PËRFUNDOI EDICIONI V I PIKTURËS SË RAJONIT NË ULQIN

Kolonia e V-të Ndërkombëtare e Artit “Ulqini në pëlhur” u përmbyll sot solemnisht me ekspozitën e veprave të krijuara në katër ditët e kaluara dhe shpërndarjen e certifikatave për artistët pjesëmarrës në hotel “Llolla”.
Ky samit i artit të rajonit u organizua nga themeluesi i manifestimit dhe ambasadori i shquar kulturor nga Tirana Fatmir Toçi dhe Organizata Turistike e Ulqinit, e cila priti 50 artistë nga Mali i Zi, Shqipëria, Serbia, Bosnja dhe Hercevina, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.
Duke përshëndetur të pranishmit dhe nikoqirët, Fatmir Toci, drejtor i Institutit të Librit në kryeqytetin shqiptar, theksoi se është i kënaqur me atmosferën krijuese dhe ambientin e përgjithshëm të artistëve të rajonit.“Ky ishte një mision tjetër i suksesshëm i kulturës në Ulqin, i cili gjithmonë na mirëpret si mik i sinqertë, për çka falënderojmë veçanërisht drejtorin e Organizatën Turistike të Ulqinit, Gzim Hajdinaga dhe nikoqirët në hotel.Suksesi është edhe më i madh sepse ne u bashkuam pavarësisht pandemisë COVID 19 që vetëm na ngadalësoi, por nuk na pengoi të përmbushim dëshirën tonë për të krijuar vepra arti së bashku në këtë hapësirë të bukur emocionuese frymëzuese dhe për të ndërtuar ura miqësie. Synimi ynë është që kjo koloni të rritet në një grup edhe më të madh piktorësh nga rajoni më i gjerë në edicionet e ardhshme dhe shpresoj që të gjithë së bashku t’ia dalim mbanë”, tha Toçi për Feral.bar, duke falënderuar portalin tonë për mbështetjen.
Drejtori i Organizates Turistike të Ulqinit, Gzim Hajdinaga, tha për Feral.bar se është veçanërisht i lumtur që Ulqini vazhdon të jetë “adresa e tubimit”.
-Përgjithësisht Mali i Zi, por Ulqini është veçanërisht specifik sepse qytetarët e tij janë njerëz pa barrë, kozmopolitanë që duan të presin të gjithë në qytetin e tyre, pa dallim ngjyre dhe kombi, të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, veçanërisht ata të kulturës, që kanë një armë që eliminon çdo barrierë.
Nga çdo post që kam mbajtur deri më tani, gjithmonë kam thënë se kultura nuk njeh kufij: në këtë rast, më vjen mirë që në fund të një sezoni shumë të suksesshëm në një mozaik shumë të madh të ngjarjeve kulturore të organizuara nga OT (Organizata Turistike)e Ulqinit, vjen kjo, koloni arti.
Unë jam i kënaqur me atë që thanë vetë artistët, që këtu ndiheshin si në qytetin e tyre dhe një atmosferë të tillë e përcolli pronari i këtij hotel-resorti. Falënderoj edhe zotin Toçi që e bëri këtë koloni artistike dhe tubimin e artistëve në Ulqinin tonë të bukur për të pestën herë radhazi, garantoj se do të kontribuoj që kolonia të festojë njëzetvjetorin këtu” – tha Hajdinaga për Feral .bar.
Në emër të pjesëmarrësve të kolonisë nga Mali i Zi, kolegët dhe organizatorët i përshëndeti Mirko Dragoviq, artist dhe pedagog i njohur Podgoricës. Ai theksoi se në koloni ishte i pranishëm një akt krijues, “natyrisht – dhe ndjenja njerëzore, e cila është pjesë përbërëse e shpirtrave artistikë”.
-Stili i të shprehurit është shumë i larmishëm, gjë që i jep një rëndësi edhe më të madhe kësaj ngjarjeje kulturore. Përveç organizatorëve, do të doja të falënderoja edhe stafin e hotelit për qasjen e këndshme të kateringut dhe uroj që kolegët e mi piktorë të takohen sa më shpesh në vende të ngjashme. Ishte nder për të gjithë ne që të pikturojmë këto ditë në Ulqin, të shkëmbejmë përvoja dhe të krijojmë miqësi të reja përmes artit – tha Dragoviq.
Artisti dhe pedagogu i njohur ulqinak Edin Kaplani theksoi se këtu artistët edhe një herë kanë treguar se “preferojnë dhe shprehen më lehtë me një pikturë”.
Vizitorët dhe nikoqirët u përshëndetën me fjalë të përzgjedhura nga artistët Bardha Buza nga Kosova dhe Ardian Devoli e Skender Strica nga Shqipëria.
(Përkthimi në shqip nga Leoneta Abdyli, Preshevë)

By admini