Lidhja Demokratike në Mal të Zi, dega e Malësisë, i’u ka drejtuar një letër të hapur të gjitha subjketeve politike shqiptare në Malësi ku ndër të tjerave kërkohet marrja e masave me qëllim të bashkimit dhe bashkveprimit.
Letren mund ta lexoni të plotë më poshtë.
Qytetarët e Malësisë, diaspora jonë, qendrat shqiptare, dhe të gjithë ata që ia duan të mirën këtij vendi, me plotë të drejtë kërkojnë nga spektri politik shqiptar në Mal të Zi, së këndejmi edhe nga ne në Malësi, që të bashkëveprojmë, në mënyrë që kërkesat drejtuar instancave shtetërore malaziase dhe faktorit ndërkombëtar të jenë më të fuqishme, kurse përfaqësimi më dinjitoz.
Lidhja Demokratike, si parti nacionale shqiptare, ndjen obligim ndaj Malësisë, ndaj zërave qo vijnë nga diaspora dhe ndaj votuesve të vet që të iniciojë dhe, aq sa të ketë mundësi dhe hapësirë, të punojë në drejtim të bashkimit të subjekteve nacionale që veprojnë në Malësi. Ne, si forcë politike, për këtë qëllim, jemi të gatshëm që t’i anashkalojmë të gjitha mosmarrëveshjet dhe dallimet politike që i kemi, apo që kemi pasur, përveç qëndrimit rreth statusit të Malësisë. Kur flasim për çështje statusi, fjala kompromis për ne nuk ekziston, sepse çdo zgjidhje tjetër, përpos komunës së plotë, Malësinë e le pa zhvillim, pa të ardhme, kurse shqiptarët i shtynë në përqafim të strukturave politike, të ashtuquajtura, qytetare-malazeze, si rrugë e sigurt drejt asimilimit.
Natyrisht se ka rrethana të cilat e vështirësojnë idenë për të bashkëvepruar. Në këto rrethana numërohet edhe qëndrimi jo i njëjtë ndaj bashkëpunimit me pushtetin, sepse kolltuqet qeveritare e zbejnë veprimtarinë e përbashkët opozitare, e po ashtu edhe fakti se dy nga subjektet politike shqiptare e përkrahën projektin eksperimentues të Podgoricës, “komunën e kryeqytetit”, të cilin ne e kundërshtuam rreptësisht, duke e parë atë si tejet të dëmshëm për Malësinë, e njëherazi edhe si hile parazgjedhore. Se sa kishim të drejtë e dëshmoi koha, pasi që po plotësohet viti e asgjë nuk ndryshoi.
Pra, fakti se disa nga subjektet nacionale, zyrtarisht janë në koalicion me PDS-në, në nivelin lokal apo shtetëror, mund t’i devijojë kërkesat tona dhe iniciativat e përbashkëta. Sipas mendimit tonë, opsioni, të gjithë opozitë me kërkesa unike, ose të gjithë pjesë e shumicës, por me peshë politike, do të lehtësonte bashkëveprimin, në të njëjtën masë sa e vështirëson participimi i pjesshëm në qeveri. Prandaj, jemi të mendimit se rishqyrtimi i përbashkët i participimit të mëtejmë në qeveri do të lehtësonte orvatjet për bashkëpunim.
Mirëpo, në këtë rast kur përsëri po aktualizohet gjysmë-zgjidhja, “komunë e kryeqytetit”, si një hile e re, që Malësinë e bënë territor të përjetshëm (k)urban të Podgoricës, kurse të prirë nga thënia se “ai që dëshiron të kryej një punë, kërkon mënyrat për ta kryer, e ai që nuk do, kërkon arsyet për të mos e kryer”, ne mendojmë se do të ishte mirë që të kërkojmë rrugët që afrojnë, dhe të provojmë që bashkërisht të hedhim poshtë këtë projekt, që më në fund nuk është në pajtim as me Kushtetutën e Malit të Zi, as me aktet ndërkombëtare mbi të drejtën në vetëqeverisje lokale.
Prandaj, për çdo gjë mund të bisedojmë, përpos lidhur me qëndrimin tonë mbi statusin, JO. Qëndrimi i LD-së lidhur me statusin e Malësisë është i njohur, i pandryshueshëm dhe duhet të jetë strumbullar i të gjitha bisedimeve. Ne mund të flasim për çështjet e tjera, vetëm nëse pajtohemi rreth kërkesës për komunë me kompetenca të plota, për krejt territorin e Malësisë. Pra, komunë si të gjitha komunat e tjera në Malin e Zi. Komunë, pa asnjë POR mbrapa! E pastaj edhe për çështje e tjera të shumta, lidhur me statusin e përgjithshëm dhe me të (pa)drejtat tona (ruajtje e identitetit, përfaqësimi, punësimi, arsimimi, zhvillimi e tj.), të cilat, falë mungesës së vullnetit politik të shumicës në Mal të Zi, por edhe mungesës së bashkëpunimit ndër shqiptarë dhe neglizhencës sonë, janë grumbulluar dhe presin zgjidhje.
Kështu, pas vlerësimit të rrethanave të krijuara, Kreu i LD-Dega e Malësisë vendosi që të bëjë këtë ftesë publike, për të gjitha subjektet nacionale shqiptare në Malësi, që të ulemi e të bisedojmë mbi mundësitë, kushtet dhe mënyrat e bashkëveprimit.
Koha dhe vendi i takimit do të caktohen në kontakt me subjektet në fjalë, brenda një kohe të shkurtër, kurse opinioni do të njoftohet me rezultatet.