Me një orë përkujtimore në Shkollën e Muzikës në Ulqin sot u përkujtua profesori Fahri Beqiri me rastin e vdekjes së tij.
Beqiri kultivoi artin muzikor te shumë studentë në këtë qytet, kështu shkruan z. Jusuf Lika në një shkrim të tij për këtë aktivitet.
”Në fjalën e rastit theksova, nďër të tjera, se unë dhe kolegët e mi e mbajmë mend dhe kemi shumë kujtime nga vitet e studimeve në Akademinë e Arteve e më pas profesori ishte shpesh mik i familjes sime. Ai kishte një dashuri të veçantë për Ulqinin, detin, njerëzit e thjeshtë, muzikën tonë autoktone etj”, shkruan z. Lika, transmeton Ulqini Online.
Profesoreshat e Shkollës së muzikës, pianistja Fatime Katana – Buzuku dhe sopranoja Gjylie Pelingu – Hoxha interpretuan pjesën “Shkoj e vij fluturim si zogu”, të kompozuar nga profesor Fahri Beqiri.
”Profesor Fahri Beqiri u bashkua në qiell me artistë të tjerë që këtë vit u ndanë nga jeta”, vazhdon z. Lika. Ai në fund falënderon personelin e Shkollës së Muzikës si dhe moderatorin Zenel Katana, mediat dhe të gjithë të pranishmit.