Podgorica

Ëndrra për anëtarësim në Bashkimin Evropian ekziston ende dhe Ballkani Perëndimor ka nevojë për një rezultat që do të nxjerrë në pah disa procese, tha drejtori ekzekutiv i CEMI, Zlatko Vujoviq. Në atë rast, thotë ai, pas ndryshimeve politike dhe zgjidhjes së çështjeve që varen nga një shumicë e cilësuar, Mali i Zi mund t’i përfundojë negociatat pothuajse në të gjithë kapitujt relativisht shpejt.

“Kjo nuk është joreale, mjaft është bërë. Frenat kryesore ishin në kapitujt 23 dhe 24. Nëse kemi tre të pestat, eventualisht dy të tretat e shumicës parlamentare, gjithçka mund të paketohet në dy vjet. Mali i Zi është i vogël, anëtarësimi i tij nuk i kushton asgjë BE-së. Kjo do të ishte një nxitje e fortë për ndryshime demokratike në vendet e rajonit dhe një shuplakë e madhe për Vuçiqin, pra politikën e tij që ai kurrë nuk do të bëhet anëtar i BE-së, kështu që nuk ka nevojë për reforma”, tha Vujoviq për  Gradske televizija, transmeton Ulqini Onlie.

Historiani Zhivko Andrijasevic tha se projekti Ballkani i Hapur mund të ketë vetëm një perspektivë sipërfaqësore dhe se është një ide e keqe.

“Mendoj se ky është një model që nuk ka asnjë bazë funksionale apo historike këtu dhe se është jorealist sepse ka të bëjë me akterë të ndryshëm që janë të ndryshëm në përvojat e tyre, praktikën politike, parametrat ekonomikë, problemet që i sjellin atij komuniteti dhe mendoj se është një ide e keqe”, thekson Andrijasheviq.

Edhe një nga themeluesit e Lëvizjes URA, Zharko Rakçeviq, beson se Mali i Zi nuk ka nevojë për Ballkanin e Hapur. Ai shton se Mali i Zi duhet të kërkojë interesa në kufij të hapur ndaj të gjithëve dhe jo në ripërtëritjen, siç thotë ai, të një lloj etnocentrizmi.

“Ju keni gjendjen faktike që njerëzit dhe elita politike në Serbi, e cila flet për Ballkanin e Hapur dhe lëvizjen e lirë të njerëzve, ndalon dhe keqtrajton deputetët malazezë në kufi, sepse kanë votuar dhe kanë thënë se ka pasur gjenocid në Srebrenicë’’, potencon Rakçeviq.

Kujtojmë se projekti “Ballkani i Hapur” u lansua në nëntor 2019 nga liderët e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Qeveria e atëhershme në Mal të Zi ishte e mendimit se bëhej fjalë për marketing politik dhe se integrimi në Bashkimin Evropian nuk kishte alternativë.

By admini