhojmë në fabrikën tonë shihen rrugëve në shumë qytete të Malit të Zi , por jo edhe nëpër rrugët e Ulqinit. Është paradoksale që fshesat tona kanë një vlerësim të mirë në shumë komuna malazeze, por jo në Ulqin, ku punëtorët e ndërmarrjes komunale përdorin fshesa plastike dhe jo fshesat tona”, thekson Zeneli.
Zgjerimi i kapaciteteve prodhuese
Secili sipërmarrës i suksesshëm planifikon zgjerimin e biznesit të vet. Të njëjtën gjë e ka në plan edhe sipërmarrësi Zeneli. Mirëpo, kjo varet nga shumë faktorë, e mbi të gjitha nga mbështetja institucionale nga ana e shtetit. “ Unë i jam drejtuar me shkresë zyrtare Ministrisë së Financave dhe Mirëqenies Sociale, dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik për subvencione. Përveçse një përgjigjeje korrekte deri më tani nuk kam marrë asnjë ndihmë”, pohon me keqardhje Zeneli. Megjithatë ai synon të mbjellë këtë vit një bimë tropikale për prodhimin e fshesave në tokën prej 30 mijë metrash katrorë të marrë me qira në Shtoj, për të siguruar lëndën e parë të nevojshme që e importon , e cila kushton mjaft shtrenjtë. Shton se kjo bimë, sikur të kultivohej në Anë të Malit, do të ishte mjaft e levërdishme për të gjithë fermerët potencialë.
Shyqyri Zeneli me punën dhe përkushtimin e tij dëshmoi se edhe në një qytet të vogël, siç është Ulqini, mund të organizohet një biznes fitimprurës nga i cili një familje mund të sigurojë një standard normal jetese pa lukse të mëdha.