Nesër nënshkruajnë memorandumin për bashkëpunim; Jokoviq thotë se nuk ka negociata për Qeverinë
Partia Socialiste Popullore (PSP) e Malit të Zi, Lëvizja Qytetare- URA dhe përfaqësuesit politikë të pakicave kombëtare në Mal të Zi nesër do të nënshkruajnë një Memorandum bashkëpunimi, i cili, siç u tha PSP, do të mundësojë stabilizimin e ambientit politik dhe tejkalimin e përçarjeve të brendshme. Në një prononcim për Portalin e RTMZ-së, kryetari i Partisë Socialiste Popullore, Vlladimir Jokoviq, mohon se ky dokument të ketë lidhje me negociatat për Qeverinë, qoftë edhe atë të pakicës. Jozyrtarisht thuhet se edhe partitë e pakicave nacionale, janë duke negociuar me Lëvizjen URA për një qeveri të pakicës, por Jokoviq thotë se nuk di për negociata të tilla dhe se ky akt nuk ka të bëjë me formimin e Qeverisë. “Ky është një dokument që duhet t’i hapë rrugën stabilizimit të situatës politike në vend dhe forcimit të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit, për të mirën e të gjithëve. Nuk ka të bëjë as me qeverinë, as me negociatat, as nuk po negociohet”, tha Jokoviq. Sipas informatave jozyrtare të portalit të servisit publik, PSP do të nënshkruaj Memorandumin, krahas disa partive tjera edhe me Listën Shqiptare, koalicionin, “Bashkë një zë” dhe Partinë Boshnjake.
Ne i integrojmë pakicat kombëtare
Lëvizja Qytetare- URA, Partia Socialiste Popullore dhe partitë e pakicave do të nënshkruajnë nesër memorandumin e bashkëpunimit, tha edhe kryetari i URA-s, Dritan Abazoviq. Ai tha se në këtë mënyrë po integrojnë popujt pakicë me, siç tha ai, disa parti me të cilat mund të mos kenë pasur bashkëpunim të theksuar në periudhën paraprake. “Unë jam shumë krenar dhe i kënaqur sepse ne po integrojmë popujt pakicë me disa parti me të cilat ata mund të mos kenë pasur bashkëpunim të rëndësishëm në periudhën e mëparshme,” tha Abazoviq. Duke u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për pretendimet e Demokratëve për korrupsion, Abazoviq tha se ata të cilët nuk duan të zgjedhet Këshilli Prokurorial janë të korruptuar. I pyetur nëse kanë biseduar për qeverinë e pakicës me Partinë Demokratike të Socialistëve (PDS), Abazoviq tha se më parë u ka rekomanduar qytetarëve që të “jenë të relaksuar”. Nënshkrimi i nesërm i Memorandumin paraqet koalicion zvarritës me PDS-në dhe shkelje e rëndë e vullnetit elektoral të shumicës së Malit të Zi, tha kryetari i Malit të Zi të Drejtë, Marko Millaçiq. Ai i bëri thirrje PSP që të heqë dorë nga nënshkrimi i Memorandumit. /rtcg/