Vazhdon numërimi në Shqipëri, PS-ja aktualisht ka 73 mandate
Procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare të 2021-s në Shqipëri është duke vazhduar ende në të gjithë vendin. Me numërimin e deritashëm, rreth 90 për qind të kutive të votimit, Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama prin me aktualisht 73 mandate të siguruara nga 140 sa janë në tërë Kuvendin e Shqipërisë.
Sipas “Top-Channelit”, PS-ja ka deri tash 670 mijë vota, ndërsa pas saj është koalicioni PD-AN me 527 mijë. LSI-ja ka marrë 92 mijë vota, ndërsa PSD-ja 30 mijë.
PS ka 73 mandate, ndërsa PD 59 mandate, LSI 5 dhe PSD 3 mandate. Në qarkun e Shkodrës, Kukësit, Lezhës dhe Dibrës kryeson Partia Demokratike, kurse në qarqet e tjera Partia Socialiste. Nga 5198 kuti votimi, deri më tani janë numëruar 4653 kuti.
Deri më tani nga votat e numëruara kanë rezultuar 73.485 të pavlefshme.
Në ndërkohë, kryeminstri i Shqipërisë Edi Rama për sot ka paralajmëruar një takim më aktivistë të subjektit të tij.
”Sot në 18.00, në Sheshin Skënderbej, skuadra kampione e patronazhistëve, koordinatorëve, drejtuesve, deputetëve dhe kush të dojë të na bashkohet për përqafimin e fitores”, shkruan Rama.