Ministria e Shëndetësisë e Malit të Zi, njoftoi të premten se masat kundër pandemisë janë ashpërsuar për shkak të mosrespektimit të tyre, veçanërisht në qytetet bregdetare, ku gjendet një numër i madh i turistëve nga rajoni dhe Evropa.

Këto masa, sipas zyrtarëve shëndetësorë, parashikojnë që nga sot e deri më 2 gusht të ndalohet puna e klubeve të natës dhe diskotekave, si në ambjente të hapura, ashtu edhe në ato të mbyllura.

Qëndrimi në ambjente të brendshme të hotelerisë do të lejohet vetëm për qytetarët që kanë test negativ të koronavirusit (PCR), vërtetimin se janë vaksinuar me së paku dozën e parë ose dëshmi se janë shëruar nga koronavirusi, bëjnë të ditur zyrtarë të Institutit të Shëndetit Publik në Mal të Zi.

Në këtë kuadër ndalohen edhe ahengjet dhe festivalet e muzikës, si dhe çdo tubim masiv në ambiente të mbyllura.

Ndërkaq, turistëve të huaj u lejohet hyrja në Mal të Zi pa test PCR dhe pa certifikatë vaksinimi.

Vendimi u mor pas rritjes së numrit të rasteve me koronavirus.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë paraqitur 64 raste të reja me COVID-19, duke e rritë numrin e rasteve aktive në 544 të infektuar me koronavirus në Mal të Zi. /voa/

By admini