Nga Berat Luzha*

Gryka e Rugovës është një kanion i gjatë në Alpet Shqiptare, i krijuar nga lumi Lumbardh i Pejës. Fillon 2 – 3 km nga qyteti i Pejës dhe zgjatet 12 kilometra drejt burimit të lumit. Me gjatësinë dhe thellësinë e saj, ku ndodhen dhjetra shpella, ujëvara e burime uji, Gryka e Rugovës del si njëra nga grykat më të bukura në Evropë.
Për vlerat gjeologjike, hidrologjike, shpellore e botanike, si dhe për peisazhin e mrekullueshëm, në vitin 1985 Gryka e Rugovës është shpallur monument i mbrojtur natyror. Gryka madhështore e Rugovës, natyra e saj epike me të kaluar historike, me ajër të pastër e me pamje mahnitëse, është pjesë e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.
Në periferi të qytetit të Pejës dhe pak para hyrjes në Grykën e Rugovës ndodhet Patriarkana e Pejës, një objekt monumental ortodoks i listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Monumenti, që nga përfundimi i luftës, sigurohet nga KFOR-i, edhe pse asnjëherë nuk ka pasur problem nga shqiptarët, kurse vetëm shqiptarëve u është ndaluar hyrja në të.
Krahina e Rugovës gjatë shekujve ishte zonë e shtypur, e harruar dhe e përbuzur nga regjimet e huaja. Por ata, më mirë se kudo, e ruajtën dhe e kultivuan identitetin kombëtar dhe zakonet e vjetra vendit. Ata jetuan maleve kryelarta me sakrifica të mëdha, por me krenarinë e dinjitetin e pastër njerëzor e kombëtar.
Sapo hyn në Grykë, te ura monumentale, të shoqërojnë shkëmbinjtë e lartë, shkëmbinjtë që ngriten vertikalisht përpjetë, pastaj restorantet e shumta në brigjet e Lumbardhit që gatuajnë ushqim të traditës, shtëpitë e vogla e vilat për turistë nëpër shpatijet e malit. Rruga e vetme që i lidhë të gjitha fshatrat e Rugovës të çon edhe në Kuçishtën e në Bogën turistike, ku janë ndërtuar shumë hotele e restorante bashkëkohore. Natyra e paprekur, ajri i pastër shërues, uji nga burimet e malit, qetësia mbretëruese, pamjet mahnitëse, ushqimi cilësor dhe mikpritja malësore e shoqërojnë vizitorin gjatë tërë kohës, sa qëndron në Grykën e Rugovës dhe përgjithësisht në Rugovë. Pastaj, Rugova ofron, më shumë se kudo tjetër, ecje malore e sportive, ngjitje në shkëmbinj, pushtim të majave mbi 2500 m., hulumtimi i shpellave, turizmi i aventurës, ekskursione ditore, pushimet e fundjavës, alpinizëm, skijim etj. Janë edhe dy liqenet malore, dy ujëvarat e shpellat e shumta është flora e fauna shumë e zhvilluar. Rugova dallohet edhe për veshjen karakteristike origjinale me vlera artistike me gjurmë nga lashtësia jonë ilire.
Nga qindra shpellat e pahulumtuara, dallohen tri sosh: Gryka e Madhe (e hulumtuar deri 11 km), Shpella e Karamakazit dhe Shpella e Kallabes (ku janë zbuluar mbetje të njerëzve të lashtë). Shpella Gryka e Madhe, në pesë nivele, ndodhet në kilometrin e tetë, në anën e majtë të Grykës së Rugovës, 60 metra mbi lumë dhe në lartësi 637 m. Në kilometrin e gjashtë të Grykës është ujëvara më e madhe, 25 metra e lartë, që buron nga shkëmbinjtë dhe derdhet në lumë. Edhe ura harkore, në fillim të Grykës, është një monument i rëndësishëm që lidhë dy brigjet e lumit.
Pos bukurive të shumta natyrore, Gryka e Rugovës ka edhe atraksione të rralla, siç janë: Ura Tibetiane, Via Ferrata, Zip Line, Ballkoni Panoramik, Parku i Aventurave… Sepse, Gryka tashmë është edhe një vend i aventurave dhe i sporteve ekstreme. Adhuruesit e bukurive të natyrës tash e kanë edhe një mundësi të veçantë, rrugëtimin përmes litarit, që njihet si “Zip Line”. Ky projekt, me gjatësi 645 metra, i realizuar viteve të fundit, e ka shtuar jashtëzakonisht shumë interesimin për ta vizituar Grykën dhe për ta provuar fluturimin në litar. Ura Tibetiane, një urë unike, më e gjata e llojit në rajon, është 41 m. e gjatë dhe 60 m. e lartë. Kurse “Via Ferrata” mundëson ngjitjen e alpinistëve nëpër shkëmbinj.
Sot Rugova, si zonë dhe Gryka shkëmbore e Rugovës, si monument natyror, paraqet mrekullinë natyrore dhe interesante për zhvillimin e turizmit. Në dy anët e Grykës ndodhen 13 fshatrat piktoreske të Rugovës, të cilat pothuaj janë të zbrazura. Tërë Rugova, veçanërisht Gryka, pastaj edhe Kuçishta, Boga e Guri i Kuq janë kthyer në destinime të rëndësishme të turizmit malor që zhvillohet gjatë tërë vitit, verë e dimër. Në të dy anët e Grykës, si dhe në fshatrat turistike të Rugovës ndodhen restorante e lokale tjera hoteliere e turistike, ndodhet bukuria e maleve tona dhe krenaria e malësorëve tanë.
Gryka e Rugovës, me kanionin që lëshohet thikë teposhtë mbi lumë, me rrugën e ngushtë zik-zake që kalon herë në njërën e herë në anën tjetër të lumit, me ujëvaren mahnitëse që zbret pingul faqes së Grykës, me tunelet e ngushta e të frikshme të hapura në shkëmbinj, me pyjet me pisha të larta, që veshin grykën në të dy anët, paraqitet si një natyrë magjepëse, një natyrë që të lë pa frymë. Kjo është gryka me famë që pret e përcjellë mysafirë çdo ditë e çdo stinë, që pret turistë të vendit e të huaj.
Lumbardhi i rrëmbyeshëm (Bistrica), si një gjerdan i artë, i rri Rugovës kreshnike, duke ia shtuar freskinë dhe madhështinë Grykës legjendare të Rugovës. Është kjo “parajsa e harruar” e cila të befason me madhështinë e saj, por ku të pret prehja e kërkuar.

/*Marrë nga faqja e autorit në facebook

By admini